E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dashura e Klodian Saliut: Si e nxora në pritë Marsel Sotirin për bandën e Durrësit



DESHMIA ne gjykate
Kam jetuar në Durrës në vitit 1999. Në shkurt të vitit 1999 kam ikur në Durrës me familjen time, babai, mami, motra, dy fëmijët edhe unë. Vëllai nuk erdhi. Nga Skrapari jemi shpërngulur në Durrës, lart spitalit të qytetit, në një shtëpi private. E kemi marrë me qira. Motra kishte një vajzë rreth 3 vjeç, kurse çuni 2. Burri i motrës është vrarë në vitin 1997.
Unë vetë njëfarë kohe ndenja pa punë, pastaj rastësisht takova një shoqe timen, me origjinë nga Skrapari, e cila quhej E…. U prezantuam, u takuam rastësisht, sepse ajo kishte shtëpinë nga e kisha edhe unë, andej e kisha rrugën. Nuk e dija se me kë shoqërohej. Ne dolëm për të pirë kafe, pasi ajo erdhi nga shtëpia dhe u prezantua me ata të shtëpisë. Dolëm për të pirë kafe te lagjja e saj dhe rastësisht takuam një çun që ajo e njihte mirë dhe që quhej Klodian Saliu. Pasi takuam Klodianin dhe u prezantuam, ai na kërkoi të pinim një kafe. Unë ngaqë nuk e njihja nuk pranova, por ajo më tha që është çun i mirë. Nga aty pastaj kemi ikur për të pirë kafe. Më duket se kemi ikur në Bishtpallë të Durrësit, për të pirë kafe. Kur jemi ulur në një lokal, ka ardhur shoku i tij i quajtur Arben Paja. Shkuam me një “Benz” tip kabriolet të zi. Ishte i Klodian Saliut. Më pas u prezantuam dhe me këtë shokun e tij dhe pimë kafe e bëmë muhabet. Mu prezantua se quhej Klodian Saliu. Ishte çun Spitalle. Mosha e tij ishte tek 23 apo 25 vjeç. Arben Paja, shoku i tij ishte përmetar në origjinë. Kishte kohë që jetonte në Durrës. Edhe ky ishte afërsisht në të njëjtën moshë me Klodin. Kur u kthyem isha unë dhe E… në makinën e Klodianit.
Si vazhduan raportet?
E… vinte shumë shpesh nga shtëpia ime, në atë kohë që Klodiani më kishte takuar mua. Që atë ditë që e takova, E… më fliste vetëm për Klodianin, që ishte çun shumë i mirë. E… donte që unë të njihesha më shumë me Klodianin. Kemi dalë përsëri për kafe me E… dhe Klodianin. Kafet i pinim në një lokal në Bishtpallë, ku shkonim me “Benz”-in e zi. Klodiani nuk bënte biseda për veten dhe vetëm jam trembur njëfarë kohe, sepse ai mbante në makinë një kallash dhe një radio policie. E kam pyetur dhe më ka thënë se ka plot njerëz të këqij në këtë qytet. Nuk shpjegonte se çfarë kishte për jetën e vet. Për sa i përket shokut të tij, Arbenin, e kemi takuar pasi mua më propozoi Klodi dhe kisha një javë pa i dhënë përgjigje. Pasi unë i dhashë përgjigje që do të bëhesha e dashura e tij, që atëherë e takoja çdo ditë Arben Pajën. Në një moment kemi takuar edhe Ilir Xhungën. Kur vajta për në Bishtpallë me E… dhe Klodianin, që unë doja që t’i thosha që jam e dashura e tij, aty ka ardhur edhe Ilir Xhunga që të mbante E… dhe të na linte vetëm mua me Klodianin. Iliri erdhi me të njëjtën makinë që erdhi Arbën Paja, një “Golf”. Klodian Saliu më propozoi një javë pasi e kisha takuar për herë të parë. Ai më tha thjesht dua të lidhem me ty, se më pëlqen si gocë. Pas këtij momenti, raportet e mia me Klodin ishin normale si gjithë raportet në çift. Ai shoqërohej më shumë me Ilir Xhungën. Atë e kishte shokun e tij më të ngushtë. Për çdo gjë i vinte nga pas. Unë nuk dilja nga shtëpia, pasi nuk më lejonin prindërit. Me Klodin, unë takohesha kur dilja për kafe me shoqen time E…. Më pas unë u detyrova dhe i thashë Klodit të më gjente një punë që të dilja ta takoja, pasi ishte dhe më e lirshme. Më gjeti një punë afër varrezave në një rrobaqepësi. Punë fillova një muaj e gjysmë pasi kisha vajtur me shtëpi në Durrës. Aty punonin rreth 300 gra. Klodiani vinte më takonte te puna çdo ditë. Vinte me Ilir Xhungën dhe Arbën Pajën. Raportet mes nesh vijuan normalisht. Shihesha edhe me Arben Pajën, pasi ai kishte një të dashur që ma kishte prezantuar mua, e cila quhej I…. Ilirin dhe Arbenin i kam takuar deri sa kanë vdekur.
