E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vrarë me plumb peshkatari

Policia e konsideroi “mbytje aksidentale”, por mjekësia ligjore zbuloi krimin

Ajo që në fillim u duk si mbytje aksidentale në ujërat e Shkumbinit ka rezultuar të jetë një vrasje. Policia e Elbasanit ka nisur hetimet intensive për të zbardhur vrasjen e veshur me mister të një 50-vjeçari që i përket komunitetit rom. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës, por vetëm të martën familja kërkoi ndihmën e policisë për humbjen pa adresë të tij. Fillimisht, sipas familjarëve, bëhet e ditur se Dilaver Peqini ishte nisur të hënën në mëngjes për të peshkuar në lumin e Shkumbinit, gjë që e bënte shpesh për nevoja ekonomike. Më kot kanë pritur deri të martën në mbrëmje. Kur humbën shpresat, denoncimi në Policinë e Elbasanit është bërë rreth orës 20.00 të natës së martë. Sipas burimeve të afërta me familjen, 50-vjeçari Dilaver Peqini nga lagjja "Beqir Dardha”, rezultonte i zhdukur pa adresë që prej paradites së të hënës. Atë mëngjes ai kishte dalë nga shtëpia dhe ishte nisur për të peshkuar në rrjedhën e lumit Shkumbin në afërsi të fshatit Labinot Fushë, rreth 7 kilometra larg qytetit. 50-vjeçari, sipas të dhënave të grumbulluara nga të afërmit e tij, është parë mesditën e së hënës duke peshkuar dhe sipas familjarëve, zakonisht qëndronte jo më shumë se 4-5 orë në brigjet e Shkumbinit kur dilte për peshkim. Por këtë, të hënën ai nuk është kthyer më dhe kjo ka ngritur dyshimet se ai mund të jetë mbytur aksidentalisht në rrjedhën e lumit, pasi edhe moti ka qenë mjaft i keq dhe rrjedha e Shkumbinit ka qenë jashtëzakonisht e rrëmbyeshme. Të afërmit kanë bërë denoncim në policinë lokale për zhdukjen e Dilaver Peqinit, ndërkohë që uniformat blu kanë nisur kërkimet që në orët e para të së martës, përgjatë gjithë rrjedhës së lumit, por pa rezultat, edhe për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, shtimit të prurjeve të lumit dhe ujit të turbullt. Për këtë shkak, policia e shpalli person në kërkim Peqinin, përderisa nuk u bë e mundur asnjë adresë në drejtim të lëvizjes së të tij. Por dje, rreth orës 10.00 të mëngjesit u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të Dilaver Peqinit. Policia konfirmoi se trupi u gjet afër pikës turistike të Byshekut, rreth 4 kilometra në dalje të qytetit të Elbasanit dhe po aq larg vendit ku viktima ishte parë për herë të fundit. Fillimisht policia e ka trajtuar ngjarjen si vdekje aksidentale, por për procedurë trupi i pajetë është dërguar në morg për të përcaktuar me provë shkencore shkakun e vdekjes. Ishin ekspertët e mjekësisë ligjore ata që dalluan një vrimë plumbi në kraharorin e 50-vjeçarit dhe e klasifikuan vdekjen si vrasje me armë zjarri. Sejfulla Metko, shefi i Komisariatit të Policisë se Elbasanit, tha dje pasdite se “plaga e 50-vjeçarit ishte shumë pranë zemrës dhe ka rezultuar se ishte shkaktuar nga një plumb”. Pas këtij fakti të papritur, policia është detyruar të rinisë hetimet në një këndvështrim tjetër për Peqinin. Metko ka deklaruar se “tashmë në vendin e ngjarjes janë nisur uniformat blu dhe specialistë të kriminalistikës, për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e vrasjes së mundshme të peshkatarit”. Hetimet ende nuk kanë nxjerrë shkaqet e vrasjes, ndërkohë që mësohet se familja e tij nuk kishte konflikte me fqinjët apo me persona problematikë në këtë lagje. Mësohet se janë marrë në pyetje edhe personat që mund të kenë qenë për peshkim bashkë me viktimën, ndërkohë që hetuesit nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e vetëvrasjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›