Meta në Organizatën Islamike, miratohet rezoluta për Kosovën
Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar dje një rezolutë ‘Mbi Situatën në Kosovë’, të iniciuar nga Shqipëria. OKI i referohet në dokumentin e saj, deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, dhe përmes kësaj Rezolute evidenton qartë se që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në familjen evropiane. Rezoluta evidenton, gjithashtu, se Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Pas miratimit të Rezolutës, zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta tha se: “Rezoluta ‘Mbi Situatën në Kosovë’, është dëshmi e qartë e mbështetjes së fuqishme të vendeve anëtare të OKI-së ndaj shtetit të ri të Kosovës, të cilët vlerësojnë se Pavarësia e saj ka krijuar një klimë paqësore me ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe ka kontribuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”. Ndërkohë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka përshëndetur miratimin e rezolutës për Kosovën në sesionin e 37-të të Organizatës së Konferencës Islamike, në Dushanbe të Taxhikistanit. “Ministri Hyseni me këtë rast falënderoi të gjitha vendet anëtare të Konferencës Islamike për votën unanime për rezolutën. Në veçanti, ministri Hyseni me këtë rast falënderon diplomacinë shqiptare dhe përgjithësisht institucionet e Republikës së Shqipërisë, për përkrahjen që po i japin Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.