Keni dijeni mbi rrethanat e vdekjes së Ilir Xhungës dhe Arben Pajës?
Kisha dalë poshtë nga Vollga. Isha me motrën dhe me fëmijët e saj dhe me një kushërirën time të vogël, që quhet K. Jaho. Kur jemi ngjitur aty afër spitalit, kam parë një makinë “Citroen” që ishte bërë copash. Ishte qëlluar me armë. Kam takuar aty një polic dhe e pyeta ç’kish ndodhur. Ai më tha që janë vrarë dy persona, njëri Ilir Xhunga dhe tjetri Arben Paja. E pyeta për Klodian Saliun dhe nuk më ka kthyer përgjigje. E pyeta, sepse ata që ishin vrarë, Klodiani i kishte shokë të ngushtë. Unë ndalova aty dhe pyeta sepse u tremba, pasi makina ishte bërë copë-copë dhe e dija që atë makinë e kishte Klodiani. Me këtë makinë më kishte marrë Klodi.
U interesuat te Klodiani atë natë për këtë ngjarje?
Jo nuk kontaktova fare atë natë dhe as të nesërmen. Pas dy-tri ditësh jam takuar me Klodin, i cili erdhi dhe më mori te shtëpia. E pyeta nga se erdhi vrasja dhe ai më tha që ka ardhur nga hasmi im, që quhej Marsel Sotiri. Më ka thënë Klodiani se do t’i vras dhe fëmijët në djep, që ka Marsel Sotiri. Aty jam trembur shumë, pasi nuk e mendoja të dëgjoja ato fjalë nga Klodian Saliu, sepse dukej ndryshe dhe u shfaq ndryshe.
Të nesërmen e ditës së ngjarjes ku u vra Xhunga dhe Paja, ç’keni bërë?
Të nesërmen kam qenë në shtëpi dhe vijova jetën normalisht. Pastaj erdhi I…, e dashura e Arben Pajës dhe me kërkesën e saj shkuam në varrimin e Pajës.
Shkuam te shtëpia e tij. E kishte pranë shtëpisë së shoqes sime E…, mbi varrezat. Aty kishte shumë njerëz dhe nuk njoha asnjë. Klodianin aty nuk e pashë, por te varrezat po. Nga shtëpia deri te varrezat ishte 5-10 minuta. Arkivolin e mbajtën shokët e tij. Nuk pashë njerëz të armatosur. Në varrimin e Ilir Xhungës nuk kam qenë fare.
Jeni takuar më me I… pas këtij momenti?
Jam takuar në rrethana normale. Ajo më ka thënë të shkonim në varreza, te varri i të dashurit të saj, Arben Pajës. E kam shoqëruar. Gjatë rrugës kur kam vajtur te varrezat, kam parë një varr që ishte i Artan Sallakut dhe I… më tha që këtë e ka vrarë Klodian Saliu. Nuk i besova fjalët e saj, sepse mu duk e pabesueshme.
Si vijuan raportet tuaja me Klodian Saliun?
