E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina e gripit të derrit, në nëntor në Shqipëri

Vaksina specifike e gripit të derrit do të mbërrijë në Shqipëri në muajin nëntor. Ekzaktësisht në fund të këtij muaji do të marrim stokun e parë të vaksinave dhe do të nisë menjëherë zbatimi i planit të veprimit për nisjen e shpërndarjes së dozave sipas rendit "zbritës". Punonjësit e rendit e ata të shëndetësisë do të jenë të parët që do të marrin mbështjellën imunizuese.

Sipas një plani veprimi, që është miratuar pak kohë më parë nga bordi i punës për monitorimin e situatës së gripit të derrave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, janë disa kategori të konsideruara prioritare, të cilat do të nisin fazën e vaksinimit menjëherë pas mbërritjes së dozave të para. Sakaq, kompania e cila ka përfunduar tashmë prodhimin e mijëra dozave të vaksinave ka njoftuar se duke nisur nga java e ardhshme do të nisë shpërndarja e vaksinave në disa nga vendet e Bashkimit Europian.

"Në Shqipëri, doza e parë e vaksinave pritet në fund të muajit nëntor", deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas tij, kjo është koha në të cilët shëndetësia mund të nisë fazën e parë të vaksinimit.

Njoftimi

Më 30 shtator 2009, kompania "GlaxoSmithKline" konfirmoi se ka marrë miratimin për vaksinën (H1N1) e saj me adjuvant "Pandemrix", e cila mbron nga gripi pandemik H1N1.

"Me marrjen e këtij miratimi, GSK mund të fillojë furnizimin e disa qeverive europiane me Pandemrix, duke filluar që javën pasardhëse", thotë Jean Stephenne (Zhan Stefene), president i kompanisë biologjike. Kompania që do të nisë shpërndarjen e vaksinave të gripit të derrit është udhëheqëse në botë bazuar në kërkim-zhvillim dhe kujdes shëndetësor.

Kategoritë e para

Të parët të cilët janë në krye të të gjitha kategorive që do të vaksinohen me përparësi janë forcat e rendit. Punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë, policia kufitare, zjarrfikësit, por edhe punonjësit e shëndetësisë në të gjitha hallkat dhe strukturat shëndetësore, do të jenë të parët që do të vaksinohen.

Lajmi u konfirmua menjëherë pas miratimit të planit të veprimit, i diskutuar pak kohë më parë nga komiteti i monitorimit të situatës së gripit të derrit. Specialistët e këtij grupi pune kanë vendosur që të propozojnë pranë drejtuesve të shëndetësisë se përparësi në vaksinim duhet t‘u jepen kryesisht punonjësve të rendit publik, punonjësve të porteve dhe aeroporteve, në zonat kufitare dhe punonjësve të shëndetësisë. Është vlerësuar se këto kategori kanë kontakt të vazhdueshëm dhe më të shpeshtë me të gjitha grupet e popullatës. Gjendja e tyre shëndetësore është e rëndësishme për të gjithë, pasi rendi, shërbimi shëndetësor dhe lëvizja e sigurt janë kryesoret për garantimin e shëndetit të popullatës dhe për proceset e tjera të jetesës në komunitet.

Në planin e veprimit, i cili do të bëhet publik brenda pak kohësh, nënvizohet se një tjetër kategori që duhet të jetë në radhët e para të listës së vaksinimit janë grupmosha 6 muaj deri në 25 vjeç. Menjëherë pas tyre vjen kategoria e të sëmurëve kronikë, të cilët janë më të rrezikuar dhe më pranë infeksioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›