E Hënë, 2 Nëntor 2026

E ardhmja e Partizanit, vetëm premtim

25/04/2005  Kur kanë mbetur ende dhe katër ndeshje për t’u mbyllur kampionati, ky i fundit është mbyllur me kohë për të kuqtë, që si asnjëherë tjetër e shohin veten 30 pikë larg Tiranës, me të cilën do të ndeshen në fundjavën e ardhshme. Sigurisht, me mendje të fjetur për këtë sezon krejtësisht bosh, të kuqtë, duket se kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Shumë emra janë përfolur, se do të bashkohen me të kuqtë gjatë verës dhe do të krijohet një skuadër kompetitive, e ndërtuar për të fituar. Gjithsesi nga presidenti Xhani, të vetmet fjalë që janë mësuar kanë qenë, se skuadra sezonin e ardhshëm do të luftojë për të fituar të dyja trofetë, por pa përmendur ndonjë emër konkret. “Është ende herët për të folur për ndonjë revolucion apo për ndonjë ndryshim. Kampionati nuk ka përfunduar dhe vetëm në fund të tij, do të bëjmë analizën e gjithçkaje. Për sa i takon të ardhmes, besoj ka kohë për të diskutuar, por ky nuk është momenti i duhur. Gjithsesi, në sezonin e ardhshëm do të jetë një tjetër Partizan, krejt ndryshe nga ai çfarë kemi parë në këtë sezon”- ka deklaruar Xhani në një emision televiziv. Sigurisht, që një nga temat kanë qenë dhe tifozët, të cilët, sipas tij do ta mbështesin përsëri Partizanin pavarësisht vështirësive që ka kaluar kjo skuadër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›