Vijuan si mos më keq. Nuk vazhduan siç ishin normale më parë, sepse Klodiani kishte bërë muhabete të tjera për mua e doli ndryshe. Nga ai mësova që unë duhet të ikja në plazh për Marsel Sotirin, që ta nxirrja unë në shteg, që ai ta vriste. Këtë ma tha vetë Klodiani. Këtë ma tha afër shtëpisë së tij, që ishte e pa ndërtuar ende. Aty ai më ka treguar se kush ishte Marsel Sotiri dhe çfarë lidhje kishte Marsel Sotiri me familjen e Klodian Saliut dhe kush kishte vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën. Më tha se duhet të hakmerrem ndaj Marsel Sotirit, sepse më ka vrarë shokët. Ka tentuar, më tha, që të më vrasë edhe mua. Kjo ka ndodhur kur ka qenë i shoqëruar me vëllain e tij, A.Saliun. Ajo kishte ndodhur sapo kishte ardhur nga Italia, te Plepat nuk e mbaj mend, ishin fjalët e tij. Unë në atë kohë nuk e kisha njohur Klodianin.
Biseduat gjë tjetër?
Klodian Saliu kishte bërë plane me vëllezërit e vet ç. dhe A. Saliun, që mua të më çonin në plazh dhe të nxirrja në shteg Marsel Sotirin. Klodiani më ka thënë që unë duhet të ikja në plazh dhe duhet të nxirrja Marselin në shteg, që ai ta vriste. Unë nuk kam pranuar, sepse isha tmerruar nga Klodian Saliu. Ai pastaj më ka kërcënuar mbi familjen time dhe fëmijët e motrës sime. Ai më ka thënë se unë duhet të shkoja në atë vend dhe po të mos shkoja, ai do të më vriste. Më ka çuar në shtëpi. Në atë kohë vinte shpesh në shtëpinë time dhe më thoshte të njëjtat fjalë, që do të më vriste po të mos e bëja këtë gjë. Ai më tha që e kam bërë në plan që të iki me vëllezërit e mi, për të bërë vrasjen e Marselit. Nuk më përmendi emra se me cilët do të shkonte.
Si vazhdoi më tej debati yt me Klodianin?
Ai përditë vinte të më kërcënonte. Më thoshte të shkoja me familjen në plazh, të dukesha familjare, se unë vetëm nuk mund të shkoja. Kam vajtur në shtëpi e tmerruar dhe e frikësuar. Bëra bisedë me motrën time G. Cufen.
çfarë bisede keni bërë me motrën tuaj G.Cufen (Jahon)?
Motrës i thashë që Klodian Saliu më ka kërcënuar me jetën time dhe të familjes, jetën e fëmijëve të saj. Më kishte kërcënuar që unë duhet të shkoja në plazh se s’bën të lidhesha me Marselin. Motra nuk pranoi në asnjë mënyrë për këtë. Klodit i thashë që motra nuk pranoi, por ai më tha: do e bësh se s’bën, se unë do të vras, nuk ke nga të shkosh. Kjo kërkesë zgjati disa kohë, derisa i mbusha mendjen motrës duke i thënë që përpara familjes nuk do të vendosja asnjeri. Ajo u detyrua ta pranonte për hatrin tim. Familja ime nuk ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe që unë isha kërcënuar nga Klodian Saliu. Unë nuk ia bëra prezent prindërve këtë gjë. Vajta i thashë Klodit që vetëm motra ka pranuar, por familja ime nuk di gjë. Më tha që ti do të bësh të pamundurën të marrësh edhe prindërit. Vetëm bërtiste Klodiani dhe më ka gjuajtur me shpullë dy-tri herë dhe më thoshte që do e bësh se s’bën, je e detyruar ta bësh. Duhet të vija se s’bën në plazh që unë të njihesha me Marsel Sotirin dhe t’ia nxirrja në pritë, që Klodi të vriste Marselin.
Familja ime ishte në dijeni të lidhjes sime me Klodianin. I kisha thënë pas vrasjes së Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Babai im nuk donte që unë të kisha lidhje me Klodianin.
A e diskutuat me Klodianin se si do të shkonit në plazh?
