E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbajnë trajnerët

Me të përfunduar kampionati, thuajse të gjitha klubeve të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll u kanë skaduar kontratat me trajnerët e tyre të deritanishëm.

Megjithatë, ato skuadra duket se nuk preferojnë të bëjnë ndryshime në shtabet e tyre teknike gjatë kësaj vere. Andaj, klubet po mendojnë t’i vazhdojnë kontratat me të njëjtit trajnerë, të paktën edhe për nga një vit.

Njëra ndër ato skuadra është edhe kampioni i ri, Trepça, të cilës i ka skaduar kontrata me trajnerin e saj, Gani Sejdiu.

“Para se të bisedojmë me Ganiun, ne nuk mund të bisedojmë me trajnerë tjerë, sepse ai u shpall kampion me Trepçën. Unë jam optimist se do të arrijmë marrëveshje me Sejdiun për vazhdimin e kontratës”, deklaroi për Express kryetari i këtij klubi, Nexhmedin Haxhiu.

Edhe Lirisë i ka skaduar kontrata me trajnerin e saj, Behajdin Gjinali. Por, drejtori i klubit prizrenas, Hatmi Gashi, i ka thënë Express-it se ai me kolegët e tij do të mundohen ta bindin Gjinalin për ta nënshkruar një kontratë të re.

Po ashtu, edhe Drenica mendon të vazhdojë kontratën me Tahir Lushtakun. Por, ky i fundit i ka thënë Express-it se do të mbetet në Drenicë, vetëm nëse klubi kuq e zi i plotëson tri kërkesa të tij - përmirësimin e gjendjes financiare, transferimin e tre futbollistëve gjatë verës dhe në edicionin e ri të luftojë për ndonjërën prej katër pozitave të para të tabelës.

Edhe Besa dëshiron ta mbajë Genc Hoxhën edhe më tej në krye të shtabit teknik, pasi marrëveshja e deritanishme mes ekipit pejan dhe Hoxhës ka marrë fund me të përfunduar kampionati. Kështu ka pohuar zyrtari i lartë i Besës, Naim Sahiti.

Ndërsa Vëllaznimit do t’i skadojë kontrata me Ajet Shoshollin menjëherë pas ndeshjes finale të Kupës së Kosovës, që zhvillohet të dielën, për të cilin trofe kuqezinjtë do të luftojnë me Lirinë.

Zyrtari i ekipit gjakovar, Ahmet Morina ka thënë se Shosholli ka bërë punë të madhe në këtë skuadër, andaj skuadra e tij është e interesuar që ‘Bacën Ajet’ ta mbajë edhe më tej në skuadër. Sipas Morinës, gjithçka do të qartësohet pas ndeshjes finale të Kupës.

Ndërkohë, Ballkanit – i cili sivjet u ngjit në Superligë nga Liga e Parë – i ka përfunduar kontrata me trajnerin e vet, Adil Vokrri. Por, ky i fundit pohoi se gjatë ditëve të ardhshme do të bisedojë me drejtuesit e klubit rreth mundësisë së vazhdimit të kontratës.

Ferizaj, KEK-u e Hysi, aktualisht pa trajnerë

Me të përfunduar xhiroja e fundit e kampionatit, trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, ka dhënë dorëheqje nga ky post, me ç’rast kjo skuadër mbeti pa trajner. Abazi nuk e ka përjashtuar mundësinë që të rikthehet sërish në këtë klub gjatë kësaj vere, por me kusht që fillimisht Ferizaj të riorganizohet në të gjitha aspektet, si me plan-program, financa, infrastrukturë, etj. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë drejtuesit e klubit bardh e kaltër, atëherë ata do të detyrohen të kërkojnë një trajner tjetër.

Aktualisht pa trajner është edhe KEK-u, të cilit klub i ka skaduar kontrata me Bylbyl Sokolin. Ky i fundit brenda kësaj jave pritet të nënshkruajë kontratë me Hysin, tek i cili ekip aktualisht posti i trajnerit është i zbrazët. Kështu, KEK-u do të kërkojë ta gjejë zëvendësuesin e Sokolit.

Prishtina, Flamurtari e Trepça ‘89 konfirmojnë trajnerët

Drejtuesit e nënkampionit të Kosovës, Prishtinës, kanë konfirmuar se skuadra e tyre edhe në edicionin e ardhshëm do të udhëhiqet nga trajneri i deritanishëm i saj, Ramiz Krasniqi.
“Krasniqi ka qenë i shkëlqyeshëm. Nga fundi i tabelës, ai arriti që Prishtinën ta bëjë nënkampion. Andaj Krasniqi do ta udhëheqë Prishtinën edhe vitin e ardhshëm. Por, unë besoj se Krasniqi në ekipin e parë do të mbetet trajner për shumë vite”, tha për Express nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi.

Ndërsa edhe Jusuf Tortoshi do të mbetet të paktën edhe një vit në Flamurtar. Agim Hasani ka njoftuar se klubi ka kontratë edhe për një vit me Tortoshin. Sipas tij, të dyja palët janë pajtuar për të mos e shkëputur kontratën para kohe.

Në anën tjetër, Trepça ’89 – e cila sivjet u rikthye në Superligë nga Liga e Parë – veç ka arritur marrëveshje të re me trajnerin e saj të deritanishëm, Afrim Tovërlani. Këtë e ka bërë të ditur për Express nënkryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›