Mori 10 mijë euro, ish-punonjësja e Hipotekës në hetim
TIRANË - Një ish-punonjëse e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë është vënë në hetim nga prokuroria. Bëhet fjalë për shtetasen Vilma Nesturi, 46 vjeçe, banuese në Durrës, aktualisht juriste në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit dhe Transportit Rrugor në Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë ditën e djeshme se Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë dokumentuar veprimin e jashtëligjshëm të një ish-punonjëseje të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, aktualisht në detyrën e juristes në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit dhe Transportit Rrugor, Shkozet, Durrës. Ndaj Vilma Nesturit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Nr. 586 të dy ditëve më parë ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për veprën penale të “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera nga policia rezulton se 46-vjeçarja e vënë në hetim, duke qenë në detyrën e specialistes pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, i ka kërkuar dhe më pas i ka marrë shumën prej 10 mijë eurosh një qytetari për ta pajisur me certifikatën e pronësisë për një pronë në të cilën do të ndërtohej një kompleks banimi, duke përshpejtuar procedurat dhe duke shkelur dispozitat ligjore, të cilat normojnë punën në institucionin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Hetimet kishin nisur pas një denoncimi të ardhur në Policinë e Shtetit. Efektivët blu kanë bërë verifikimet dhe pas disa muaj hetimesh kanë vendosur që ta çojnë në gjykatë këtë çështje. Në bazë të provave të mbledhura gjykata ka vendosur që Vilma Nesturi të vihet nën hetim në gjendje të lirë.
19 Qershor 2010