Gjykata e lë Alban Rexhën në “arrest shtëpie”
TIRANË - Gjykata pranoi dje kërkesën e Alban Rexhës duke e lënë në “arrest shtëpie”. Personazhi i njohur si “ujku” la dje qelinë e paraburgimit për të qenë sërish i shoqëruar nga policia, por kësaj radhe në shtëpinë e tij. Një ditë më parë të njëjtin fat patën edhe dy miqtë e tij. Gjykata pranoi kërkesën e tyre për ndryshimin e masës së sigurisë. Rexha, personazhi i njohur i Kafazit të Artë, akuzohej bashkë me miqtë e tij se në shkurt të këtij viti qëlluan me armë kundër një patrulle policie. Manjola Xhaxho ndryshoi masën e sigurimit nga arresti me burg në arrest shtëpie për të pandehurin Enea Gega. Mbi Enea Gegën, Pajtim Serjanin dhe Shamet Mejdanin rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Konflikti ka ndodhur me efektivë të policisë mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2009. Për këtë ngjarje është arrestuar edhe ish-futbollisti Alban Rexha, i vetëquajtur "ujku", një nga personazhet e njohura të ish-programit reality show “Kafazi i artë".
Treni shtyp bariun e moshuar
TIRANË - Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 15:30 te kthesa e Kasharit, kur treni ka shtypur një të moshuar. Mësohet se viktima është Abdulla Shehu, 72 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas plagëve të rënda që ka pësuar.
Sipas informacioneve, 72-vjeçari ka qenë duke kullotur bagëtinë te shinat e trenit dhe nuk e ka parë trenin që po vinte drejt tij. Ndërkohë mësohet se policia ndodhet në vendngjarje dhe ka shoqëruar makinistin e trenit.
Përplasen kamionët, plagosen dy të rinj
KORÇË - Dy të rinj kanë mbetur të lënduar rëndë gjatë një aksidenti në aksin rrugor Korçë-Pogradec. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Vloçisht kur një kamion pa targa dhe i ngarkuar me lëndë drusore është përplasur me një kamionçinë që transportonte perime. Për pasojë janë plagosur rëndë Redion Qose dhe Besnik Myrtollari, të cilët janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës. Ndërsa drejtuesi i kamionit, pas aksidentit, ka shkarkuar drutë nga mjeti dhe është larguar në drejtim të paditur. Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.
11 Qershor 2010