E Diel, 1 Nëntor 2026

Ponte kërkon bashkëpunimin e Kroacisë me Hagën

08/03/2005  Kroacia nuk po bën aq sa duhet për të gjetur gjeneralin e arratisur, të akuzuar për krime lufte, Ante Gotovina dhe e ka ndihmuar atë t'i shpëtojë kapjes, deklaroi dje kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte. Liderët e Bashkimit Evropian i bënë të ditur kohët e fundit Kroacisë se bisedimet e saj të anëtarësimit nuk do të nisnin më 17 mars, siç ishte planifikuar, në rast se Kroacia nuk do të arrestonte dhe të dorëzonte deri në atë kohë në Hagë gjeneralin e arratisur Gotovina, i konsideruar nga shumë kroatë si një hero i luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1991-1995. "Ne e dimë se ata nuk po bëjnë gjithçka që është e mundur. Ne e provuam këtë. Ata nuk janë të gatshëm ta arrestojnë atë, ka të ngjarë, për shkak të një motivi politik", deklaroi Del Ponte. Megjithatë, BE-ja bashkëpunimin e Kroacisë me Hagën e ka cilësuar si pikën kyçe të shkuarjes drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për këtë çështje janë intensifikuar dhe takimet mes palëve. Ndërsa dhe në draftin e deklaruar një muaj më parë për politikën që do të ndjekë BE ndaj Ballkanit, bashkëpunimi me gjykatën e Hagës është cilësuar elementi më bazë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›