E Shtunë, 31 Tetor 2026

E braktis i fejuari, ajo e denoncon si të marrë peng

Një vajzë e re ka alarmuar
policinë e kryeqytetit,
duke denoncuar
se të fejuarin e saj e
kishin rrëmbyer dy persona me
një makinë. Menjëherë janë marrë
masat për hetimin e kësaj ngjarjeje
të rëndë, por pas gjetjes së
"të rrëmbyerit", ka rezultuar se ai
ishte larguar me dëshirën e tij, pasi
donte të ndahej nga e fejuara.
Ngjarja është njoftuar dy net më
parë në Tiranë dhe deri paraditen
e djeshme mendohej si
rrëmbim i pastër. Burimet policore
shpjeguan se në orën 02:30, një
vajzë, e cila është prezantuar me
emrin Lola Oruku, 22 vjeçe, ka
telefonuar në sallën operative
dhe ka rrëfyer se dy persona kanë
rrëmbyer të fejuarin e saj, Ardian
Oruku. Vajza e re ka treguar në
telefonatën e saj se jetonte në një
banesë private pranë godinës nr.
22, në Qytetin Studenti. Me t‘u
njoftuar në vendin e ngjarjes
kanë shkuar shërbimet e grupit të
gatshëm në postën e policisë të
Qytetit Studenti, të cilët kanë
marrë kontakt me vajzën e re. Ajo
është shoqëruar në ambientet e
policisë dhe është marrë në pyetje
nga një oficer i policisë gjyqësore.
Sipas denoncimit, ajo ka qenë
duke ndenjur bashkë me të fejuarin
e saj në banesën e marrë me
qira. Më tej ka treguar se kishte pak
kohë që kishte ardhur në Tiranë.
Me të "rrëmbyerin" ishte fejuar
para pak kohësh dhe një javë më
parë kishin nisur të bashkëjetonin.
Sipas 22-vjeçares, lindur dhe
banuese në fshatin Rukaj të Burrelit,
rreth orës 02:30, në banesën
e tyre, kanë ardhur dy persona që
nuk i njihte. Ata kanë marrë të
fejuarin e saj, Ardian R. 22 vjeç
(identiteti i plotë nuk publikohet
për arsye hetimore) dhe me një
makinë janë larguar nga aty.
Në këto kushte, policia ka rrethuar
gjithë zonën dhe ka nisur
kontroll për personat e dyshuar
mbi këtë ngjarje. Por, gjatë gjithë
natës nuk ka dalë në dritë asnjë
fakt i ri. Ndërsa paraditen e
djeshme, patrullat e policisë kanë
mundur të gjejnë personin e denoncuar
si të rrëmbyer dhe e kanë
shoqëruar në ambientet e Drejtorisë
së Policisë së Tiranës. Ai
është marrë në pyetje nga një
oficer i policisë gjyqësore nga seksioni
kundër krimeve seksuale
dhe lirisë së personit, por ka
deklaruar se nuk ishte rrëmbyer. Ai
ka shpjeguar për uniformat blu se
ishte larguar me dëshirën e tij dhe
kishte vendosur që të ndahej me
të fejuarën, sepse nuk e donte
më. Por, sipas policisë, meqë ai
jetonte në të njëjtin fshat me të
fejuarën, kishte vendosur mos t‘i
tregonte për ndarjen. Versioni i
dhënë nga ky person nuk i ka bindur
uniformat blu, kështu që është
urdhëruar edhe shoqërimi i
vajzës denoncuese për të
zbardhur
të vërtetën. Kjo e fundit,
e identifikuar si Eriola D., ka
deklaruar në polici se nuk ishte
në dijeni të një fakti të tillë dhe
se kishte menduar se e kishin
rrëmbyer të fejuarin e saj. Përballë
këtyre dëshmive, policia e
ka pushuar çështjen e rrëmbimit,
megjithëse mbeten ende dyshuese
rrethanat e ngjarjes. Policia
tha se pas sqarimit, materialet
i kaluan prokurorisë për ndjekje
të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›