Sherr mes tregtarësh, masakrohet me thikë
Pronari i minimarketit ka nisur të grindet fillimisht me fjalë me shitësin ambulant, por më pas ata janë përplasur edhe fizikisht, derisa shitësi ka nxjerrë thikën nga brezi dhe e ka qëlluar disa herë, duke i shkaktuar vdekjen
Lushnjë – Sherri mes dy tregtarëve në qytetin e Lushnjës ka përfunduar me gjakderdhje dhe njëri prej tyre ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga thika e tjetrit. Policia ka bërë të mundur ndalimin e autorit të ngjarjes, por ende nuk ka bërë të ditur motivin e saktë të ngjarjes.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur dje pasdreke në qytetin e Lushnjës, kur tregtari Artan Murati dyshohet të jetë qëlluar me thikë nga shitësi ambulant Mustafa Lame. Ka qenë ora rreth 16:30, kur Murati, i cili ka në pronësi dhe menaxhon një minimarket në qendër të qytetit, ka nisur të grindet me shitësin ambulant. Përplasja ka nisur në minimarketin e Muratit dhe sipas burimeve zyrtare të policisë lushnjare, ka qenë për motive të dobëta. Të dy burrat, pasi kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin e madje janë sharë e ofenduar, kanë nisur të përplasen edhe fizikisht. Në sherr e sipër, Lame ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe ka qëlluar disa herë Muratin.
Kalimtarë të rastit dhe tregtarët e tjerë që kanë qëlluar afër në vendngjarje kanë njoftuar policinë dhe janë përpjekur të dërgojnë me shpejtësi të plagosurin në spital. Por për tregtarin ka qenë e kotë ndërhyrja mjekësore, pasi ai ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pasi u godit me thikë.
Hetimet
Policia e Lushnjës, e sinjalizuar për ngjarjen, mbërriti në vendngjarje pak minuta pas krimit dhe nisi menjëherë hetimet. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili rezulton të jetë Mustafa Lame. Ai është arrestuar nga uniformat blu dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Lushnjës. Ndërkohë, të njëjtat burime thanë se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi shkaqet e kësaj vrasjeje. Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas ngjarjes është duke ndjekur si pista kryesore atë të grindjes së çastit për shkaqe banale, por pa lënë pas dore edhe mundësinë që mes të dy tregtarëve të kishte ndonjë llogari të pambyllur prej kohësh.