Emigrantët, leje qëndrimi në Itali vetëm pas provimit të gjuhës
Artan CENA
ROMË - Për të marrë dokumentin afatgjatë të qëndrimit, kartën e qëndrimit, duhet kapërcyer një provë e lehtë (niveli A2) e gjuhës italiane. Nga dhjetori i ardhshëm, një “pengesë” më shumë për marrjen e kartës së qëndrimit apo atë që sot quhet leje-qëndrim CE për qëndruesit afatgjatë. Parashikohej që me paketën e sigurisë, por vetëm tani ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit kanë vendosur se si do të zhvillohet testi dhe e kanë shkruar të zezë mbi të bardhë në një dekret që të premten e shkuar është botuar edhe në Gazetën Zyrtare. Risia do të hyjë në fuqi në dhjetor, ndaj, kush përmbush të gjitha kushtet për kartën e qëndrimit dhe nuk dëshiron t’i nënshtrohet testit, ta paraqesë sa më parë kërkesën.
Dekreti
Sipas dekretit, testi do të bëhet në prefekturë, mundësisht pikërisht në Sportelin Unik për Imigracionin. Normalisht do të jetë i informatizuar, por mund të kërkohet të bëhet me shkrim, dhe do të konsiderohet provë e kapërcyer nëse merren të paktën 80 pikë ndër 100. Ata që nuk do të kalojnë provën mund ta riprovojnë. Gjithsesi nuk është fjala për ndonjë provë të vështirë, pasi kërkohet të tregohet njohje e italishtes në nivelin A2, që sipas standardit europian korrespondon me pasjen e njohurive mjaft elementare të gjuhës, diçka aspak e vështirë për kë jeton në Itali prej pesë vjetëve, që është edhe kushti bazë për kërkimin e kartës së qëndrimit. Sidoqoftë, testin nuk duhet ta bëjnë të gjithë. Përjashtohen të miturit nën 14 vjeç, kush ka probleme mësim-nxënieje gjuhësore, për moshë, invaliditet apo patologji të certifikuara nga mjeku; apo kush ka në xhep një certifikatë që dëshmon njohje të gjuhës italiane të nivelit A2 a më të lartë; kush ka marrë në Itali diplomën e shkollës tetëvjeçare apo të mesme, apo ndjek universitetin, doktoratën apo një master; drejtuesit e lartë, profesorët, përkthyesit, gazetarët korrespondentë të gazetave të huaja të ardhur në Itali “jashtë kuotave të flukseve”.
Ndryshimi i procedurave
Vendimi i ndryshimit të procedurave erdhi pas marrëveshjes së nënshkruar mes ministrit të Çështjeve Sociale dhe atij të Brendshëm në Itali. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, emigrantët që aplikojnë për leje-qëndrimi duhet të nënshkruajnë një kontratë integrimi. E gjithë procedura parashikohet të zgjasë 2 vjet. Përmes një pyetësori ata do të shprehin njohuritë mbi italishten, njohjen e Kushtetutës. Po kështu do të jetë kusht arsimimi i fëmijëve në të gjitha nivelet e shkollave, si dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore në Itali. Nëse aplikuesi plotëson të gjitha këto kushte, atij i jepen 30 pikë, maksimalja që mundëson edhe marrjen e leje-qëndrimit dhe, nëse emigranti me pas kryen shkelje të tyre, nga totali i 30 pikëshit fillojnë zbritjet sipas gradës së gabimeve. Në rast se për tre vjet aplikuesi nuk përvetëson pyetësorin, atëherë ai dëbohet nga Italia. Por, ndryshimet kanë pasur dhe zëra kundër. Opozita italiane ngriti zërin kundër këtij sistemi duke vënë në dukje se ai është i përshtatshëm vetëm për Kanadanë, apo vende të tjera, ndërsa në Itali është i pamundur pasi afatet për rinovimin e lejeve të qëndrimit janë mjaft të stërgjatura.
