Kandidimi në BE si vazhdimësi e projektit “Berisha”
Kryeministri Berisha do të dorëzojë sot aplikimin e vendit tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe ky fakt e kjo ditë duhet të përjetohet si një ditë e veçantë për të gjithë ne shqiptarët, në të cilën ne duhet të ndihemi mirë dhe optimistë.
Dorëzimi i aplikimit nuk është bërë pa konsulencën dhe pa miratimin e të zotërve të shtëpisë, që në këtë rast, është vetë Bashkimi Evropian. Miratimi dhe konsulenca me partnerët nga ana tjetër është treguesi më i qartë se përpara procesit të aplikimit për statusin është kryer edhe procesi i vlerësimit dhe shqyrtimit të “CV”-së së atij që aplikon. Pra, qeveria aktuale, gjatë kësaj periudhe është skanuar nga institucionet evropiane. “Guximi” i Kryeministrit tregon se “skaneri evropian” vlerësoi se Shqipëria nuk ka “asete toksike”.
Në këtë këndvështrim, aplikimi për statusin e vendit kandidat në të gjithë simbolikën që përçon, është tregues i suksesit të qeverisë në këtë mandat.
Por dorëzimi i aplikimit nuk është vjelje e suksesit, pavarësisht simbolikës. Me këtë akt Kryeministri Berisha dëshmon vullnetin e tij për të marrë përsipër përgjegjësi dhe këtë e bën në një moment përpara zgjedhjeve. Praktikisht, politikanët e dinë mirë që përgjegjësi të tilla nuk deklarohen në momente zgjedhjesh, prandaj na lind e drejta të mendojmë se Berisha po merr përsipër të sfidojë vetveten, kur fare mirë mund të kënaqte veten dhe shqiptarët me sigurinë që na jep anëtarësimi në NATO, sepse kjo do të thotë se tashmë Berisha, edhe po të pendohet dhe t’i kthehet mendja, nuk do të mundet më të ndalet përpara reformave më të vështira, që janë reforma në drejtësi, shëndetësi dhe edukim.
Kjo do të thotë se tani, në prag të zgjedhjeve, Berisha merr përsipër të vazhdojë të investojë dhe të reformojë në të gjithë sektorët e shtetit, shoqërisë dhe të ekonomisë. Kjo është shumë punë, parë në këndvështrimin “makro” të simbolikës që shoqëron aktin e Kryeministrit tonë në Çeki.
Në një tjetër këndvështrim, paksa më “cinik”, për qytetarët dorëzimi i aplikimit të vendit kandidat do të thotë më tepër liri mendimi, më tepër liri veprimi, më tepër liri edukimi, biznesi, kosto më të ulët produktesh dhe nivel më të lartë jetese, më shumë punë dhe më shumë siguri për fëmijët. Kushdo ka të drejtën të pyesë pse duhet të besoj dhe pse nuk duhet të mendoj se është thjesht retorikë. Mendoj se çdo dyshim është i papërligjur.
Tashmë, për Bashkimin Evropian, të krijuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të tolerohet që në kufijtë e tij të ketë një Ballkan të pasigurt dhe siguria është vendosur. Nuk mund të lejohet që në këtë kohë të globalizimit, Ballkani të izolohet nga Perëndimi dhe anasjelltas.
Në thelb, Bashkimi Evropian nisi dhe u krijua mbi bazat e marrëveshjes së tregtisë së lirë midis pak shteteve. Sot nuk mund të lejohet që shqiptari, kroati, boshnjaku, maqedonasi, serbi të mos jetë pjesë e këtyre marrëveshjeve, sepse nëse do të ndodhë ndryshe, asnjë nga qytetarët e Ballkanit nuk do të ishte klient, nuk do të jetë konsumator, nuk do t’i vilet dhe nuk do të përfitohet nga ideja personale qytetare dhe nga kultura kombëtare.
Në fakt, këto janë parime të përgjithshme që kanë ekzistuar që 60 vjet më parë kur u krijua Bashkimi Evropian, por nuk janë aplikuar për vendin tonë, sepse ne shqiptarët nuk kemi pasur një përfaqësues qeveritar që t’u përmbahej këtyre parimeve dhe kësaj filozofie.
Sot është ndryshe dhe këtë e ka konfirmuar Bektel, Societe Generale, Intesa San Paolo, Komertz Bank, Praktiker, shumë të tjerë që janë vënë në radhë për të investuar nga 2 miliardë dollarë në projekte energjitike dhe disa korporata të tjera që për shkak të konkurrencës nuk duan të konfirmojnë negociatat që po zhvillojnë në Shqipëri. Prandaj, në këndvështrimin e tij “cinik”, çdo qytetar duhet të ndihet i fituar në këtë ditë, sepse ka korporatat kliente të tij dhe është klient i tyre.