E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja europiane e Ballkanit

Opinion

Bernard Kouchner*
Franco Frattini

Kanë kaluar 10 vjet që kur në Zagreb, në vitin 2000, pas një dhjetëvjeçari lufte dhe instabiliteti, Bashkimi Europian konfirmoi për herë të parë pa asnjë dyshim rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor. Dhjetë vjet më vonë, me rastin e takimit të 28-të të nivelit të lartë franko-italian, i cili u zhvillua para disa ditësh, rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë në lidhje me këtë perspektivë. Duhet të mbyllim me sukses punimet e filluara në Samitin e Zagrebit. çdo vend i Ballkanit Perëndimor ka vokacionin për të hyrë në Europë, edhe pse, natyrisht, sipas meritave të gjithsecilit dhe përmes një procesi rigoroz reformash të brendshme. Një gjë e tillë është e vlefshme për paqen dhe stabilitetin tonë, por mbi të gjitha për paqen dhe stabilitetin e brezave që do të vijnë. Viti 2010 mund të përfaqësojë një vit vendimtar për vendet e Ballkanit Perëndimor nëse ne do të mund të japim një shtysë të re dhe të përtërirë për të tejkaluar problemet e vërteta që ende rëndojnë: indiferenca dhe neglizhenca. Dëshirojmë të forcojmë veprimin tonë të përbashkët në këtë rajon kaq pranë, pikërisht sepse besojmë se Europa ka nevojë për Ballkanin dhe se Ballkani ka nevojë për Europën.

Për të shkuar përpara është e domosdoshme mbi të gjitha të çojmë përpara çështjen europiane. Ky veprim nuk mund të shfuqizojë një politikë për vizat. Në një periudhë afatshkurtër, shpresojmë se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave në hapësirën Shengen. Kërkesat teknike sigurisht që duhet të respektohen: por duhet të evitojmë rrënjosjen e bindjes sipas së cilës myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se ata do të pengohen për të përfituar ato masa që tashmë i gëzojnë me të drejtë serbët dhe malazezët që nga fundi i vitit të kaluar. Liria e qarkullimit në BE është themelore për të lejuar popujt e Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtare me titull të plotë të familjes europiane. Progresi i çështjes europiane do të vijë edhe nga avancimi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Negociatat që kemi çuar përpara me Kroacinë janë në fazën e tyre konkluzive. Kandidatura të reja të vendeve të tjera të rajonit janë depozituar së fundmi dhe duhet të shqyrtohen me shpejtësi. Edhe nga ana e vendeve ballkanike duhet të bëhen të njëjtat përpjekje. Ballkani Perëndimor duhet të kthejë faqe: nga një e kaluar e dhimbshme drejt së ardhmes së tyre europiane.

*Artikulli është botuar dje në të përditshmet
“Le Monde” dhe “La Repubblica”
Marrë me shkurtime

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›