Bisedova me të. Ai më ka treguar një fotografi të Marsel Sotirit. Unë nuk e njihja kush ishte. Fotoja ishte bardh e zi. Kishte dalë me dy shokë të tjerë. Marseli ishte me flokë të gjata, me xhup meshini dhe kishte dy shokë anash. Klodiani kishte gjetur një shtëpi në plazh, afër shinave të trenit. Aty do të na çonte neve. Kishte marrë një furgon me qira. Shoferi erdhi poshtë shtëpisë sime, ku jetoja me qira. Unë babait i kam thënë që furgonin e kishim paguar ne. Ata nuk e dinin që ne po shkonim te banesa që na kishte gjetur Klodi. Për plazhin, prindërve u thamë unë dhe motra. Babi nuk pranoi fillimisht, për shkak të problemeve me tensioni, por ia mbushëm mendjen. Ne nuk e dinin se ku ishte banesa, por Klodiani ia kishte treguar shoferit të furgonit. Pagesën e kishte bërë vetë Klodi, por unë nuk dija gjë. Shtëpia ishte pranë shinave të trenit, kur vjen nga unaza e Durrësit.
Hera e fundit që takova Klodin ishte para se të shkonim në atë shtëpi, ka qenë një ditë para në darkë. Ai më tha që të bëja kujdes me hapat e mija, veprimet e mia. Gabimi më i vogël që do të bëja ndaj Marsel Sotirit, që mos t’i thosha atij se më ka futur filani, Klodi do të më vriste të gjithë familjen time, do e shuante. Ai më tha që do të linte persona të tjerë në vëzhgim që të më shikonin mua. Nuk më tha se kush do të më vëzhgonte.
Në ç’mënyrë do ta gjenit Marsel Sotirin?
Pranë vendit ku do të bëja plazhin ishte një lokal që quhej “Pista”. Më kishte shpjeguar Klodi rrugicat që të nxirrnin drejt saj. Në zonën e plazhit ishte një lokal tjetër. Lokali ishte i madh. Me shtëpinë, lokali ishte afër rrugës kryesore. Me makinë nuk bëhet as 10 minuta. Në këmbë bëhej për rreth 15 minuta. Ishte një lokal “Kashta”, që rrinte Marsel Sotiri. Në këto dy lokale do të shkoja unë. Ato dy lokale ishin 5 minuta larg njëra-tjetrit. Më afër shtëpisë ku rrija kisha “Kashtën”. Faktin që Marsel Sotiri frekuentonte këto dy lokale, ma ka thënë Klodian Saliu. Unë do të gjeja Marsel Sotirin me anë të fotografisë, pasi unë nuk e njihja fare se kush ishte. Fotografinë ma tregoi Klodi dhe pastaj e mori prapë me vete.
çfarë bëtë pasi vajtët në shtëpi?
Atë ditë që vajtëm, dolëm pasdite në plazh me familjen. Ndenjëm dy orë. Unë vetë vajta piva një kafe te “Pista”. Familjen e lashë në plazh. Pista ishte 20 metra larg vendit ku bënim ne plazhin. Piva kafe aty me motrën time. Ndenjëm pak e pastaj u kthyem. Të nesërmen vajtëm në plazh në mëngjes herët. Vajtëm po aty, te “Pista”. Ndenjëm ca kohë aty dhe unë me motrën vajtëm te “Pista” të pinim kafe. Pimë kafe, nuk ndenjëm shumë dhe ikëm. Kur kalamajtë kërkuan ujë, unë ika për të blerë një bidon. Aty takoj një djalë nga Skrapari, që e kishte emrin D… shkurt. Pasi mora bidonin me ujë, më flet një person nga prapa dhe thotë, ia paguaj unë bidonin e ujit. Unë nuk e lejova. Pagova lekët dhe ika. Mbasi lë turnin, ky çuni nga Skrapari, D… vjen më takon te vendi ku isha në plazh. Unë e pyeta se kush ishte ai që më ofroi ujin. Ai më tha që quhej Marsel Sotiri. Kur kam parë fotografinë dhe pashë personin që ishte Marsel Sotiri, nuk e njoha fare, sepse ishte ndryshe nga fotografia në realitet. Ishte njëqind për qind ndryshe, se flokët në foto i kishte të gjata, aty i kishte të shkurtra. Në fotografi dukej i shkurtër, në të vërtetë ishte i gjatë.
Si vazhduan raportet tuaja me Marsel Sotirin, pas këtij momenti?
