E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çohu” dhe kujtesa jonë...

“Çohu” është një folje e mënyrës urdhërore, që në gjuhën shqipe ka një definicion pa asnjë alternativë tjetër, vetëm asaj, që të ngrihesh në këmbë, në do apo nuk do dhe detyrimisht të shkosh atje ku të thonë, pavarësisht në do apo nuk do, të bësh atë që të thonë në do apo nuk do etj.

“Çohu” është një folje në mënyrën urdhërore, që tutori i thotë skllaves së tij të shkojë në punën e pistë dhe të paguar, për të dalë në trotuar që të kapë sa të jetë e mundur klientë, për të pasuruar atë njeri të mbrapshtë, pa humanitet dhe pa cilësitë sociale, të një njeriu që nuk i shërben dhe që është i padobishëm për shoqërinë, të atij njeriu që nuk di se ç’është dinjiteti njerëzor, qoftë kur ai është në nivelin e lartë të shoqërisë, qoftë kur ai është njeriu i thjeshtë i saj.

“Çohu” është folja e pushtetit më fyes, më poshtërues, “folja” më e dhunshme dhe me kujtesën më të dhimbshme për dhunën dhe dhimbjen që u shkaktoi jo pak shqiptarëve autoriteti i partisë mbi njerëzit gjatë gjithë kohës së diktaturës dhe totalitarizmit, në të gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e vet, e cila si në asnjë kohë të vjetër nuk kishte krijuar mekanizmat makabër dhe barbarë, kur shteti hante njerëzit e vet.

“Çohu” është folja urdhërore, e cila mbart mbi shpinë pushtetin fyes dhe vrasës të kohës së diktaturës, e cila mbart në kujtesën e shumë shqiptarëve, të cilët e dëgjonin dhe vepronte pa kohë dhe limit në të gjitha burgjet e diktaturës dhe kur i niste në punë (pa përfillur në ishte e mundur apo jo), dhe kur i niste drejt litarit dhe plumbit, dhe kur i niste drejt varrit të hapur, për t’u varrosur të gjallë.

Në asnjë kohë të shqiptarëve folja “çohu”, nuk ka pasur atë që predikon folja, pas të cilës “vrapojnë” dhe harliset një kryetar partie, si E. Rama, tre këngëtarë të talentuar dhe turmat e ca socialistëve të ndershëm, të cilët aspirojnë kauzën socialiste si një mundësi për zhvillimin e Shqipërisë dhe progresin shqiptar. Është folja (semantika) më bolshevike dhe poshtëruese, brenda të cilës lëviz lirshëm koncepti diktatorial i urdhrit dhe i shfrytëzimit, koncepti dhe polisemantika e dhunës në të gjitha format dhe prerjet e saj kohore. Pa më të voglin dyshim folja “çohu” i informon shqiptarët se ç’fsheh brenda vetes “kampioni” i mbështjellë si një bohçe me “patriotizmin” socialist.

Fjalët, nyjëtimet dhe emblemat në fjalorin politik dhe definicionet e kësaj natyre janë si armët e fshehura. Janë si minat e vjetra, të cilat shpërthejnë kur ato i shkelin krijesat më të mira, më me pa djallëzi dhe më të ndershme në jetën njerëzore, fëmijët. Ata, për shkakun e pabesisë së vet shpërthejnë në ditët më të gëzuara të njerëzimit, që janë ditë të shkujdesura dhe më të lumtura. Ata, për shkakun e pritshmërisë dhe të ligësisë së vet (ligësia pret si vetë pabesia), shpërthejnë kur nuk presin dhe pa mëshirshëm, ashtu siç është i pamëshirshëm vetë ligësia dhe kurthi i vdekjes.

Pra, “çohu” është një armë e vjetër, një kujtesë dhe një rit i vjetër, një rrugë e vjetër, të cilës ka jo pak kohë që nuk shkelim sinorëve të saj, por ajo është aty, pret siç pret vdekja, këtu pranë nesh. Na e kujtoi i sotmi i atyre të djeshmëve, njeriu që kërkon të jetë në krye të vendit.

Rama pa më të voglin dyshim kërkon të vijë në krye të vendit më të rrënuar dhe të vrarë nga soji i tij, nga zakoni i njerëzve të tij dhe i llojit të tij, me dy armët e vjetra, të cilat ai “guxoi” t’i nxirrte nga muzeu i kujtesës sonë, për fatin e mirë tonin, që ende nuk i janë mbyllur dyert, në një kohë kur shoqëria njerëzore e emblemuar si Rendi i Ri Botëror, po përpiqet t’i bëjë të papranueshme dhe kujtesën diktatoriale të të gjitha vendeve dhe popujve ku ajo veproi dhe u praktikua.

ǒdo të thotë “çohu”!?

Pa më të voglin dyshim kjo ngjan me një armë të vjetër vrasëse. Është arma e sundimit dhe diktatit kolektiv. Është monumentalitet i papërkthyeshëm i diktatit dhe autoritarizmit. Është psikologji e praktikuar e një ideologjie që poshtëron personalitetin njerëzor dhe aftësitë e tij. Është thelbi pervers dhe marrëzor i liderit, të shndërruar dhe konvertuar në egërsi, në sëmundjen e diktaturo-manisë.

“Çohu” duket si parathënia e një libri, ashtu siç njoftohet ç’do të lexohet në atë libër. Shqiptarët e morën njoftimin saktësisht në ditën e parë, kur PS-ja hapi fushatën elektorale. I ndier borxhli, i ndier i detyruar për të kërkuarit ndjesë, Rama guxoi dhe i bëri protagonistë dy njerëzit më të zinj të kujtesës së pluralizmit dhe përmbysjes së sistemit në Shqipëri. Në sheshin ku mijëra studentë, madje e gjithë aspirata e lirisë së shqiptarëve, guxoi të kërkonte dritë dhe diell, i njohur si sheshi “Demokracia” (Qyteti Studenti një shesh demokracie qe atë kohë i gjithi), Edi Rama ngjiti në tribunën e partisë së tij dy njerëz, Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin, të cilët në vitin 2009 u kërkuan shqiptarëve të votohet e majta shqiptare, zgjatimi më i dukshëm, në fëmijë, nipër e mbesa, të njerëzve të zinj të lirisë që kërkuan terror për të mos lejuar pluralizmin politik në Shqipëri. Dy armët e vjetra, dy eksponentët që diktatura në momentet e fundit të jetës së saj, i pushtetoi të vriste lirinë, të vriste atë që s’mund të vritej. Ruçi e Gjinushi ishin dy ministrat e diktaturës, dy “kaubojsit” e Ramiz Alisë, të cilëve iu besua “nderi”, por ditari më i zi i saj.

“Çohu” s’mund të kuptohet ndryshe, veçse si një mutacion i fuqisë së diktaturës dhe dy armët e vjetra, Ruçi dhe Gjinushi, me të cilat Edi Rama guxon t’u thotë shqiptarëve edhe në vitin 2009: “Çohu”. A do ta pranojnë shqiptarët këtë? Është e pamundur që ne të kemi harruar...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›