E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Alegrit

Memoria njerëzore shpesh thuhet se është e shkurtër dhe këtu bën pjesë edhe ajo e futbollit. Problemet e fundit të Milanit në kampionat, pas atyre në Europë dhe në Kupën e Italisë, kanë bërë që pozicioni i trajnerit Masimiliano Alegri të lëkundet ndjeshëm, edhe pse zyrtarisht për këtë nuk ka asnjë shenjë.
Mediat, madje ato që janë më pranë Silvio Berluskonit, shkruajnë se padroni kuqezi nuk është aspak i kënaqur nga paraqitjet e skuadrës. Ish-presidenti që vazhdon të jetë pronari e ka shprehur disa herë pakënaqësinë e tij për mënyrën e lojës, për zgjedhjet taktike dhe teknike të Alegrit, ndërsa perspektiva është që këtë sezon të mos fitohet asgjë.
Tifozët janë të pakënaqur, madje më shumë sesa Berluskoni, i cili ka aq përvojë sa ta dijë se nuk mund të fitohet gjithnjë. Milani u shpall kampion sezonin e kaluar me Alegrin në stol dhe këtë kampionat ishte pretendent kryesor deri dy javë më parë. Tashmë, Juventusi ka kaluar në krye me 3 pikë më shumë kur duhen edhe 5 takime deri në përfundim të Serisë A, ndaj shpresat nuk janë të shumta.
Veçse, Alegri e ka një “ëngjëll mbrojtës” dhe ky quhet Adriano Galiani. Drejtuesi i fuqishëm i klubit, krahu i djathtë i Berluskonit, nuk harron t’i kujtojë të pakënaqurve se trajneri ka punuar këtë sezon në kushte tepër të vështira, plot me dëmtime dhe sëmundje. Po ashtu, ai e di se financiarisht nuk është e mundur që të blihen yje, ndërsa klubi doli me 67 milionë euro humbje sezonin e fundit. Ndaj, për Galianin, Alegri mbetet ende trajneri i duhur për Milanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›