E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga burgu, Ramiz Alia cakton Berishën për mitingjet e studentëve

25/04/2005  Si u përfshi Shqipëria në valën e ndryshimeve demokratike të vitit 1990? Çfarë pohoi Ramiz Alia në gazetën “Koha jonë” për evidentimin e Sali Berishës për të kontaktuar me mitingjet e studentëve? A e pranoi Berisha kërkesën e Alisë? Cili ishte qëndrimi i tij në lidhje me organizatën e PPSH-së? Cilët ishin në grupimin e parë të lëvizjes demokratike, që përbënin dhe bërthamën e partisë demokratike? Kur njihet zyrtarisht si dita e lindjes së pluralizmit në Shqipëri?A i pranoi Ramiz Alia gabimet politike në krye të PPSH? Cilat ishin platformat partiake të të dy partive të para në Shqipëri për zgjedhjet elektorale?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Më 8-11 dhjetor 1990, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, të mbështetur dhe nga rinia e qyteteve të tjera shpërthyen në manifestime masive, të cilat vazhduan pa ndërprerje për katër ditë, për të mbrojtur të drejtën për demokraci dhe pluralizëm. Kryeqytetin e rrëmbeu thirrja e mitingjeve, kishte ardhur koha e politikanëve të rrugës.

Që kur ishte në burg, në një intervistë dhenë gazetës “Koha jonë” në maj të vitit 1995, R. Alia pohonte se ishte pikërisht ai, që zgjodhi kardiologun e njohur e aktivistin e organizatës së partisë së Tiranës, Sali Berishën, për të kontaktuar me organizatorët e grevës së urisë e mitingjeve të studentëve. Por Berisha e kuptoi shumë shpejt se misioni i ngarkuar qe i paracaktuar të dështonte, ndërroi kampin dhe së bashku me pedagogët e Universitetit të Tiranës e përfaqësues të tjerë të inteligjencës, krijuan partinë e rinisë e të intelektualëve, në të cilën hynë ekonomisti Gramoz Pashko, arkeologu Neritan Ceka, mjeku kardiolog Shahin Kadare, juristi Luan Omari, udhëheqësi i lëvizjes studentore Azem Hajdari etj. Ky grup qe bërthama e Partisë Demokratoke, e drejtuar më pas nga Berisha.

2 dhjetori vitit 1990, dita e regjistrimit zyrtar të Partisë Demokratike, cilësohet si dita e lindjes së pluralizmit në Shqipëri. Fill pas PD-së u krijuan Partia Republikane, Partia Ekologjike, Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (janar 1991), Partia Agrare (shkrt 1991), Bashkimi Demokratik i Minoritetit grek (Omonia), Çamëria, Shoqata e Mbrojtjes së të Drejtave të Çamëve, partia e Unitetit Kombëtar (Mars 1991).

Po në atë kohë doli dhe shtypi opozitar: gazetat “Rilindja Demokratike”, organi PD-së dhe “Republika”, organ i PR-së. Të gjitha partitë e krijuara rishtazi u përfshinë në luftën për shtyrjen e zgjedhjeve të 10 shkurtit 1991 për Kuvendin Popullor, sepse në një afat aq të shkurtër nuk mund ta zhvillonin fshatën elektorale në kushte të pabarabarta me PPSH-në. Vetëm më 15 janar u bë e mundur marrëveshja për shtyrjen e datës së zgjedhjeve deri në 31 mars.

Rënia e theksuar e veprimtarisë politiko-shoqërore e detyroi partinë në pushtet të merrte nismën për përpunimin e një mendimi të ri për zhvillimin e vendit. Që në plenumin e KQ të janarit 1990, R. Alia pranoi gabimet në politikën e partisë. Por ai i lidhi ato me zbatimin e përvojës të quajtur universale të Bashkimit Sovjetik, Kinës, e vendev e tjera, pa iu nënshtruar kritikës. Ja si e ngriti pyetjen: “A ishte pëvoja botërore e socializmit, të cilën ne e shihnim si pikë referimi të praktikës sonë, absolutisht e pastër dhe a është e tillë ajo sot?”.

Përgjigjen e jepte platforma elektorale e PPSH-së e publikuar më 3 janar të vitit 1990, e cila i formulonte detyrat në këtë mënyrë: “Të realizohen reforma ekonomike rrënjësore me qëllim zëvendësimin e sistemit të centralizuar administrativo-komandues me mekanizmin e ekonomisë së tregut, brenda kornizave të së cilës të konkurojnë e të bashkëveprojnë sektori i fuqishëm me sektorin kooperativist e privat në kushtet e inisiativës së lirë të balancuar nga roli i shteti”. U pranua domosdoshmëria e përdorimit racional të burimeve të brendshme të ndërthurura me tërheqjen e kredive të huaja, me qëllim që të arrihej stabiliteti i ekonomisë dhe mbushja e tregut të konsumit. Zhvillimi i dialogut konstruktiv me të gjitha forcat politike duhej të siguronte stabilitetin politik të vendit. Vëmendje të veçantë i kushtoi PPSH-ja përmirësimit të gjendjes në fshat. Në janar të vitit 1991, Ramiz Alia botoi në gazetën “Zëri i Popullit” përmbledhjen e masave konkrete në fushën e politikës bujqësore. Një mijë traktorë të rinj të ardhur nga Kina, qenë shpërndarë nëpër rajone të ndryshme. Parashikohej rritja e prodhimit dhe shpërndarja e plehrave kimike të vendit, për fushatën e mbjelljeve të pranverës.

Në fushën e politikës së jashtme platforma shprehte synimin e patundur për t’u përfshirë në proceset Europiane, duke iu dhënë fund paragjykimeve të periudhës së “luftës së ftohtë”. Theksohej se shqiptari duhej të ndihej jo vetëm qytetar i vendit të vet, por dhe qytetar i Ballkanit e i Europës. “Realizëm dhe përtëritje” dhe “interesat e atdheut e të kombit përpara së gjithash” u bënë parrullat e PPSH-së.

Në janar të vitit 1991, në fushatën zgjedhore u përfshinë të gjitha partitë opozitare që ishin krijuar në atë kohë. Rivalja kryesore e partisë në pushtet qe PD-ja. Programi i saj dallohej nga ai i PPSH-së nga përqasja e skajshme me problemet e reformës agrare dhe privatizimit. Parashikohej shndërrimi i Shqipërisë në “një vend modern e demokratik” bazuar mbi ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe vendosjes e demokracisë së plotë. Prona private, kryerja e reformës agrare, dhe përmirësimi i kushteve të jetësës së popullit, shpalleshin si tri parimet bazë të programit. Privatizimi do të bëhej nën kontrollin e shtetit në kushtet e garantimit të të drejtave të individit e të shoqërisë ndërsa ndërprerja e subvencionit të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore duhej të ndihmonte shndërrimin e tyre në shoqëri aksionere.Zhvillimi i degëve përpunuese dhe i industrisë së lehtë shpallej si prioritete. Fshatarëve iu premtoheshin tokat shtetërore e gjithashtu, e drejta për të zgjedhur vullnetarisht formën e pronësisë e të përdorimit, private apo kooperativste. Të drejtat pronësore të pronarëve të mëdhenj, të shpronësuar në vitin 1945 nuk njiheshin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›