Ina Rama në Beograd: “Korrupsioni, sfida e kohës sonë”
TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cilësoi luftën kundër korrupsionit si një sfidë të kohës së sotme gjatë një takimi me drejtues të prokurorive të rajonit në Beograd të Serbisë. E pranishme në konferencën me temë “Luftimi i korrupsionit në Europën Juglindore: Sfidat bashkëkohore", zhvilluar në Beograd, kryeprokurorja Rama shprehu rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si dhe parandalimin e tij. Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se në fjalën e saj, kryeprokurorja Ina Rama u përqendrua në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit sot, rolin e prokurorëve dhe sfidat që përballen. Gjithashtu, ajo përcolli eksperiencën e njësive të përbashkëta hetimore të ngritura së fundi task-force në Shqipëri si një metodë që po funksionon, arritjet dhe sfidat. Sipas prokurores së Përgjithshme, perceptimi i korrupsionit, abuzimi me detyrën dhe krimi financiar vijnë shqetësuese dhe në rritje nga disa drejtime. "Motoja kryesore që udhëheq punën e njësive të përbashkëta është puna në grup dhe fakti që si suksesi, ashtu dhe dështimi, është i të gjithëve bashkë", - tha prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. "Por, vëmendje të veçantë, - u shpreh prokurorja e Përgjithshme, - i kemi kushtuar dhe hetimit të rasteve për veprën penale të pastrimit të parave. Janë arritur rezultate falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë të punës ndërmjet FIU-t, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme". Në fjalën e saj ajo nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, shkëmbimin e eksperiencave në luftën kundër korrupsionit, duke e konsideruar këtë luftë si një sfidë të ditëve që jetojmë.
Digjet nga flakët një banesë pranë Medresesë
TIRANË - Flakët e zjarrit kanë përfshirë dje një banesë në katin e 7-të të një pallati në zonën e Medresesë në Tiranë. Policia dhe zjarrfikëset janë drejtuar sot në mesditë në drejtim të zonës së Medresesë pas sinjalizimit se tymi i madh kishte përfshirë një apartament pallati. Zjarrfikësit e 2 zjarrfikëseve mundën të izolojnë zjarrin që rrezikonte të përfshinte dhe apartamentet e tjera. Dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë lënia ndezur e një pajisjeje elektroshtëpiake. Fatmirësisht në momentin që ka shpërthyer zjarri në banesë nuk kishte njeri. Pritet të hetohet më tepër rreth shkaqeve të zjarrit.
Zjarr në kurorën e pishave shumë pranë qytetit
PUKË - Zjarr shumë pranë qytetit të Pukës. Zjarri ka rënë paraditen e djeshme në kurorën e pishave të këtij qyteti. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, por terreni malor ka sjellë edhe vështirësi për shuarjen e flakëve. Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht, por nuk anashkalohet edhe mundësia e rënies së zjarrit prej temperaturave të larta. Kurora e pishave në Pukë është rrezikuar edhe dy herë të tjera brenda këtij muaji. Ky i djeshmi është zjarri i 3-të dhe sigurisht ka shkaktuar panik te banorët, pasi zjarri ndodhej pranë zonave të banuara. Policia nuk ka ndaluar ende asnjë person.
Kundërshton forcat e policisë, arrestohet 49-vjeçari
KORÇË - Policia e Korçës ka arrestuar mëngjesin e djeshëm një 49-vjeçar pasi ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë pranë kinema “Millenium” në qytetin e Korçës ku 49-vjeçari Adhurim Panariti ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, të cilët ishin në shërbim. Burimet e Policisë së Korçës theksojnë se 49-vjeçari Panariti është arrestuar me akuzën "kundërshtim të punonjësit të policisë" dhe tashmë materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme. Ai është vënë menjëherë pranga dhe është dërguar në qeli.
19 Qershor 2010