E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhani “shigjeton” futbollistët dhe stafin teknik

25/04/2005  Numri një i të kuqve ia ka kaluar përgjegjësinë e dështimit të sezonit, stafit teknik dhe lojtarëve të Partizanit

Partizani ka dështuar në të dy objektivat, që kishte në fillim të sezonit. Së pari, i ka dhënë lamtumirën çështjes së kapionatit, që ka 12 vjet pa e fituar dhe vetëm disa ditë më parë, i dhënë lamtumirën edhe trofeut të dytë në vend, Kupës së Shqipërisë. Dhe reagimet kanë qenë të menjëhershme. Është vetë numri një i skuadrës së kuqe, Albert Xhani, i cili ka piketuar edhe përgjegjësit për dështimin e Partizanit, në këtë sezon. Në fakt, në një intervistë telefonike në një nga televizionet në vend, presidenti Xhani ka theksuar, se dështimi i skuadrës së tij mban emrin e futbollistëve, por edhe të stafit teknik. Duke pranuar atë çfarë ka ndodhur gjatë dy fazave të para të kampionatit, presidenti i të kuqve, më shumë është ndalur te faza e tretë dhe e katërt, ku ai nuk i ka kursyer futbollistët e skuadrës së tij. Sipas Xhanit, me grupin e krijuar në fillimin e vitit 2005, skuadra duhej të ishte në një tjetër vend në klasifikim, por sipas tij, futbollistët e ardhur nuk e kanë justifikuar veten e tyre. “Ky sezon ka përfunduar pas eliminimit në Kupë dhe mund të etiketohet si i dështuar. Janë disa faktorë dhe rrethana, që janë diskutuar disa herë gjatë vitit. Por do të ndalesha te pjesa e dytë e sezonit. Me ardhjen e futbollistëve me emër, diçka duhej të ndryshonte, por nuk ka ndodhur kështu – ka deklaruar presidenti i Partizanit – Futbollistët e afruar në skuadër nuk e kanë justifikuar veten e tyre në këtë pjesë të sezonit dhe skuadra ndodhet në këtë situatë, që nuk ka nevojë për shumë komente”. Një frazë kjo e presidentit të Partizanit, e cila mund të lërë shumë vend për diskutime sidomos për të ardhmen e kësaj skuadre dhe të këtyre lojtarëve te Partizani. Por, presidenti i Partizanit nuk është mjaftuar vetëm me futbollistët. Sepse, ata mbajnë përgjegjësi për pjesën e dytë të kampionatit. Ai ka folur edhe për objektivin tjetër të dështuar të të kuqve, Kupën e Shqipërisë. Dhe në qendër të vëmendjes së tij, këtë herë ka qenë stafi teknik i Partizanit. Ka qenë ky stafi sipas Xhanit, që mund ta kishte menaxhuar më mirë situatën, sidomos në lidhje me Kupën. Nuk dihet qartë se ku janë drejtuar “shigjetat” e Xhanit, por stafi teknik përfshin mjaft elementë, duke nisur nga Mema (për Xhanin mbetet i paprekshëm), dhe ndihmësit e tij, Zhupa e Nallbani. “Do të thoja se edhe në rastin e Kupës, situata mund të ishte menaxhuar më mirë nga stafi teknik i Partizanit. Duhet që të gjitha bateritë e skuadrës të derdheshin në këtë objektiv, që në realitet përbënte vetëm gjysmën e objektivit. Por edhe këtu dështuam dhe stafi teknik i Partizanit ka përgjegjësinë e tij”,- ka deklaruar presidenti i Partizanit, Albert Xhani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›