Në pranga dy persona, u shisnin drogë gjimnazistëve
Operacioni “Mesnata” / Në banesën e një prej të arrestuarve u gjetën edhe 20 të rinj, të gjithë konsumatorë të drogës
Për ta, shitja e drogës ishte kthyer në një biznes të vërtetë. Përveçse u mundësonin klientëve të tyre çdo lloj substance narkotike, ata kishin arritur që t’u plotësonin atyre të gjitha kushtet, për të marrë “mallin” pa u shqetësuar. Por, pas hetimeve të nisura disa muaj më parë, biznesi i tyre u zbulua dhe në prangat e agjentëve të Antidrogës ranë katër persona. Uniformat blu organizuan operacion e koduar “Mesnata”, ku arrestuan Ivi Begën 36 vjeç, Gledi Mikrezin 26 vjeç, Denis Lekbellon 22 vjeç dhe Ardian Tatin 38 vjeç. Gjatë kontrollit të kryer, sipas burimeve policore, katër të rinjve të ndaluar iu kapën edhe 136 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe 6.4 gr kokainë. Ndërkohë që pas kontrollit të kryer në banesën e njërit prej të arrestuarve, u shoqëruan për në komisariat edhe 15 të rinj, të gjithë përdorues të drogës. Katër të rinjtë u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit. Pas nisjes së hetimeve, agjentët e Antidrogës kishin rënë në gjurmë të aktivitetit të tyre. Klientët e tyre të përhershëm ishin nxënësit e gjimnazeve, të cilët ishin gjithmonë një burim të ardhurash dhe konsumatorë të rregullt të drogave të shitura nga ata. Bega, Mikrezi, Lekbello dhe Tati kishin bazën e tyre në sheshin “Avni Rustemi”, nga ku ata shisnin mallin. Por, sipas burimeve nga policia, ata shkonin edhe në gjimnaze të ndryshme të kryeqytetit, në kërkim të adoleshentëve përdorues. Vëzhgimet e vazhdueshme të punonjësve të policisë në shkollat e cilësuara si problematike në lidhje me këtë fenomen, bënë që të identifikoheshin dy të rinjtë. Por policia vazhdoi hetimet, për të zbuluar edhe më në lidhje me biznesin e tyre. Katër shpërndarësit e drogës, përveçse u gjendeshin “gjithmonë gati” kërkesave të klientëve të tyre, kishin menduar që në këtë biznes fitimprurës t’u ofronin atyre edhe të gjitha kushtet për të përdorur të pabezdisur dhe në rehati të plotë drogat e blera. Vila e një prej të arrestuarve, Ivi Begës, ishte shndërruar në një vendtakim të përdoruesve të drogave, të cilët konsumonin pa u shqetësuar lëndën narkotike. Një ide e tillë duket se i kishte shtuar klientët dy të rinjve, por që ranë më pas nën vëzhgimin e policisë. Agjentët e policisë ndërmorën një operacion të koduar me emrin “Mesnata” në mbrëmjen e së dielës, ku shkuan në vilën e Begës. Brenda ata panë shumë të rinj, të cilët e kishin shndërruar atë në një “bazë konsumimi lëndësh narkotike”. Dy shpërndarësve iu kap edhe një sasi droge e llojit kokainë dhe kanabis sativa e ndarë në doza dhe e bërë gati për t’u shitur. Ndërkohë që në vilë kishte edhe rreth 15 të rinj, konsumatorë të saj. Sipas burimeve nga policia, përgjithësisht ata ishin nxënës të gjimnazeve të shkollave të kryeqytetit. Dy të rinjtë u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.