Sillet nga Italia gruaja që shfrytëzonte si prostituta dy vajza
Artan CENA
TIRANË - Kërkohej për trafikim të femrave me qëllim prostitucionin, sillet në pranga një 37-vjeçare. Policia e Shtetit tha gjatë ditës së djeshme se nga Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Italia për në Shqipëri i Valbona Kazanxhiut, 37 vjeçe, lindur në Fier dhe banuese në Tiranë. Ajo ka qenë e shpallur në kërkim që nga viti 2007, kur ndaj saj dhe një personi tjetër është bërë denoncim. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se ekstradimi është bërë ditën e djeshme, rreth orës 11:30. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Nr. 397/1, datë 18 korrik 2007 ndaj Valbona Kazanxhiut, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Denoncimi ndaj saj ishte bërë nga dy vajza të reja që kanë akuzuar 37-vjeçaren dhe një taksist për shfrytëzim prostitucioni.
Denoncimi
Dy vajza të reja i janë drejtuar Policisë së Tiranës më 4 prill të vitit 2007 dhe kanë denoncuar Valbona Kazanxhiun dhe një taksist. Ata kanë deklaruar se dy personat e mësipërm prej disa kohësh i shfrytëzonin si prostituta, duke iu gjetur klientët. Vajzat me inicialet B. D. dhe E. D., njëra nga Tirana dhe tjetra nga Durrësi, prej disa kohësh ishin marrë dhe detyruar nga e ekstraduara e djeshme që të ushtronin prostitucion. Në denoncimin e tyre vajzat e moshës 19-vjeçare (në kohën e deklarimeve në polici) kanë treguar se dy personat u gjenin klientët dhe ato shisnin trupin e tyre. Në vitin 2007 policia tha se “arrestimi i dy të dyshuarve është bërë pasi në ngarkim të tyre janë grumbulluar prova dhe të dhëna se kanë shfrytëzuar për prostitucion në rrethana rënduese dy vajzat, B. D., 19 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 19 vjeçe, banuese në Tiranë, duke i detyruar për të ushtruar prostitucion kundrejt pagesës 5 mijë deri në 10 mijë lekë për çdo marrëdhënie seksuale që kryenin me klientët që u gjenin këta persona”.
Arrestimi
Vënia në pranga e të dyshuarve është bërë vetëm pak ditë pas denoncimit të bërë nga dy të rejat. Policia e kryeqytetit ndaloi në datën 20 prill një taksist 46-vjeçar dhe Valbona Kazanxhiun, 37 vjeçe, që të dy banues në Tiranë, me akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". B. D. dhe E. D. kanë treguar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë se janë shfrytëzuar gjatë një periudhe dyvjeçare për ushtrimin e prostitucionit nga Valbona Kazanxhi. Kjo e fundit u gjente klientë këtyre dy shtetaseve dhe siguronte transportin e tyre në vendet ku ushtronin prostitucion, duke përdorur një taksi, të cilën e dispononte i pandehuri tjetër. Ekstradimi i 37-vjeçares Kazanxhi është bërë pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën. Arrestimi ishte bërë që në datën 9 shtator 2009.
19 Qershor 2010