E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më tepër sanksione për Iranin



“Washington Post”

Miratimi i sanksioneve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, para së gjithash, ishte një arritje diplomatike e administratës “Obama”. Presidenti dhe ndihmësit e tij ia dolën t’i kapërcejnë kundërshtimet, fillimisht të ashpra, nga Rusia dhe Kina, për sanksione shtesë, duke i mënjanuar përpjekjet e minutës së fundit nga Irani për shmangien e rezolutës nëpërmjet marrëveshjes me Brazilin dhe Turqinë.
Megjithëse kjo kthesë ishte larg për të qenë unike, meqë administrata “Bush” ia doli të sigurojë miratimin e pesë rezolutave për Iranin në Këshillin e Sigurimit, përfshirë edhe tri të tjera me sanksione, administrata “Obama” u tregua efektive në ndërtimin e koalicionit për rritjen e presionit ndaj Iranit.
Pyetja mbetet se a do të jetë presioni mjaft i fuqishëm për të ndikuar në regjimin që të mendojë edhe njëherë për zhvillimin e armatimit bërthamor? Me fjalë të tjera, a do të jetë fitorja e administratës më tepër se një fitore diplomatike?
Në këtë pikë ka arsye për dyshim. Megjithëse presidenti Obama me të drejtë thotë se sanksionet e reja janë më të ashprat që janë ndërmarrë ndonjëherë ndaj Iranit, ato dështuan në miratimin në formën e tyre origjinale.
Dyzet kompani iraniane janë vënë në shënjestër, numër ky dyfish më i madh se më parë, por asnjëra nuk është në sektorin energjetik. Stacioni bërthamor i ndërtuar nga Rusia do të vazhdojë të lëvizë përpara, ashtu sikurse edhe investimet e reja masive kineze në fushat e naftës dhe rafinerive.
Shitja e armatimit të rëndë në Iran është e ndaluar, por jo sistemi i avancuar i mbrojtjes raketore që Rusia ka premtuar se do ta vendosë.
Administrata shpreson se terminologjia e gjerë dhe ndonjëherë e paqartë në rezolutën për energjinë, sigurinë dhe transaksionet financiare do të ndikojë në Bashkimin Europian dhe në qeveritë e tjera mike, për të miratuar masa më të ashpra.
Por, a do të mjaftojë kjo për ta detyruar Iranin që ta pranojë ndërprerjen e pasurimit të uraniumit, të cilën e ka rezistuar për katër vjet, ose për t’u pajtuar për negociata serioze?
“Ne e dimë se qeveria e Iranit nuk do ta ndryshojë sjelljen e saj brenda natës”, - tha zoti Obama në Shtëpinë e Bardhë. Njëherësh, progresi i saj i qëndrueshëm drejt ngritjes së infrastrukturës për prodhimin e armatimit ka gjasa që të vazhdojë.
Regjimi i Ahjatollah Ali Kahmeneit i ka hedhur poshtë kategorikisht ofertat e presidentit Obama për “angazhim”. Ka shumë gjasa që ai njësoj do t’i refuzojë këto sanksione.
Është inkurajuese që zoti Obama foli për përvjetorin e zgjedhjeve mashtruese presidenciale të vitit të kaluar dhe sesi regjimi “në mënyrë brutale” shtypi ata që mendojnë ndryshe dhe i vrau të pafajshmit”, pas zgjedhjeve. Megjithëse ishte detyruar të largohet nga rrugët, Lëvizja e të Gjelbërve duket se ka gjasa më të mira për detyrimin e ndryshimeve domethënëse në Iran, sesa sanksionet e miratuara.
Administrata “Obama” do të bënte mirë që t’i kushtonte sa më tepër kujdes strategjisë për mbështetjen e opozitës, ashtu siç veproi me mbledhjen e votave në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Marrë nga radio “Evropa e lirë”

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›