E drejta ndërkombëtare dhe morali
Gresa Petoshati
E drejta ndërkombëtare dhe morali: Çështje të perspektivës kulturore dhe të ndërveprimit të tyre
Gjatë zhvillimit dhe përhapjes së tyre, sistemet politike primitive përthithin popullsi të ndryshme dhe njëri nga problemet që haset, është përafrimi i koncepteve të ndryshme kulturore përsa i përket ligjit dhe moralit. Sistemi i zhvilluar i të drejtës ndërkombëtare përballet me të njëjtën vështirësi. Shumica e rregullave dhe normave të kësaj të drejte dhe e standardeve të saj morale, të cilat influencojnë sot politikën botërore, janë bazuar mbi konceptet dhe praktikat Perëndimore. Ka një shumëllojshmëri pikëpamjesh mbi të cilat përqasja Perëndimore ndaj ligjit dhe moralit bie ndesh me atë Jo-perëndimore.
Pikëpamja Perëndimore mbi ligjin bazohet mbi principe të menduara për të mbrojtur pushtetin dominant të shteteve perëndimore në bllok. Rregulli përbën një pikë kyçe, por, po ashtu, edhe sovraniteti. Po aq e rëndësishme është edhe teoria mbi pronën, sipas së cilës individët, por edhe shtetet, kanë të drejtë të kenë pronë, apo të akumulojnë pasuri, teori kjo e cila përben bazën e kapitalizmit.
E drejta Perëndimore bazohet fort mbi procesin dhe substancën e së drejtës, sesa mbi vetë të drejtën, Pra, ajo paraqitet si një përmbledhje mbi procedurën gjyqësore dhe mbi çfarë është e drejta, sesa mbi çfarë është e drejtë.
Pikëpamja Jo- Perëndimore
Pikëpamja Jo- Perëndimore mbi të drejtën ndërkombëtare është influencuar nga traditat e ndryshme kulturore të shteteve jo-perëndimore, nga shpallja e pavarësisë së tyre vonë, por edhe nga historia e shfrytëzimit, që shpesh këta popuj kanë vuajtur nën regjimet Perëndimore. Për pasojë, këto shtete (shtete të reja jo-perëndimore dhe përgjithësisht më pak të zhvilluara) mbështeten fort tek sovraniteti dhe kundërshtojnë aspekte të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare, të cilat i quajnë kufizime imperialiste të këtij principi.
Këto shtete këmbëngulin në “mos përzierjen” në punët e brendshme të tyre, duke kundërshtuar gjithashtu peshën e votës, në organizma të tillë si Këshilli i Sigurimit i OKB, Banka Botërore, FMN. Për këto shtete, drejtësia dhe barazia gjenden përmbi substancën dhe procesin e së drejtës, duke e invokuar atë sidomos sa u përket aspekteve të keq-shpërndarjes ekonomike të pasurisë.
Mbi të gjitha, e drejta dhe morali Perëndimor nga ai jo-Perëndimor ndryshojnë konsiderueshëm nga përqasja që i bëhet të drejtave të individit, ndaj atyre të komunitetit. Shtetet Perëndimore do të gjenden gjithnjë në favor të individit, përkundër atyre jo-perëndimore për të cilat e mira e përgjithshme është gjithnjë më e rëndësishme se ajo e individit, duke çuar shpeshherë në abuzimin me të drejtat themelore të njeriut për shkak të theksimit të vlerës së rregullit dhe kontrollit shoqëror mbi individin.
Për shkak të këtyre diferencave ndërmjet kulturave të ndryshme, të vësh në praktikë standarde të së drejtës dhe të moralit me një aplikim ndërkombëtar është e vështirë, për shkak edhe të paragjykimit të konceptit Perëndimor në vetvete, në një kohë kur pushteti i ligjit, mungesa e arbitraritetit, e drejta për ta jetuar jetën dhe për t’i lënë të tjerët të jetojnë janë universale.
