ILO: “Të marr fund shfrytëzimi i tyre deri në vitin 2016”
Organizata Ndërkombëtare e Punës ka apeluar dje që puna e fëmijëve në çdo skaj të botës duhet të marrë fund deri në vitin 2016. Ditën e djeshme, në kuadër të Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, Organizata Ndërkombëtare e Punës në Gjenevë (ILO) ka bërë një deklaratë publike, përsa i përket shfrytëzimit të fëmijëve në punë, fenomen që ndeshet në të gjitha vendet e botës. Apeli i shpallur nga ILO është: “Bëj gol: Jepi fund punës së fëmijëve”. Ashtu siç futbolli çeli dje Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), në të njëjtën ditë, shënon Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, me një apel urgjent: “Bëj gol: Jepi fund punës së fëmijëve”, duke bërë thirrje për vëmendje të veçantë, e cila synon eliminimin, deri në vitin 2016, të të gjitha formave më të këqija të punës së fëmijëve. Me rastin e Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, Ministria e Punës, zyra e ILO-IPEC (Organizata Ndërkombëtare e Punës-Projekti Kundër Punës së Fëmijëve) në Shqipëri, sindikatat e arsimit, do të organizojnë takimin e nivelit të lartë për eliminimin e punës së fëmijëve. Në këtë takim, ministrat Ksera dhe Tafaj, do të raportojnë rreth punës që institucionet e tyre po bëjnë, masat që po ndërmarrin, rezultatet e arritura për eliminimin e punës së fëmijëve dhe ofrimin e mundësive për të gjithë fëmijët për arsimim. Po ashtu, në takim do të prezantohen hapat konkrete që do të ndërmerren nga institucionet për zbatimin e Udhërryesit shqiptar, i cili do të miratohet në këtë takim. Marrëveshja mbi Udhërrëfyesin erdhi si një paralajmërim i gjetjeve të raportit të tretë global të ILO-s mbi punën e fëmijëve, i cili fushatën botërore kundër punës së fëmijëve e konsideron në një pikë kritike. Raporti tregon se përpjekjet globale për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijës e kanë humbur vrullin dhe paralajmëron se, nëse ato nuk shënojnë arritje mbresëlënës, objektivi i 2016-s nuk do të arrihet.
11 Qershor 2010