E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dua topin e ri

Frank Lampard beson se topi i ri i shumëpërfolur i Adidasit që do të përdoret në Kampionatin botëror 2010 do t’i mundësojë atij të shënojë nga pothuajse çdo pozitë gjatë garës në Afrikën e Jugut.

Topi Jabulani ka zgjuar kritika të shumta – më së tepërmi nga portierët – për shkak të fluturimit të paparashikueshëm, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se është shumë i lehtë dhe ndërron drejtimin në ajër sikur një “top i supermarketit” siç kishte thënë portieri i Kombëtares braziliane, Julio Cesar.

Por, mesfushori anglez, Lampard ka ushtruar goditjet nga distanca me topin e ri gjatë kampit stërvitor në Austri për Kampionatin botëror dhe është optimist se mund të shënojë nga pothuajse çdo distancë për shkak të ndërrimit të drejtimit.

“Topi që do të përdoret në Kampionatin botëror është e vërtetë se lëviz mjaft në ajër. Kam punuar me të në Austri. Ai mund të lëvizë dhe të fluturojë mbi portë. Por, nëse e godisni mirë, edhe nga një distancë e largët, ju keni mundësi të shënoni gol. Edhe nëse nuk arrini të realizoni, ju e vendosni portierin nën presion të madh, sepse do ta ketë të vështirë ta presë topin; do të godasë shpeshherë nga distanca”, tha Lampard për Sky Sports News.

Topi zyrtar i Kampionatit botëror 2010 quhet Jabulani, që në gjuhën zulu do të thotë të festoni, por pak portierë do të festojnë për përdorimin e tij. Portieri i SHBA-së, Marcus Hahnemann ishte i fundit që kritikoi produktin e Adidasit të enjten dhe e quajti “ankth i portierëve”.

Gianluigi Buffon i Italisë ka thënë se Jabulani është i paparashikueshëm, ndërsa braziliani Julio Cesar e krahasoi me topat që mund të blihen në supermarket. Ndërsa, komplet ekipi i Danimarkës është shprehur i pakënaqur me të.

Në ditët e fundit, topi Jabulani ka shkaktuar një debat mes selektorit të Brazilit, Dunga dhe sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke. Valcke ka thënë se Brazili ankohet në top në formë arsyetimi nëse paraqiten dobët në Afrikën e Jugut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›