E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kinema dhe bibliotekë moderne, "zemra" e re e Laprakës

Një kinema dhe një bibliotekë, të dyja të rikonstruktuara në mënyrë bashkëkohore dhe multifunksionale. Këto janë vetëm një pjesë e planifikimeve për njësinë bashkiake nr.11 në kryeqytet përmes buxhetit të vitit 2009. Sipas drejtuesve të bashkisë, rikonstruksioni i kinemasë "Ylli i kuq" synon të krijojë, jo vetëm një ambient shoqëror, rekreativ dhe argëtues për banorët e njësisë, por parashikon edhe rikuperimin në sensin arkitektonik të një objekti me vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike. Kinemaja do të shndërrohet në një qendër multifunksionale me dhomë arti, interneti, trajtimi profesional. Do të ketë edhe një sallë për kërcim që do të shërbejë për të rinjtë e zonës. Gjatë vitit 2009, në njësinë bashkiake nr.11, janë parashikuar edhe dy kënde "Dua të luaj". Kryebashkiaku Edi Rama u takua dje, me qytetarët e kësaj njësie lidhur me hartimin e buxhetit me pjesëmarrje 2009, në kuadër të dëgjesave publike me komunitetin "Thuaj fjalën tënde". Në këtë takim, u vu theksi në ndërhyrjen që Bashkia e Tiranës ka realizuar në bllokun e Laprakës dhe që sipas kryebashkiakut Rama: "është modeli se si ne do t‘i bëjmë të gjitha blloqet e banimit, në këtë periferi". Ai u shpreh se me bllokun e Laprakës, hapet një kapitull i ri për zonën ku është ndërhyrë prej kohësh e ku po plotësohet infrastruktura me kanalizime, ujësjellës, ndriçim, gjelbërim, (do mbillen rreth 400 pemë), hapësira publike. Rama premtoi edhe rindërtimin e kinemasë së vjetër që do të kthehet në një qendër me shumë funksione për të rejat dhe të rinjtë e Laprakës, me bibliotekën që do të rindërtohet nga e para, me shkollën e re në Laprakë, me shkollën e re te Bregu i Lumit. "Po hyjmë në një fazë tjetër të qytetërimit tonë. Kemi hyrë në rrugët kryesore të blloqeve dhe tani po plotësojmë dalëngadalë, por me ngulm dhe çdo ditë, nevojën për infrastrukturë në çdo bllok, në mënyrë që t‘i japim çdo komuniteti, sado të vogël, mundësinë që të ketë jetë më cilësore", tha Rama. Ai shtoi se "me këtë lloj modeli, të harmonizimit të nevojave për infrastrukturë, siç ndodh në bllokun e Laprakës, me hapësirë publike, me çerdhe, kopsht, shkollë të standardeve evropiane, me gjelbërim, me qendër multifunksionale për të rejat dhe të rinjtë, me bibliotekën e rindërtuar, ne mund të themi se jemi në shekullin e ri, edhe në këtë zonë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›