Unë isha shumë e trembur nga Marseli që e njoha. Në fakt, ai më erdhi vetë mua. Nga Klodiani më ishte bërë presion gjatë gjithë kohës. Më pas në orën 12:00 të drekës vajta në shtëpi. Nga aty i them motrës që ishte Marsel Sotiri, që në momentin që ne po flisnim me djalin nga Skrapari. Ajo u tremb, pasi nuk e dinte si do të vente jeta jonë. Pasdite dolëm sërish. Morëm fëmijët dhe
shkuam te “Pista”. Aty ulemi dhe pimë kafe. I njëjti person që kisha parë, edhe në mëngjes i tha kamerierit që na i kishte paguar ai lekët e kafes. Motra ime nuk pranoi. Paguam lekët dhe u çuam për të ikur në shtëpi. Kur nisemi për në shtëpi, ai vjen nga prapa me një makinë “Audi” të kuqe. Na ndalon te rrugica ku ikja për në shtëpi, pa dalë në rrugë kryesore. Aty ndalon dhe bën prezantimin që ishte Marsel Sotiri, 25 vjeç. Ishte me origjinë nga Fieri. Aty më tha që e kishte me mua. Iu prezantova se kush isha unë, motra dhe fëmijët, duke i thënë emrat e vërtetë. Ai na tha të na shoqëronte. Unë i thashë në asnjë mënyrë, se do të ikim vetë në shtëpinë time. Ai më tha që doja të pija një kafe. Unë i thashë për ditën e nesërme, se ishte vonë atë ditë. Isha dhe e frikësuar. Ai më tha që të takohemi te “Pista” dhe orar nuk lamë. Unë i thashë të dalim një herë në plazh nesër, pastaj flasim. U nisëm për në shtëpi në këmbë. Filloi dita e nesërme.
Kishit ndonjë marrëveshje me Klodianin, që do ta mbaje të informuar?
Jo, nuk kisha marrë asnjë raport, sepse Klodiani kishte lënë persona të tjerë për të parë se çfarë lëvizjesh do bëja unë. Mua më ka thënë: ki kujdes se mos bësh gabimin më të vogël, se do të të vras. Nuk e di se kë person kishte lënë Klodi. Të nesërmen vajta për të pirë kafe te “Pista” me motrën. Fëmijët i lashë në plazh me prindërit. Në lokal gjej Marsel Sotirin. Ai erdhi në tavolinën time dhe tha që mund të ulem dhe unë të rri me ju? Nuk kisha si t’i thosha jo dhe ai u ul me ne, me mua dhe motrën time. Bëmë biseda se nga isha, ku jetoja. Marseli më pyeti se në çfarë qyteti rrija. Unë i thashë që jetoja akoma në Skrapar dhe kisha ardhur për plazh nja 15 ditë me familjen time. I thashë kështu, se isha e detyruar se mos bëja ndonjë gabim dhe më vriste, e më kuptonte se kisha ardhur për punët e Klodian Saliut. Bëmë dhe ca biseda familjare me motrën time. Ndenjëm dhe pak kohë dhe ika për të bërë plazh, se ashtu i thashë Marsel Sotirit. Ai më pyet që do të pimë kafe pasdite. Unë i kam thënë që, po do të pimë. Orarin e lamë në orën 17:00 te “Pista”. Më pas filloj plazhin. Futem në det dhe aty vjen Marsel Sotiri me gjithë rroba i veshur, duke bërë muhabet me mua. Bëmë pak muhabet, se erdhi koha që do iknim në shtëpi. Atij i kishin ardhur disa shokë që po e thërrisnin dhe lamë takimin e orës 17:00. Nisemi për në shtëpi për drekë dhe ai vajti te shokët e tij. Vjen pasditja, ora 5:00. Shkojmë prapë te “Pista” dhe aty na priste Marsel Sotiri. Merr makinën dhe na thotë nuk do të pimë kafe këtu, po do pimë në një lokal ku do të çoj unë. Unë isha me motrën dhe dy fëmijët. Vajtëm te lokali me makinë dhe ai lokal ishte lokal “Kashta”. Vajtëm po me atë makinë “Audi” të kuq. Aty te lokal “Kashta” u ulëm për të pirë kafe dhe vjen një shoku i tij. Ai u prezantua si shoku i Marsel Sotirit. Ndenjëm një fare kohë aty dhe Marseli tha që do na përcillte ai për në shtëpi, sepse i thashë unë që vajti shumë vonë dhe duhet të ikim. Hipim në makinë të tij dhe vjen edhe shoku i tij me ne. I biem nga plepat për të vajtur në shtëpinë që unë kisha në plazh. Nuk e futa në rrugicën e shtëpisë time. I thashë të na linte në rrugën kryesore. Nuk e lashë se kisha frikë, se mos kuptonte ndonjë gjë nga unë. Më pas shkojmë në shtëpi. Ai më tha do të takohemi prapë nesër tek i njëjti lokal te Pista. Të nesërmen, unë nuk e pashë atë te “Pista” dhe u bëra merak se mos kishte marrë vesh ndonjë gjë për mua, se kush isha unë në të vërtetë, se mos më kishte futur Klodian Saliu. E tmerruar lashë motrën te plazhi dhe bëra një xhiro afër shtëpisë së tij. Atë ma kishte treguar Marsel Sotiri nga Pista. Marseli ma kishte treguar një ditë përpara. Nga pista ishte larg jo më shumë se 100 metra.
