Ku është kritika letrare?
Vaid HYZOTI
Më kujtohet një karikaturë miqësore e Bujar Kapexhiut, botuar këtu dhe 25 vite më parë në gazetën e atëhershme “Drita”. Titulli ishte kuptimplotë: ”O burra, ta ngulim sa më thell녔. Rreth pemës-laps të letërsisë së kultivuar, mbështilleshin kritikët më në zë të kohës dhe, nga detajet e mjetet e tyre, jepej edhe fizionimia e çdo kritiku. Kështu,bie fjala, me sëpatë të madhe shfaqej Koço Bihiku; me peshqir, i qullosur nga mundimi, ishte Razi Brahimi; me nje krehër në xhep Dalan Shapllo; me një gomë dhe çantë shkolle vraponte Bashkim Kuçuku ; me nje brisk rroje të hollë Xhezair Abazi…Thuajse çdo kritk kishte veçantinë e tij, të cilën lexuesi e haste në shkrimet, vlerësimet për veprat e botuara.
Tanimë që ka kaluar aq kohë nga botimi i asaj karikature, tash kur talenti letrar i popullit tonë ka shpërthyer fuqishëm, në një kohë që veprat e botuara janë edhe më të shumta se buka në dyqane, kur po provohet e shijohet aq thelle demokracia e të shprehurit, kur së shpejti do të nisin revoltat për akademinë suedeze të Nobëlit , e cila duhet të përqëndrojë vëmendjen nga Shqipëria dhe për çdo muaj (si fillim) të shpallë nga një nobelist… pra, në këtë kohë të madhe kur në atdheun tonë të shtrenjtë po provohet se frytet e demokracisë nuk maten me prodhimin e patateve apo parafabrikateve, të fabrikave e kombinateve, por vetëm nga numri I veprave letrare, tani sekush del (sigurisht ndonjë sockomunist në thelb), sekush shkruan: KU ESHTE KRITIKA LETRARE?
Të tilla kërkesa janë krejt anormale, të vjetëruara e jashtë kohës. Pa më thoni: pse u dashka vlerësuar a gjykuar vepra e krijuar nga kritikë profesionistë?! Kush na garanton se një kritik i vetëquajtur i tillë nuk është xheloz ose dashakeq ndaj autorit?! A duhet mbase procedura që kritiku, para se të ulet të shkruajë për një vepër, të betohet se do të mbajë qëndrim të ndershëm? Betimi mund të bëhet para presidentit të republikës, para kryeministrit, para kryetares së parlamentit, para 10 kryetarëve të shoqatave të shkrimtarëve (të vetëshpallura apo jo nga klasa punëtore apo intelegjencia). Betimi duhet bërë edhe para autorëve të veprave, romancierëve, poetëve, dramaturgëve, por kurrë para njerëzve jo seriozë, ku futen humoristët e të tjerë të këtij takëmi. Pas këtij kalvari betimesh (me shpenzimet përkatëse të ngarkohet kritiku dhe shkrimtari), kritiku duhet detyruar me pahir ta lexojë veprën, jo siç ka ndodhur së shumti, kur jepen gjykime pa u lexuar krijimtaria.
Ka dhe një arsye më të fortë, që të shpie në konkluzionin e kotësisë së kritikës letrare. Megjithëse ende kemi pak media të mirëfilltë letrare, kjo nuk përbën shqetësim për për mjaft krijues. Ashtu, me një kthesë të ëmbël, e ashtuquajtura diplomacy letrare ka ditur të depërtojë edhe në gazeta e revista serioze politike. Shkrimtarët e famshëm, nëpërmjet intervistave të shumta, pa shpenzime e padyshim me kompetencë të plotë, përshfaqin saktazi vlerat e larta të krijimtarisë së tyre. Vetëm para pak ditësh, lexova në një të përditshme serioze intervistën e një nobelisti të pashpallur që, në dy vitet e fundit, ka botuar 11500 faqe në prozë, 3873 faqe poezi dhe 34563 publicistikë. Po citoj në ligjëratë të drejtë një fragment: ”Me krijimtarinë time kontemporane është e sigurt që qëndroj mes Tokës dhe Qiellit, pa përfillur ligjin e vjetëruar të Njutonit…” Thomëni, a ka kritikë, a ka Finkelshtajn që ta zbërthejë këtë silogjizëm letrarofilozofik?!..
Me sa thamë e plot arsye të tjera, që mund të shtojë demokratikisht secili, a nuk vijmë në përfundimin se kritika letrare tashmë është e kotë? Do të bënim më mirë ta harronim.
1 Shtator 2008