E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë ditë pas denoncimit, gjendet 12-vjeçarja e zhdukur, ishte larguar me dëshirë



DURRËS - Është gjetur vajza e zhdukur disa ditë më parë me inicialet A. B., 12 vjeçe, ndërkohë që në pranga ka rënë një 18-vjeçar, pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se efektivët e Drejtorisë së Policisë Durrës kanë mundur të përcaktojnë vendndodhjen e vajzës së mitur me inicialet A. B., e shpallur si e larguar nga banesa. Policia tha se pas disa ditë kërkimesh bënë të mundur gjetjen e saj dhe ndalimin e një 18-vjeçari me të cilin ajo kishte qëndruar gjatë kësaj periudhe. Ardian Ferra është ndaluar nga policia për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Policia tha se “në orën 16:00 është bërë ndalimi i Ardian Ferrës, 18 vjeç, nga Durrësi dhe banues në Lagjen Nr. 17, punëtor, gjendja familjare beqar, i padënuar më parë”. Ndalimi i 18-vjeçarit është bërë për arsye se, bazuar në deklarimet e shtetases A. B., 12 vjeçe, rezulton se nga data 4 qershor 2010 deri më datë 10 qershor 2010, ky person ka kryer marrëdhëenie seksuale me dëshirë me shtetasen A. B., në banesën e tij. Denoncimi për zhdukjen e vajzës së mitur, është bërë nga i vëllai, 22-vjeçari me inicialet H. B. Ai, më datë 5 qershor 2010 ka bërë kallëzim penal për largimin e saj nga banesa. Një ditë pas zhdukjes së saj ndërroi jetë dhe babai i së miturës, i cili kishte dalë në kërkim të së bijës. Ai u përplas nga një makinë në mesnatën e datës 5 qershor. Policia tha se dosja me materialet për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur” ndaj Ardian Ferrës i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Banda e Durrësit
Dëshmitarët pyeten për vrasjen e Marsel Sotirit dhe të Erjon Lames

TIRANË - Seanca e radhës për bandën e Durrësit nisi dje disa orë me vonesë për shkak të mungesës së një prej prokurorëve të çështjes. Seanca më pas vijoi me dëshmitë e dy dëshmitarëve, Hajri Jajes dhe Enea Priftit. Dëshmitari i parë ishte roje te Stacioni i Trenit në Durrës dhe ishte thirrur për të dëshmuar mbi atentatin që iu bë Marsel Sotirit në vitin 1998. “Në vitin 1998 kam qenë roje në ndalesë hekurudhe në Rrashbull. Nuk e mbaj mend, ka qenë shtator apo tetor; s’e mbaj mend mirë muajin, po ka qenë ora katër pa çerek pasdite. Në këtë orë kam pasur telefonin në vesh për arsye se më tha ish-drejtoresha e shërbimit qe kemi trenin dhe të mos lëvizja. Në kohën që do të vinte treni në Shkozet do të nisej tjetri nga Sukthi. Kam dëgjuar krisma, por nuk kam dalë jashtë, qenë krisma armësh. Nuk e di se nga cila anë vinin krismat. Kabina ndodhej në qoshe të rrugës kur ikën për Durrës nga Shijaku, në të majtë”, - tregoi dëshmitari duke mos dhënë ndonjë të dhënë konkrete mbi autorët.
Më pas seanca vijoi me dëshminë e Enea Priftit. Ky u pyet mbi vrasjen e Erjon Lames. “Erjon Lamen e kam njohur. Ka vdekur në Durrës, para disa vitesh, është goditur me plumba. Ditën e ngjarjes e kam takuar 3 orë përpara. E kam takuar rastësisht Artan Shabanin, ose Ben Çamin, e njoh. Ditën e vrasjes së Lames kam takuar edhe Ben Çamin, e kam shok. Kur e mora vesh isha rrugës nga Tirana për në Durrës. Më morën në telefon, por nuk e mbaj mend se kush qe. Kur e mora vesh shkova në spital. Aty mësova nga të afërmit se ishte vrarë te selia e PD-së”, - tregoi dëshmitari. Seanca u shoqërua me debate mes avokatëve dhe prokurorëve.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›