Ndërtimet pa leje, objektet në bregdet që rrezikojnë të prishen
Laureta Rryçi
Të gjitha objektet që u ndërtuan në bregdet pas miratimit të Ligjit për Legalizimet do të prishen gjatë ditëve në vazhdim nga Inspektorati i Ndërtimit. Pas mbylljes së afatit të vetëdeklarimit, që ka qenë 24 nëntori i vitit 2006 tani më me të gjitha objektet do të merret Inspektorati i Ndërtimit. Pas tyre është radha e ndërhyrjes mbi shtesat e bëra në kate, anekse a verandave, duke tejkaluar atë që është vetëdeklaruar. Mes tyre ka edhe objekte që ekzistojnë të fotografuara, por pretenduesit e tyre nuk kanë aplikuar dhe nuk janë vetëdeklaruar, për shkak të mungesës së informacionit. Specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit thanë se ata janë të përjashtuar nga kjo fazë prishjesh. Po kështu, konfirmojnë se do të “kursehen” objektet e shërbimit turistik, që janë buzë detit në Ksamil, për shkak se ato janë ngritur me material të lehtësuar dhe janë të çmontueshme në mbyllje të sezonit. Ndërkohë që për të gjitha objektet e munguara në fotografimin satelitor, deklarohet se do të veprohet pa hezitim. Nga verifikimet e bëra në terren konstatohet se jo pak banorë të kësaj zone, kanë ndërtuar pas këtij afati, duke menduar se gjithçka do të legalizohej, pa e ditur se gjithçka që nuk pasqyron fotografimi satelitor, përjashtohet nga legalizimi dhe ato i pret vetëm shembja e sigurt.
Nis prishja
Kësisoj, do të zbatohet edhe këtë vit tradita e Inspektoratit të Ndërtimit për fillimin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në të gjithë bregdetin. Tashmë prej disa ditësh ka nisur në qarkun e Vlorës, fillimi i prishjeve të ndërtimeve a leje në gjithë bregdetin e qarkut, nga Zvërneci e deri në Sarandë, në këtë fillim sezoni turistik. Burime zyrtare nga Inspektorati bëjnë me dije se tashmë janë dërguar pranë çdo ndërtimi pa leje në këtë hapësirë gjeografike plani i prishjeve dhe çdo subjekt është lajmëruar në dy linja për këto prishje, me njoftim zyrtar të shkruar dhe me njoftim dublikatë me gojë nga inspektorët përkatës. Sipas këtyre burimeve, pothuajse të gjithë pronarët e këtyre subjekteve kanë kundërshtuar këto prishje sepse tashmë fillon sezoni veror dhe ata edhe këtë vit kanë investuar në këto subjekte dhe vetëm këta dy muaj janë muajt e fitimeve për të nxjerrë shpenzimet e kryera. Aksioni për pastrimin e ndërtimeve pa leje nga Ksamili, i quajtur “Pastrimi i Rivierës” është vetëm fillimi i një lëvizjeje që do të përshkojë gjithë vijën bregdetare, madje jo vetëm deri në Vlorë, por edhe në zonën e Kavajës, Durrësit e të Gjirit të Lalëzit. Në Qarkun e Vlorës, pas Ksamilit radha i vjen Bërdeneshit dhe pastaj rrethinave të Sarandës; pastaj në Borsh, Ujin e Ftohtë të Vlorës dhe zonën nga porti deri atje ku fillon Pylli i Sodës.
