E Diel, 1 Nëntor 2026

E ardhmja europiane, garanci për stabilitetin në rajon

31-07-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani takon ish-presidentët Sejdiu dhe Mesiç

Ish-presidentët e Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, Stipe Mesiç, Fatmir Sejdiu dhe Alfred Moisiu u shpallën dje qytetarë nderi të komunës së Shëngjinit

Kreu i shtetit, Bujar Nishani priti dje në takime të veçanta ish presidentët Fatmir Sejdiu dhe Stjepan Mesiç. Në vlerësimin e tij për ish-Presidentin Sejdiu Nishani u shpreh se kontributet për Kosovën janë kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon duke shtuar se personaliteti i zotit Sejdiu është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe të ardhmen e rajonit. Ish-Presidenti Sejdiu e uroi Presidentin Nishani për zgjedhjen në postin e lartë dhe shprehu bindjen se eksperienca politike dhe personaliteti i Tij garantojnë suksesin në mandatin presidencial. Zoti Sejdiu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që të gjitha institucionet shqiptare kanë dhënë për Kosovën në vazhdimësi si “borxh i natyrshëm i njerëzve të një gjaku”.
Kryetari i Shtetit e falenderoi ish-Presidentin Sejdiu për fjalët e tij të ngrohta dhe e inkurajoi që të vazhdojë të mbetet aktiv për të kontribuar me eksperiencën dhe përkushtimin e tij për Kosovën, shqiptarët dhe rajonin tonë.
Ndërkaq në takimin me ish-Presidentin e Kroacisë Stjepan (Stipe) Mesiç, u shkëmbyen mendime mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në lëmin e turizmit, ndërtimit të infrastrukturës, bashkëpunimin rajonal dhe në institucionet ndërkombëtare.
Mesiç vuri në dukje në veçanti se midis dy vendeve dhe popujve ka ndjenja të thella simpatie dhe mbi këtë bazë institucionet e të dyja vendeve duhet të bëjnë më shumë për intensifikimin e marrëdhënieve duke vënë theksin tek ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane.
Dy personalitetet vlerësuan se e ardhmja evropiane është garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe shprehën shqetësimin për rishfaqjen e qëndrimeve të vjetra jashtë tendencave evropiane që burojnë nga reminishencat e të shkuarës.
Presidenti Nishani e uroi ish-Presidentin Mesiç për marrjen e titullit “Qytetar Nderi” i Shëngjinit dhe e vlerësoi një mik të madh të shqiptarëve dhe përkrahës të vendosur të çështjes së Kosovës. 
Ish-presidentët e Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, Stipe Mesiç, Fatmir Sejdiu dhe Alfred Moisiu janë tashmë qytetarë nderi të komunës së Shëngjinit. Akordimi i titujve për tre ish presidentët ballkanas i referohet rolit të tyre në arritjen e paqes, zhvillimit të këtyre tre shteteve dhe promovimit që ata i kanë bërë vendit tonë e kryesisht Shëngjinit në arenën ndërkombëtare. Për ish presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç lufta për kufijtë ka përfunduar, dhe duhet të punohet për të qenë pjesë e bashkësisë evropiane. Ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u shpreh se është një moment i veçantë të jesh qytetar nderi i një krahine të bukur si Shëngjini, dhe besojmë se porti i këtij qyteti do të jetë porti i Kosovës, që së bashku me rrugën e kombit dhe të tjera bashkëpunime mes dy shteteve tona na afrojnë çdo ditë e më shumë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›