E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kampionati, sa i mërzitshëm

25/04/2005  Nga java në javë Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë po humbasin bukurinë e rivalitetit deri në fund

Duke parë ndeshjet e javës së 32-të të Kategorisë Superiore, por edhe ato të Kategorisë së Parë për javën e 19-të, një problem tashmë më fort se kurrë kërkon një përgjigje: Është kjo struktura që i përshtatet nivelit të futbollit shqiptar? Të gjithë drejtuesit e FSHF-së në fillimin e sezonit këtë e quajtën një zgjedhje europiane, ndërsa shumë nga drejtuesit e klubeve që hynin në këtë kategori e përkrahën fuqimisht atë. Ndërsa në mesin e rrugës të kësaj gare, kur Laçi e “preu biletën” e Kategorisë së Parë shumë shpejt, kur Egnatia e humbi interesin e qëndrimit në Superiore, apo edhe Bylisi në Kategorinë e Parë iu bashkangjit fatit të Laçit në Superiore, mund të flasim se kjo ka qenë struktura që nuk i ka shërbyer futbollit tonë. Çfarë duhet të jetë menduar me këtë strukturë? Duke përmenduar fjalët e drejtuesve kryesorë të FSHF-së në fillimin e këtij sezoni, kur edhe Komiteti Ekzekutiv e miratoi strukturën e re, dy ishin treguesit që mendohej se do të rriteshin me këtë strukturë: 1-Cilësia, 2-Infrastruktura. Po kush u rrit më shumë dhe sa i shërbyen këta dy tregues njëri-tjetrit dhe strukturës së re? Në treguesin e cilësisë mund t’i referohesh vetëm zboreve që trajneri i Kombëtares sonë, Hans Peter Brigel, ka zhvilluar gjatë këtij sezoni me futbollistë të Kampionatit shqiptar. Konkretisht, ai këtë vit ka futur nga Kampionati ynë në Kombëtare vetëm dy futbollistë, Tefik Osmanin dhe Armend Dallkun të Elbasanit, dhe për hir të seriozitetit e realitetit, ata janë marrë nga emergjenca, sepse mungonte e gjithë mbrojtja titullare. Pra, kulmi i cilësisë së strukturës në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar mbeti te dy emra “nga halli”. Po të hysh në skuadrat e Superiores dhe të Kategorisë së Parë, gjen “pleq” që rivalizojnë më mirë se të rinjtë, dhe gjen të rinj që të “pështiren” me futbollin e tyre. Ndërkohë që po t’i hysh cilësisë në Kategorinë e Parë, as me gishtat e njerës dorë nuk mund të veçosh individë, apo edhe skuadra. Ndërsa, sa për treguesin e dytë, infrastrukturën, ajo në këtë sezon pati një ngritje shumë cilësore, sepse u bënë fusha të reja në disa stadiume, por që ende kjo infrastrukturë nuk mund të quhet e plotë, kur kemi parasysh Peqinin, Rrogozhinën e Laçin, skuadra të cilat veç dëshirës për të qenë në Superiore, shpesh dallohen edhe për lojën e ashpër. Po kështu edhe për kategorinë e Parë, ku Skënderbeu, Flamurtari, Luftëtari, Pogradeci, Kastrioti dhe të tjerat që tashmë nuk kanë shumë peshë në këtë kategori, aty luhet me fusha të viteve ’60 - ’65. Gjithçka që përmendëm në këtë vëzhgim, ka sjellë që Kampionati ynë të bëhet i mërzitshëm, jo tani, por Superiorja që në fillimin e fazës së tretë, ndërsa Kategoria e Parë, veç skuadrave të kreut, në nivelet e tjera të renditjes është “kënduar” kënga e Superiores. Në një ndeshje futbolli në Tiranë, por edhe në disa qytete, shkojnë aq spektatorë sa një parti politike anonime në Shqipëri mbledh në një miting fshati. Një krahasim sa banal aq edhe i saktë, i cili me dhimbje del nga goja, kur bëhet fjalë se krahasohet me futbollin. Reformat e politikës u shfaqën edhe në reformën e futbollit, por që FSHF-ja nuk i bëri hesapet mirë, e tashmë i duhet një reformë e re, ndoshta më rrënjësore e cilësore, e mbase fillimisht edhe brenda tyre, që futbolli ynë të përmirësohet realisht dhe jo: “… një hap para, tri hapa prapa”. Vendimi i fundit i UEFA-s për futjen e futbollistëve të rinj në përbërjen e skuadrave, pranohet nga FSHF-ja nëpërmjet drejtuesve kryesorë të saj, duke deklaruar se që në sezonin e ri 2005-2006, ky vendim do të vihet në zbatim këtu në futbollin shqiptar. Më parë në futbollin shqiptar kjo formë është aplikuar në vitet ’80 duke i dhënë një rritje cilësore me rreth 250 futbollistë në dy-tri vite, por që më vonë u qujat “komuniste” apo “diktat” qeveritar. Tani që klubet janë duke u “plakur” më shumë sesa duke u rinuar, e për pasojë e kanë plakur Kampionatin tonë të futbollit. Cila mund të jetë zgjidhja? Reformat e studiuara e të sinqerta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›