Ndërtimet
Specialistët bëjnë me dije se do të jenë gjithsej 125 ndërtime që do të prishen nga inspektorati i ndërtimit dhe këtu futen që nga kioskat e thjeshta e deri tek investimet disa milionëshe për hotele dy tre katëshe që nuk do të tolerohen por do të prishen. Tashmë është bërë gati e përvitshme kjo praktikë pune nga ky inspektorat që në fillim sezoni fillon prishjet e këtyre ndërtimeve që në shumë raste rindërtohen sapo largohet inspektorati i ndërtimit për të pritur sezonin e ardhshëm për tu riprishur. Këtë vit, ashtu siç bëjnë me dije specialistë nga ky inspektorat janë marrë masa që të mos lejohet rindërtimi i tyre sepse prishja do të jetë totale dhe jo siç ka ndodhur viteve të tjera kur janë prishur vetëm muret anësore. Po ashtu, këto prishje do të kontrollohen herë pas here dhe sapo të vihet re tentativa për ringritje, do të ndërhyhet përsëri për prishje.
Fenomeni i objekteve pa leje, jo vetëm në jug
Por jo vetëm në bregdetin e Jonit vihet re fenomeni i ndërtimeve pa leje në të shumtën e rasteve i gjithë bregdeti shqiptar është pothuajse i mbingarkuar e pothuajse i bllokuar nga ndërtimet shumë katëshe të cilat nuk kanë kryer as rërën e plazhit. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur këto ndërtesa janë vendosur shumë pranë njëra tjetrës e në rastet më flagrante edhe në një afërsi shumë problematike me bregun e detit duke zaptuar në këtë mënyrë edhe rërën për plazhistët. Ky fenomen vihet re më së shumti në zonën e Currilave në Durrës por nuk ka munguar as në liqenin e Pogradecit apo në bregdetin e Voskopojës apo të Shëngjinit.
Objektet që do të prishen sipas ligjit të legalizimeve
Sipas ligjit për legalizimet, përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë rëndë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (psh. Bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastruturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Deklarimet e bëra në bazë të ligjit 9304, datë 23.10.2004, “për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale”, konsiderohen të mirëqena, kur ndërtimet informale të deklaruara kanë evoluar në sipërfaqe dhe vëllim, për shkak të veprimtarive të reja informale, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, subjekti është i detyruar t’i rideklarojë ato nga e para. Mosdeklarimi i shtesave të reja çon në heqjen e të drejtës së legalizimit dhe prishjen e objektit sipas ligjit nr.8408, datë 25.09.1998, “Për Inspektoratin e ndërtimit”. Mosdeklarimi brenda afatit kohor, deklarimi i rremë i ndërtimit dhe i sipërfaqes së zënë, si dhe mosparaqitja e dokumentacionit të plotë tekniko-ligjor, sjell përjashtimin nga procesi i legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve informale dhe prishjen e objektit pa leje, në përputhje me ligjin nr.8408, datë 25.09.1998, “Për Inspektoratin e Ndërtimit”.
Deklarata e Buxhukut pas prishjes të disa objekteve
“Aktualisht, 85% e objekteve që po prishen, janë në formë karabinaje, të pandërtuara plotësisht, pra rrjedhimisht, të pabanuara. Ksamili në vetvete është një kantier ndërtimi, sepse gjysma e qytetit është karabina. Në kuptimin e imazhit, nuk prishet absolutisht fizionomia e qytetit. Sa i përket sezonit turistik, objektet dhe lokalet buzë detit në plazh nuk janë prekur në fazën e punës, pikërisht për të mos prekur infrastrukturën e plazhit. Me këtë pjesë do të merremi në shtator, pas sezonit. Sa i takon Inspektoratit të Ndërtimit, ka që nga viti 2003 që bën prishje në Ksamil, që do të thotë se njerëzit e kanë ditur se nuk duhet të ndërtohet në zonë pa leje. Fakti që policia ndërtimore çdo vit ka zbritur në Ksamil për prishje, do të thotë se ka qenë e gjithë kjo zonë në vëmendjen e shtetit. Veç këtyre që po prishen, janë mbi 220 sheshe të hapura tashmë për zhvillimin e qytetit, dhe po të mos bëhej ky aksion, ato do të ishin mbushur me ndërtime pa leje”.
19 Qershor 2010