Shqipëria në tre vjet ndërtoi 300 km autostradë, sa ç’kanë ndërtuar vendet e Ballkani në 20 vjet
Eurostat e klasifikon vendin tonë në krye të listës së shteteve të rajonit në ndërtimin e autostradave
Shqipëria rezulton të jetë vendi i parë në mesin e shteteve të rajonit në ndërtimin e autostradave. Konkluzioni bëhet i ditur nga Eurostat. Sipas të dhënave të Eurostatit, të përmbledhura nga agjencia turke e lajmeve “Anadolia”, vetëm në tre vitet e fundit shteti shqiptar ka ndërtuar 300 kilometra autostradë.
Kjo shifër, e bën vendin tonë një model të mirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të cilat të marra së bashku, kanë ndërtuar kaq kilometër autostradë në 20 vjet.
Krahasimisht, kjo e dhënë është dyfishi i kilometrave të ndërtuara në Maqedoni që nga pavarësimi i saj. Duke folur me gjuhën e shifrave, mësohet se në Maqedoni janë ndërtuar vetëm 150 kilometra autostradë në 20 vitet e fundit.
Eurostat bën të ditur më tej se Serbia ka ndërtuar 114 kilometra në 7 vitet e fundit, ndërsa Mali i Zi nuk ka arritur të ndërtojë as edhe një kilometër.
Edhe Bosnja e Hercegovina rezulton të ketë ndërtuar shumë pak autostradë dhe kjo është vetëm 71 kilometra në 12 vitet e fundit.
Evidentimi i rritjes së investimeve në Shqipëri, që kanë mundësuar edhe një stabilitet ekonomik, është evidentuar në mënyrë të përsëritur nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.
Vetëm pak ditë më parë “The Economist” shkruante se me përjashtim të kosovarëve dhe shqiptarëve të cilët janë përgjithësisht të rinj dhe më optimistë, shumica e njerëzve në Ballkan ndihen mjaft të mjerueshëm.
Duke bërë një analizë për secilën nga shtetet “The Economist” thoshte se përveç Shqipërisë vendet e tjera si Bosnja, Kroacia , Bullgaria Maqedonia kanë pasur një rritje modeste.
Më herët edhe agjencia e vlerësimit të kreditit të korporatave dhe vendeve sovrane, “Moody’s”, si edhe kompania prestigjioze e vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, “Standard and Poor’s” (S&P), në raportet e tyre vjetore, kanë vlerësuar nivelin e qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare edhe për të ardhmen.
Ndërsa “Moody’s”, ka vlerësuar së fundmi Shqipërinë me gradën “B 1” duke vënë theksin edhe te një pritshmëri të qëndrueshme për të ardhmen e ekonomisë dhe financave publike, “Standard and Poor’s” rikonfirmonte vlerësimin “B +” dhe këndvështrimin e saj afatmesëm si “stabël” për Shqipërinë në raportin e saj vjetor.
Agjencia “Moody’s” nënvizonte se ankorimi i politikave të qeverisë drejt integrimit evropian ka qenë dhe mbetet orientimi më efikas në qëndrueshmërinë ekonomike, ndaj vazhdimësia do të gjenerojë gjithnjë vlerësime pozitive në të ardhmen. “Moody’s” theksonte gjithashtu se, zhvillimet politike dhe institucionale do të japin ndikimin e tyre në shpejtësinë e implementimit të reformave, nxitjes së zhvillimit të shpejtë të ekonomisë e treguesve kryesore të saj.
Vlerësime optimiste bënte edhe “Standard and Poor’s”.
Kompania e vlerësimit të riskut duke analizuar situatën ekonomike të rajonit dhe më gjerë, theksonte se ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria ka demonstruar një rritje të qëndrueshme ekonomike. Agjencia Botërore e vlerësimit, “Standard and Poor’s” parashikon se këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet 1.5 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm, parashikon që kjo rritje të arrijë deri në 3 për qind. Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompania vlerëson veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe për të ulur gradualisht nivelin e borxhit publik.
Rreth dy muaj më parë edhe Banka Botërore mes notave optimiste vërente se Shqipëria do të vazhdojë rritjen ekonomike edhe në vitet e ardhshme. Në raportin e dytë për zhvillimet ekonomike në gjashtë vendet e Europës Juglindore (ku përfshihej, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia), që u prezantua në Tiranë, ekspertët e BB-së, parashikonin një rritje ekonomike për Shqipërinë në nivelin e 1.6 për qind, duke e renditur në vendin e tretë, pas Kosovës dhe Maqedonisë. Për vitin 2013, kjo rritje llogaritej në 2.5 për qind.
Kilometrat e autostradave të ndërtuara nga vendet e Ballkanit
Shqipëria 300 km në 3 vjet
Maqedonia 150 km në 20 vjet
Serbia 114 km në 7 vjet
Bosnje Hercegovina 71 km në 12 vjet
Mali i Zi 0 km në 20 vjet