Në një botë perfekte, secili prej nesh do të vepronte sipas moralit dhe do t’i bindej ligjit, duke dëshiruar që edhe të tjerët të silleshin njësoj. Për më tepër, gjithçka morale, gjithçka e ligjshme dhe e paligjshme do të ishte e qartë, duke bërë që zgjedhjet tona, në fund të fundit, të bazoheshin mbi të mirën, ose të keqen, sesa mbi të keqen më të madhe dhe mbi të keqen më të vogël. Por, a mundet qëllimi të justifikojë mjetin?
Një rrymë do të ishte ajo që beson se një e keqe mund të justifikohet nëse shërben për një qëllim të mirë, ndërkohë që një tjetër beson se qëllimi nuk e justifikon kurrë mjetin.
Sipas Immanuel Kant, duhet “të bëjmë mirë, edhe nëqoftëse bota do të shuhej”, duke na dhënë kështu shembullin e absolutizmit moral. Megjithëse një pjesë e madhe prej nesh nuk aderojnë në një pozicion kaq absolut, kjo nuk do të thotë se jemi amoralë. Pjesa më e madhe e njerëzve aderojne në moralizmin relativ, duke besuar se veprimet duhet të shpjegohen sipas kontekstit, apo rrethanave.
Një tjetër kundërshti në aplikimin e standardeve morale është bazuar mbi interesin vetjak, duke refuzuar principet “Don Kishoteske” (Don Quixote-eske) të një kavalierizmi romantik, por, në të njëjtën kohë, pa rënë dakord as me neutralitetin. Një rrugë-dalje nga dilema ndërmjet një absolutizmi moral dhe e amoralitetit, është morali i kujdesshëm. Nga kjo perspektivë, një vendim-marrës duhet, së pari, të pyesë nëse një e mirë e mundshme mund të jetë rezultat i një veprimi të caktuar dhe së dyti, nëse e mira peshon më shumë në krahasim me pasojat negative të veprimit. Sipas standardit të parë, ngritja lart e flamurit të principeve, atëherë kur është e pamundur, ose nuk ka gjasa të ndikosh në një situatë të caktuar është Don Kishoteske (Don Quixote-ske). Sipas standardit të dytë, të vesh mbi gjithçka moralin atëherë kur pasojat do të ishin gjerësisht negative, gjithashtu nuk është e kujdesshme, por mos ndërmarrja e një veprimi atëherë kur ndryshimi është i mundshëm dhe atëherë kur e mira tejkalon të keqen, nuk i përgjigjet një sjellje të drejtë.
E ardhmja e së drejtës ndërkombëtare
Bota, shpeshherë anarkike dhe e padrejtë, e bën të thjeshtë largimin nga diskutimi, sipas të cilit marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të udhëhiqen nga standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe moralit, dhe e quan këtë diskutim “idealist” dhe mbase deri diku është e vërtetë. Megjithatë, ritmi i shpejtë i zhvillimit të shteteve dhe popujve ka nevojë për një qeverisje nga rregulla, të cilat të reflektojnë siç duhet një veprim të caktuar. Atëherë për të gjitha arsyet e mundshme pragmatike “ …shumica e çështjeve që përbën shqetësimin trans-nacional, shërbehet më mirë nga përcaktimi i një kuadri ligjor, i cili e bën sjelljen e aktorëve globalë më të parashikueshme dhe siguron kufizimin e faktorëve potenciale apo aktualë të riskut.. (Ratner, 1998”). Tashmë, shkeljet e së drejtës ndërkombëtare pasohen gjithnjë nga kritika në shkallë të gjerë, pra, për rrjedhojë, është i mundshëm zhvillimi i mëtejshëm i saj dhe zgjerimi i fushës së saj të veprimit. Po kështu, do të përparojë edhe diskusi moral duke pasur një impakt më të madh në diskutimin e aktorëve ndërkombëtarë, pra do të ketë patjetër progres.
Autorja është me profesion juriste
19 Qershor 2010