E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Shqiptarët do të ecin me reformat



Kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli, ka bindjen e plotë se më 28 qershor shqiptarët do të ecin bashkë me reformat e qeverisë së koalicionit të djathtë duke e votuar atë. Partia Agrare Ambientaliste hapi dje fushatën elektorale në Tiranë ku prezantoi dhe programin e saj politik për 4 vitet e ardhshme. Gjatë fjalës së tij, kreu i ambientalistëve, Lufter Xhuveli, theksoi se 28 qershori do të jetë dita kur shqiptarët do të vendosin nëse do të ecin me reformat ose do të bëhen pre e politikave çorientuese. Duke kërkuar votat për një mandat të dytë me demokratët, Lufter Xhuveli tha se imazhi në rritje i jep të drejtën kësaj shumice të kërkojë të jetë edhe 4 vite të tjera në drejtimin e vendit “ditën kur votuesit shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se kush do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, për të vendosur nëse do të vazhdohet të ecet përpara me ritëm të shpejtë në rrugën e reformave, në rrugën e progresit dhe zhvillimit tonë evropian apo do të hallakatemi e zvarritemi në labirintet e përvojave herë të dështuara e herë të dyshimta të një qeverisjeje të cilën shqiptarët e kanë refuzuar tashmë qysh në zgjedhjet e vitit 2005”, - u shpreh z. Xhuveli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›