E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Rusisë, europiane



Elvis Devole

Nënshkrimi i marrëveshjes mes SHBA-ve dhe Rusisë për pakësimin e ndërsjellë të arsenalit të armëve bërthamore, sipas analistëve, në thelb, përbën një hop të ndjeshëm cilësor në marrëdhëniet e dy fuqive më të mëdha atomike të globit. Kjo merr rëndësi të veçantë sidomos nëse i referohesh faktit që gjatë periudhës së presidencës “Bush”, këto marrëdhënie (ndryshe nga presidenca “Klinton”) kishin pësuar një ftohje të ndjeshme dhe po rrëshqisnin drejt një procesi ngrirjeje.
Pavarësisht se marrëveshja e Pragës fokusohet në pakësimin e pjesshëm (30% të armatimeve me mbushje bërthamore), pasqyron qartë një erë të re në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë, fillimi i së cilës daton me ardhjen në pushtet të administratës “Obama”. Në këtë kontekst, rreth dy vjet më parë, në Konferencën Ndërkombëtare për Çështjet e Sigurisë në Munih, zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, e profetizoi situatën duke u shprehur në këtë mënyrë: “Ka ardhur koha të shtypim butonin e përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë”. Po gjatë kësaj periudhe, presidenti rus, Dimitri Medvedev, u ftua të linte mënjanë “fantazmat sovjetike” dhe të niste përpjekjet me hapa konkretë drejt një afrimi më realist e të sinkronizuar për zgjidhjen e çështjeve të rëndësisë ndërkombëtare.
SHBA-të dhe Rusia tashmë duken më të prira ndaj një deideologjizimi dhe një mënyre më të arsyeshme në perceptimin dhe interpretimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo prirje e re ndikon në çlirimin prej skenarëve reminishentë të ndarjes në blloqe të botës, por, mbi të gjitha, në ndërtimin e partnershipit strategjik në bazë të objektivave të përbashkëta të perceptuara si pjesë prioritare. Nga ana tjetër, kjo nuk mund të konsiderohet si kërkesë me ngulm apo si lutje për një përafrim mes Uashingtonit dhe Moskës, por trajtim origjinal i modalitetit të bashkëpunimit, i cili mund të ketë mospërputhje në disa pika të ndryshme nga njëra anë dhe nga ana tjetër lejon vazhdimësinë e dialogimit me të tjerët.
Kriza ekonomike e financiare botërore ka imponuar para gjithë shteteve një vëmendje të kujdesshme ndaj politikave ekonomike e sociale të brendshme dhe nevojën e pakësimit të shpenzimeve ushtarake, duke hequr dorë nga një garë e re e kushtueshme armatimesh. Tani, është e dobishme që përpjekjet të përqendrohen në stabilizimin për çka është e mundshme në linjën e krizave (Lindje e Mesme, Iran, Irak, Afganistan, Kaukaz etj.), të cilat, veç pasojave që njihen, shoqërohen dhe me një faturë financiare të rënduar, që e thellon edhe më tej krizën globale.
Ndërkohë, duhet theksuar se krahas forcimit të frontit të luftës kundër terrorizmit, po shtohet dhe rreziku për mundësinë e përdorimit të armëve atomike jo vetëm nga regjime diktatoriale si Koreja e Veriut, Irani etj., por edhe nga organizata të njohura terroriste si Al-Kaeda etj., gjithmonë nëse ato ia arrijnë t’i zotërojnë këto lloje armësh.
