Ish-prefekti: Për tim bir të zbatohet ligji
Reagimi
Djali pranon se e ka dhunuar një herë ish të dashurën
Ish-prefekti i Fierit, Rauf Troka, thotë se ka dijeni për konfliktin e djalit me ish të dashurën, por mohon kategorikisht ndërhyrjen e tij pranë autoriteteve policore për të mbyllur çështjen. “Për asnjë moment nuk kam shfrytëzuar pozitën time në favor të çështjes ku është përfshirë djali”, thotë prerë ish-prefekti. Sipas tij, nëse djali është fajtor, ai duhet të përballet me ligjin, si çdo qytetar tjetër. Por Troka thotë se problemi nuk është aq i madh sa e bën vajza e dhunuar, por thjesht një lidhje e dështuar. Vetë djali i akuzuar, Erioni, thotë se është i zhgënjyer nga vajza për të cilën thuri ëndrra për pak kohë. “Vetëm një herë e kam rrahur. Kam bërë gabim, por dhuna erdhi si pasojë e tradhtisë së saj. Nuk e përtypa këtë fakt. Megjithatë, pas mbërritjes në polici të kësaj ngjarjeje, mes meje dhe Ertildës është bërë një marrëveshje që nuk do të përsëriten raste të tilla”, thotë Erion Troka. Ai shton se Ertilda i ka sajuar vetë episodet e mëvonshme të dhunës. “Gjithçka e bën për të diskretituar familjen time. Ajo vajzë mua më do në burg, ndaj arrin t’i bëjë këto veprime duke shkuar në polici dhe duke e bërë publike këtë ngjarje”, thotë Erion Troka.
#