E diela, grabiten tri “Benza”
08/03/2005 Dita e diel ka shënura grabitjen e tri “Benzave” në kryeqytet. Dy nga ngjarjet kanë ndodhur në hapësirën territoriale që ka nën juridiksion Komisariati nr.2, ndërsa tjetra e Komisariatit nr.1. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, shprehen se vjedhja e parë i përket zonës së ish-bllokut. Rreth orës 19.30, parkuar në afërsi të shkollës "11 Janari", u grabit mjeti “Benz” TR 2730 D, pronë e Sokrat Porodinit. Vetëm pak orë më pas, në rrugën "Margarita Tutulani, parkuar para pallatit nr.5, i është vjedhur "Benzi" me targë TR 9947 C, Pëllumb Dakos. Sakaq, gjatë orëve të natës, parkuar në rrugën "Sadik Petrela" u zhduk pa lënë gjurmë mjeti “Benz” furgon TR 1306 F, pronë e firmës "Intergrup". Autovetura ishte në përdorim nga Jonuz Rrokaj. Policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit, i cili parashikohet nga neni 134 i Kodit Penal.