Nga ana tjetër, ndërgjegjësimi i lidershipit botëror për të rritur masat e sigurisë përballë rrezikut atomik po rritet çdo ditë e më tepër. Vetëm të kujtojmë faktin se një sasi e konsiderueshme plutoniumi dhe uraniumi i pasuruar (sipas ekspertëve, mjafton për ndërtimin e 120 000 bombave atomike), i eksportuar gjatë periudhës së pasigurt nga hapësirat post-sovjetike, ndodhet e shpërndarë në 40 vende të botës. Faktikisht, për këtë sasi materiali bërthamor (shifra këto që të drithërojnë), mungojnë të dhëna të sakta për destinacionin e përdorimit të saj. Ndaj, edhe përpjekjet për frenimin dhe parandalimin e pasojave të kësaj natyre, të mundshme në këtë epokë krizash, po nxisin çdo ditë e më tepër bashkëpunimin e liderëve botërorë. (12-13 prill, Samiti i Uashingtonit me pjesëmarrjen e 47 vendeve).

Në këtë linjë duket se është dhe vazhdimi i diskutimit të projektit për krijimin e një traktati të sigurimit europian, i propozuar nga presidenti rus, Medvedev (Berlin, qershor 2008), i cili mund të merret në konsideratë seriozisht si nga Uashingtoni, ashtu dhe nga Europa. Një traktat i tillë mund të kontribuojë në rikompozimin e planeve strategjike për rregullimin e tensioneve që ishin të përhapura sipas “gjeografisë së dyfishtë” të bipolarizmit. Eksperienca historike ka provuar se tensione në hapësira të tilla janë të fshehura, por që mund të prodhojnë papritmas violencë e destabilitet rajonal (siç ishte rasti i Gjeorgjisë). Rusia e tanishme, ndryshe nga regjimi sovjetik, përpiqet të prezantojë një qëndrim më koherent në planin ndërkombëtar. Synimi i saj është zbatimi i një strategjie politike elastike, ku nga njëra anë të demonstrojë aftësitë dhe potencën e një superfuqie dhe nga ana tjetër, të mos humbasë kuotat e aparencës pozitive që disponon aktualisht.
Më së fundi, duhet thënë se bipolarizmi, veç të tjerave, zbaton praktikën e operimit në mënyrë spekulative, e cila pasqyrohet me kundërvënien si në terrenin politiko-strategjik, ashtu dhe në atë ekonomik e tregtar. Gjithashtu, duhet vënë në dukje se, së pari; në realitetin aktual, ky fenomen politik në fakt ka përforcuar disa vazhdimësi tradicionale (si për shembull bashkimin e Europës), si dhe ka ndarë të tjerët (fragmentarizimi i hapësirës sovjetike). Ndërsa së dyti; ka ribashkuar disa vazhdimësi tradicionale që ishin ndërprerë artificialisht që nga koha e ndarjes së botës në blloqe. Rezultantja e gjithë kësaj mbetet një botë më e bashkuar dhe njëkohësisht më e ndërvarur në planin ekonomik, sesa gjatë periudhës së kaluar. Kështu pra, nuk ishte lufta me Gjeorgjinë, as konflikti mes Gazpromit dhe klientit Ukrainas, apo tensionet në hapësirën postsovjetike – sfida më e madhe, ku duhej të matej “diarchia” ruse, e cila si prioritet ka pasur modernizimin e vendit. Nisur nga ky këndvështrim, është e natyrshme të gjykojmë realisht se një Rusi e madhe dhe e fuqishme nuk mund të lërë më një anë ndryshimin, rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin. Qëllimi i Moskës është të ndërtojë një superfuqi moderne, të qëndrueshme në nivelin euro-aziatik, duke favorizuar monopolet ekonomike, konsolidimin e ndikimit politik në vendet kufitare dhe atyre në lindje, përmes energjisë dhe kapitaleve. Përpjekjet e Rusisë për të rikonstruktuar politikat aktuale në funksion të rritjes së influencës globale në favor të saj duket se po përparojnë sipas një strategjie koherente afatgjatë, të projektuar me shumë kujdes në zyrat e Kremlinit.
