E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbyesi i autobusit i kishte hapur punë edhe më parë policisë

Patos Uniformat blu e kishin çuar tri herë në psikiatri. Nëna: Jepjani mjekimin me forcë

Autori i rrëmbimit të autobusit të linjës Tiranë-Sarandë njihej prej policisë si person me probleme mendore. Efektivat e Policisë së Patosit, vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit e kanë shoqëruar katër herë drejt spitalit psikiatrik të Vlorës. Drejtues të Postës së Policisë Patos, si dhe të Komisariatit të Policisë Fier tregojnë për gazetën “Shqip” se në raportet e tyre ruhen ende ndërhyrjet e policisë për dërgimin e Rexhepit në qendrat e rehabilitimit psikik. “Tre muaj më parë, Policia e Patosit e ka marrë të riun dhe e ka transportuar drejt psikiatrisë së Vlorës. Kjo ka ardhur pasi familjarët e tij kanë denoncuar dhunën dhe presionin që ushtronte Eduart Rexhepi. Ka pasur edhe raste të tjera, kur ne si polici kemi ndërhyrë”, kanë treguar për gazetën “Shqip” drejtuesit e Postës së Policisë Patos. Madje, edhe inspektorët e krimeve në këtë postë policore, si dhe inspektori i zonës ku jeton 32-vjeçari Rexhepi pohuan të njëjtin fakt. Denoncimet për çekuilibrimin nervor të Eduart Rexhepit, sipas burimeve policore, kanë ardhur jo vetëm nga familjarët, por edhe nga fqinjët, si dhe nga shoqëria e tij. Ka pasur raste kur Rexhepi kërkonte lekë te banorët e qytezës së Patosit, ose ndiqte makinat nga pas, ndërsa ato ishin duke lëvizur. Nëna e tij, Hatixheja, shprehet se i biri ka qenë i fiksuar pas makinave dhe xhamave të tyre. “Që nga koha e aksidentit mbeti si i fiksuar pas makinave dhe xhamave. Edhe ndonjëherë kur dilnim bashkë shikoja që u afrohej makinave të ndalura dhe i qëllonte. Të njëjtat veprime dhune i ushtronte edhe me dyert, muret dhe dritaret e shtëpisë”, tha për “Shqip” Hatixhe Rexhepi. Makinën, nga e cila ndryshoi edhe rrjedhja e jetës së Eduart Rexhepit, familja e mban në oborrin e shtëpisë të mbuluar me mushama. Pas rëndimit të situatës, ditët e fundit familjarët kanë vendosur që ta largojnë këtë rrangallë, me të cilën Eduarti u aksidentua shtatë vjet më parë dhe që atëherë nuk e mori më veten. Ata thonë se tersi ka ardhur pikërisht nga kjo makinë. Pasditen e djeshme, familjarët e rrëmbyesit të autobusit kanë shkuar në Komisariatin e Policisë së Fierit dhe kanë kërkuar që Eduartit t’i jepej mjekim. “Në shtëpi ia hodha ilaçet fshehurazi në ushqim, por në burg le t’ia japin me imponim se ai vetë nuk i pi”, tha nëna. Ndërsa familjarët këmbëngulin që 32-vjeçari të mjekohet, polica është në pritje të kartelës mjekësore të tij për të vendosur më pas nëse do ta mbajë në qeli apo do ta dërgojë në një spital psikiatrik. Mësohet se edhe 24 orë pas ngjarjes, 32-vjeçari nuk ka pranuar të japë detaje. Burime policore tregojnë se ai nuk ka dashur të flasë as me prokurorin e çështjes. Sot pritet që Eduart Rexhepi të dalë përpara gjykatës për masën e sigurisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›