Ndenja duke bërë xhiro dhe po vinte ora që do të iknim për në shtëpi. Në momentin që unë po ikja, ai më pa. U ul poshtë dhe vjen dhe më takon. E pyes se çfarë kishte dhe më tha që ishte për një darkë te shokët dhe kishte ndenjur shumë vonë. Ndenjëm nja 5 minuta, pasi do iknim në shtëpi dhe e lamë për t’u takuar pasdite. Do të takoheshim po te Pista në orën 05:00 të pasdites. Iki për në shtëpi, qetësova dhe motrën. Ajo ishte frikësuar se kishte hall se mos kishte marrë gjë vesh për ne. I thashë që do të ikja ta takoja Marselin në orën 05:00. Vjen pasditja dhe ne dalim me motrën dhe fëmijët e saj. Takojmë Marselin aty dhe ai nuk donte që unë të rija te “Pista” dhe vajtëm në një lokal pak më poshtë se lokali “Kashta”. Tek “Kashta” ishin ca shokë të tij, që nuk donte Marseli që mua të më shihnin. Atje vajtëm me makinën “Audi”.
Rastësisht i kam parë të mbuluar me gazetë një pistoletë Marsel Sotirit, kur ishim në lokal të ulur. Pistoletën e kishte mbi tavolinë. Aty u trembëm dhe motra e pyeti çfarë është kjo. Ai tha që ka njerëz të këqinj këtu në Durrës. Më ka thënë që kjo pistoletë futet dhe në avion dhe nuk duket që ke armë me vete, sepse ishte me pjesë kauçuku. Marseli i thotë motrës time që do të më tregonte mua shtëpinë. Motra ishte e frikësuar dhe nuk donte të më linte, pasi ia bëja dhe unë me shenjë që të mos më linte. Ai i tha që nuk do ta vonoj më shumë se gjysmë ore. Motra u detyrua që të mos binim në sy se për çfarë plani kishim ardhur aty. Për të mos rënë në sy tek Marsel Sotiri kam folur me njerëzit e mi, se gjasme jetoj akoma në Skrapar. Kam folur me celularin e tij. Kam folur me nusen e xhaxhait tim nga Skrapari. Ai besoi që unë isha me tërmend nga Skrapari dhe nuk kisha ardhur me shtëpi në Durrës. Pastaj u nisem për te shtëpia e Marsel Sotirit dhe motra po më priste me kalamajtë në lokal. Vajtëm tek shtëpia që ishte e pandërtuar. Bëmë biseda të thjeshta familjare. Aty ai më propozon, se deri në atë moment nuk më kishte propozuar. Thjeshtë pinim kafe. Unë nuk i ktheva përgjigje, sepse sa vajtëm te shtëpia u vonuam dhe i binte që të iknim te motra, se vajti gati gjysmë ore. Ora ishte 7 e gjysmë maksimumi. Shtëpia e tij pashë që ishte në ndërtim dhe nuk kishte plaçka. Muhabet kemi bërë lart në soletë. Shkallët për të hipur në soletë ishin nga jashtë. Unë e frikësuar se mos më bënte ndonjë gjë, iu luta për të ikur tek motra, se kishim lënë orar. Ai nuk shfaqi agresivitet, por me mënyrën që më kishte thënë Klodi që ishte kriminel ai, unë kisha frikë. Atje u vonuam gati 20-30 minuta. Nga aty kemi ikur dhe kemi vajtur te motra. Ajo ishte e frikësuar dhe kur më pa u qetësua. Po më priste te lokali që e kisha lënë. I thashë atij që jam bërë vonë dhe do të iki në shtëpi. Ai më tha do të çoj unë në shtëpi. Kur nisemi për në shtëpi ai thotë, më dha një defekt makina “Audi”. Unë u tremba.