Faktikisht, efektet globale të krizës me origjinë nga SHBA, kërcënuan edhe stabilitetin Rusisë që megjithatë, beson se është favoriti i vetëm në renditjen e vendeve me pasuri energjetike, me akumulim të rezervave të gjera, me një borxh të ulët dhe me një bilanc me tregues të fortë financiarë. Rusia, sikundër gjithë vendet e botës, ka mundur të gjejë mënyrën të jetojë “në kohë jolineare” gjë kjo që kërkon përgjigje të qarta dhe të drejta, duke ruajtur reciprocitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe respektuar vendet më të dobëta. Por, rritja dhe progresi i saj nuk ka qenë i njëjtë gjeografikisht edhe në aspektin social. Vendi është ende në një fazë ristrukturimi dhe modernizimi. Veç lidershipit aktual, i cili, pavarësisht se duket i vetëkënaqur nga arritjet, realisht është ende larg konsensusit të gjerë (e shtuar kjo dhe nga ndërhyrja në Gjeorgji). Sidoqoftë, situata aktuale vlerësohet vetëm për atë që vendi ka rihyrë në zbatimin e një plani kufizimi të krizës, dhe mund të krahasohet me atë çka ndodhi në SHBA kur zgjedhjet u zhvilluan në një kohë të papërshtatshme dhe ku fitoi Barak Obama, mbi bazën e premtimit për aplikimin e një plani për rigjallërim të ekonomisë e jetës sociale në të ardhmen.

Duke analizuar këto situata paralele, natyrshëm lind pyetja se si ia doli Rusia të përballohet me një pakënaqësi që zakonisht vjen nga periferia dhe arrin në qendër, e shoqëruar me një rënie drastike të popullaritetit që disponon “diarchia” aktuale? Në këtë klimë paqartësie politike e sociale, do të ishte e rrezikshme përdorimi i nacionalizmit si mbështetje ideologjike. Një opsion i tillë pasqyron avantazhin jo për të ri-kërkuar një elaborim të ri, ose përpunim doktrinar të artikuluar pajtueshmërisht me sistemin komunist, por rivendosje e mendimit konservator tradicional, në referencë të vlerave – urdhër, shtet, autoritet –KOMB, që tashmë përdoren në versionin modern. Në këtë mënyrë, nacionalizmi mund të pajtojë pozicionet e interesave të grupeve dhe individëve të përkatësive të ndryshme politike, duke siguruar mbështetje nga regjimi në prezencën e përhapjes së ndjenjës (së fshehur) të besnikërisë ndaj vlerave patriotike. Natyrisht, këto vlera janë të gatshme për t’u aktivizuar në situata emergjente, të cilat rezultuan të provuara botërisht në reaksionin e vendit gjatë konfliktit ruso-gjeorgjian.
Por tani, në rastin e krizës, simbioza Medvedev-Putin e “dy-pushtetësisë” ruse, me cilin mjet politik do t’i mbulojë pasojat e të çarave ekonomike? Këtë, natyrisht koha do mundet të na e tregojë. Rusia mbase përbën rastin më konkret për të matur efektet e krizës globale në një vend me demokraci hibride, ende në fazën e tranzicionit, në të cilën, lehtësisht mund të çlirohen forca destabilizuese dhe si reaksion për të riforcuar tendencat e përqendruara.
Rusia është një vend në kufi me Bashkimin Europian dhe me rëndësi të veçantë strategjike për sigurimin energjetik (aktualisht plotëson 60% të nevojave të Europës me gaz) dhe të sigurisë në hapësirën postsovjetike. Duket qartë se tani sfida e re e hegjemonisë ruse është e orientuar ndryshe. Prej kohësh ajo nuk manifestohet me mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe me logjikën e Perdes së Hekurt. Deri tani ajo ka demonstruar prirje të qarta të afrimit me Europën. Këtë e pasqyron më së miri edhe prania e saj aktive prej mëse dy dekadash në institucionet e Bashkimit Europian. Faktet flasin se e ardhmja e Rusisë është më tepër se kurrë një ardhme europiane. Pra, momenti është i përshtatshëm për të nxitur dhe zhvilluar më tej raportet pozitive mes Brukselit dhe Moskës.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›