E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset nga burgu në Lezhë, kapet në Tiranë

I dënuari për grabitje me armë, Spartak Alia 24 vjeç, kishte marrë leje nga burgu për tri ditë. U kap te të afërmit

Kishte mashtruar eprorët e Burgut të Shënkollit në Lezhë për t’i dhënë leje, me pretekstin se do të kthehej prapë, por pas ikjes nuk ishte kthyer më. Bëhet fjalë për Spartak Alinë, i cili është dënuar për grabitje me armë dhe është arrestuar ditën e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim që pas moskthimit në qeli për të vuajtur edhe një vit e gjysmë burg që i kishte mbetur nga dënimi. 24-vjeçari është kapur mesnatën e djeshme në një banesë në Tiranë, pas një operacioni të zhvilluar nga forcat e policisë kryeqytetase. Burimet policore bënë të ditur se ishte marrë informacion në bashkëpunim edhe me Policinë e Lezhës, se Spartak Alia, 24 vjeç, fshihej te disa të afërm në Tiranë. Menjëherë është organizuar puna për gjetjen e tij, duke identifikuar banesën në rrugën “Bardhyl”. Në mesnatë është bërë ndërhyrja dhe është arrestuar i riu, i cili është dërguar sërish për në burgun e Shënkollit. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se për sjellje të mirë, autoritetet e këtij burgu i kishin dhënë leje për tri ditë që të shkonte pranë familjes. Duke thyer afatin e dhënë, ai është larguar dhe nuk është kthyer më në qeli. Për këtë arsye është kërkuar ndihma e policisë dhe është shpallur në kërkim. Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, atij i kanë mbetur edhe 18 vjet burg për të mbaruar dënimin, por do t’i shtohet edhe arratisja nga burgu. Në dosjen e tij deklarohet se në vitin 2006, ai, në bashkëpunim me një vajzë dhe një djalë tjetër të ri, kanë grabitur me armë një taksist. Sipas të dhënave, Silvi Bajrami, 21 vjeçe nga Tirana, dënuar më parë për falsifikim, Spartak Alia, 21 vjeç nga Shkodra, dënuar më parë për vjedhje dhe vrasje të mbetur në tentativë, si dhe 17-vjeçari nga Tirana, Imer Huti, më 18 tetor të vitit 2006, rreth orës 16.00 marrin 62-vjeçarin Llazi Balluci për taksist dhe në periferi të Tiranës, me një thikë e litar lidhin viktimën e tyre. Më pas i grabisin “Benzin” dhe zhduken për të rënë në pranga një ditë më vonë, pasi mjeti u gjet i braktisur në qytetin e Lezhës. Kjo vjedhje ka ndodhur në afërsi të një karburanti në fshatin Farkë në Tiranë, ndërsa nga puna hetimore e bërë dhe në sajë të shkëmbimit në kohë të informacioneve u mundësua bllokimi i këtij automjeti në qytetin e Lezhës, si dhe kapja e autorëve të dyshuar të kësaj grabitje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›