Mori një shokun e vet në telefon dhe i kërkoi një makinë “BMW” që e kishte po të veten. Vajtëm te pista e plazhit me “Audin” që i kishte dhënë defekt dhe takoi shokun që i dha “BMW”-në dhe ai i la “Audi”-n shokut të vet. Hipim në makinën “BMW” dhe ajo ishte shumë e rëndë. Dyert kur mbylleshin dhe kur hapeshin ishin të rënda. Ngjyra e makinës ishte e zeze. Targat nuk ia pashë, nuk marr vesh fare për tipin e makinës, por dëgjova Marselin që ishte makinë e tillë. Ishte makinë e blinduar, prandaj ishin dyert e rënda. Makinën e ngau Marseli dhe unë hipa përpara. Motra me fëmijët mbrapa. Ora po shkonte 8 e ca e pasdites, ishte errur. Do të na përcillte deri te shtëpia dhe i ramë po të njëjtës rrugë nga plepat, që i binte nga unaza. Vajtëm deri afër shtëpisë. Unë i thashë të na linte te rrugica. Ai tha do t’ju çoj te shtëpia. Nga rruga kryesore është futur te rrugica e shtëpisë sime. E ndaloi makinën në një rrugicë ku ishin dy shtëpi anash. Në atë kohë kur po dilja nga makina, ai tha bëjmë nja 5 minuta muhabet. I tha motrës të na linte vetëm. Motra e frikësuar nuk kishte ç’të bënte dhe ishte e detyruar të na linte 5 minuta vetëm. Ajo priste afër rrugicës së shtëpisë, pa vajtur në shtëpi. Makina që ndaloi ishte gati 30-40 metra larg shtëpisë time. Ndenjëm rreth 5 minuta duke bërë muhabet. Unë i thashë se u bë vonë dhe ai më tha që do të më përcillte. Unë dola nga makina dhe ai hapi derën e makinës dhe eci mbrapa meje. Bëmë 2 sekonda muhabet. I thashë natën e mirë, dhe e lamë si gjithmonë të takoheshim ditën e nesërme. Kur më pa motra që unë po vija, ajo iku para meje. Ajo nuk ishte shumë larg makinës, duke më pritur mua. Motra eci përpara, unë mbrapa dhe kur u futa tek porta e shtëpisë kam dëgjuar krismat, ku kishte ndaluar makina e Marsel Sotirit.
Kishte krisma breshëri kallashnikovi. Dëgjova edhe të shtëna pistolete. Unë u shtriva përtokë. Kur mbaruan krismat u futëm në shtëpi, se ishin dhe plazhistë të tjerë. Krismat zgjatën rreth 5 minuta. Babi ishte brenda, kur erdha aty unë ishte mami im në oborr me motrën dhe kalamajtë. Kishte dhe plazhistë të tjerë, tek një bordurë në oborr. Kur dëgjuam krismat të tjerët, ca u shtrinë ca u futën në shtëpi. Kur mbaruan krismat, u futëm në shtëpi. Unë rrija e frikësuar, se nuk dija se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.
Isha e frikësuar se mos Marseli kishte marrë vesh ndonjë gjë. Kisha frikë dhe nga krismat. Dola në banjë që të mos shikoja se mos kishte lëvizje, pasi dritarja e saj shikonte nga kishte makinën Marseli. Nuk pashë lëvizje. Policia erdhi rreth gjysmë ore pas krismave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›