E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanjollët "ndërhyjnë" për shëndetin e nënës e fëmijës

Ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ambasada Spanjolle prezantuan dje projektin "Reforma në shëndetin e nënës dhe fëmijës". Ky projekt do të zbatohet fillimisht në Qarkun e Shkodrës (Shkodër, Pukë, Malësi e madhe), Qarkun e Vlorës (Vlorë, Sarandë, Delvinë) dhe Qarkun e Korçës (Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll). "Reforma në shëndetin e nënës dhe fëmijës" do të zgjasë 36 muaj dhe do të realizohet me mbështetjen financiare të Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zhvillim dhe asistencë teknike të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, asiston teknikisht reformën për kujdesin amtar të të porsalindurit dhe fëmijës. Në fund të 36 muajve, pritet që Ministria e Shëndetësisë të ketë përforcuar aftësisë drejtuese në fushën e kujdesit neonatal dhe fëminor, të ketë rritur kapacitetet për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe eficente në nivelin parësor dhe spitalor. Një rëndësi e veçantë do t‘i kushtohet pakësimit të pabarazive gjinore për shëndetin, si dhe mirëqenien amtare neonatale dhe fëminore.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, u ndal te problemet dhe sfidat në fushën e reformës për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Sipas saj, fushat kryesore të punës së projektit do të jenë asistenca teknike në forcimin e kapaciteteve të ministrisë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, forcimi i kujdesit parësor dhe dytësor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivel rajonal. Asistenca teknike do të ofrohet në përmirësimin e cilësisë të kujdesit të ofruar spitalor për nënën dhe fëmijën, aksesin e barabartë për shërbimet ndaj tyre, adresimin e impaktit të faktorëve social-ekonomikë dhe gjinorë në shëndetin ndaj nënës dhe fëmijës, identifikimin e niveleve të përshtatshme të kujdesit shëndetësor për to në nivel të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, si dhe forcimit të shërbimit shëndetësor në shkolla.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›