Cilët emigrantë mund të marrin nënshtetësinë
Marrja e shtetësisë bëhet pas një periudhe të caktuar, që është e ndryshme për kategori të ndryshme të huajsh. Kështu: për shtetas jokomunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 10-vjeçare; për shtetas komunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 4 vjet; për refugjatë politikë apo të paatdhe, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 5 vjet; për persona në moshë madhore të adoptuar nga shtetas italianë, të paktën 5 vjet nga data e adoptimit. I huaji, të cilit njëri prej prindërve apo njëri nga paraardhësit (deri te stërgjyshërit) ka lindur në Itali, merr shtetësinë italiane nëse në çastin e mbushjes së moshës 18 vjeç është rezident në Itali prej të paktën dy vjetëve. Në këtë rast, ama, duhet të deklarojë para se të mbushë 19 vjeç që dëshiron të bëhet italian. Ndërsa i huaji i lindur në Itali merr shtetësinë nëse ka qenë rezident, pa ndërprerje, deri në mbushjen e moshës madhore (18 vjeç), por edhe në këtë rast duhet të shprehë, para se të mbushë 19 vjeç, vullnetin për t’u bërë shtetas italian.
Koha e qëndrimit për të aplikuar për nënshtetësinë
Konsiderohet legalisht rezident në territorin italian ai që banon aty dhe që ka respektuar gjithnjë normat lidhur me hyrjen dhe qëndrimin në Itali dhe ato të regjistrimit në zyrën e gjendjes civile të komunës. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme të ketë pasur lejen e qëndrimit për të gjithë periudhën e përcaktuar si më lart; ligji parashikon shprehimisht që i huaji të jetë rezident, pra i regjistruar në zyrën e gjendjes civile në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë periudhën, për të pasur të drejtën e paraqitjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë. I interesuari mund të kontrollojë nëse ka apo jo rezidencë të pandërprerë duke kërkuar pranë komunës ku banon certifikatën historike të rezidencës.
Lejet e qëndrimit, në vitin 2008 Italia dha vetëm 6424 të tilla
Autoritetet italiane kanë deklaruar se do të dyfishojnë numrin e lejeve të përhershme të qëndrimit për të gjitha shtetasit e huaj që aplikojnë për këtë dokument. Sipas tyre, pas vitit 2008 autoritet italiane të Ministrisë së Brendshme dhanë gjithsej për shtetasit e huaj 6424 dokumente të tilla. “Këtë vit kemi shtuar në mënyrë të ndjeshme aplikimet për dokumentet e lejeve të qëndrimit, ku në krahasim me vitin e kaluar e kemi rritur nivelin e dhënies së tyre me 100 për qind”, - deklarojnë autoritet e kuesturave italiane. Sipas autoriteteve, 5 vendet e para që kanë dhe nivelin më të lartë të shtetasve të huaj, emigrant në Itali, janë Maroku, Shqipëria, Turqia, Tunizia dhe Ukraina.
Humb jetën në punë emigranti shqiptar
LIVORNO - Një punëtor shqiptar, 38 vjeç, ka humbur jetën në Livorno ndërsa punonte në një kantier të Azimut Benetti-t. Viktima është Dashnor Qalliaj, 38 vjeç, i martuar e baba i dy fëmijëve, që jetonte me familjen e tij në Sestri Levante. Sipas policisë detare, rreth orës 9 të mëngjesit, teksa ndodhej mbi një dok notues të kantierit, ka rënë në ujë dhe është mbytur. 38-vjeçari që nuk dinte të notonte, kish veshur tutën e punës, këpucët e posaçme, kishte në xhepa vegla pune dhe të gjitha këto janë kthyer në rrethana vdekjeprurëse për të, duke e çuar drejt e në fund të detit. Kanë qenë pa rezultat përpjekjet e kolegëve që janë hedhur menjëherë në ujë për ta shpëtuar. Kanë qenë palombarët e zjarrfikësve dhe të Rojës Bregdetare ata që e kanë nxjerrë në breg trupin e pajetë të punëtorit. Në shenjë proteste për vdekjen në punë të kolegut të tyre, të gjithë punonjësit e kantierit detar Azimut Benetti kanë ndërprerë punën. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Cgil Toskanës që ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e të riut, ka përshëndetur grevën e punonjësve të kantierit detar dhe ka shprehur dhimbjen, inatin dhe shqetësimin me fjalët e sekretares krahinore të sindikatës, Daniela Capelli: “Puna është jetë, nuk mund e nuk duhet të vrasë. Gjatë këtyre ditëve, dhimbjes i shtohet edhe shqetësimi për atë çka po ndodh në Parlament, ku për iniciativë të qeverisë dhe të maxhorancës po mendohet të hiqet detyrimi për ndërmarrjet që t’u denoncojë organeve të drejtësisë fatkeqësitë në punë... me rrezikun që, edhe kur të ketë faj e fajtorë, gjykatësit do ta kenë shumë më të vështirë të gjejnë përgjegjësit”.
19 Qershor 2010