E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqet Ylli Pinari: Në burg po shkruaj një libër për Gërdecin

Ish-drejtori i kompanisë shtetërore të
shitblerjeve të armëve, MEICO, Ylli Pinari,
shfaqet për herë të parë në publik,
në një aktivitet sportiv në paraburgimin
e 313-ës në Tiranë. I shoqëruar
nga kunati i Delijorgjit, Dritan Minxolli, të
dy të pandehur për tragjedinë e Gërdecit,
ata kanë shijuar një ndeshje futbolli midis
skuadrës kampione të Shqipërisë, Tirana,
dhe një përzgjedhje të paraburgosurve.
Nuk kishte rëndësi rezultati, pasi motivi
ishte argëtimi i personave që presin çdo
ditë të marrin një dënim. Tifozi VIP në këtë
ndeshje ishte padyshim Ylli Pinari, një nga
ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së
Mbrojtjes. I veshur sportiv, me pantallona
të shkurtra, Ylli Pinari ka qëndruar indiferent
ndaj dhjetëra kamerave që e fokusonin
gjatë ndeshjes. Nuk ka pranuar të japë
asnjë koment apo deklaratë për dosjen
Gërdeci, ku është marrë i pandehur dhe
është arrestuar disa ditë pas shpërthimit
tragjik të 15 marsit 2008. Jashtë kamerave ai
u shpreh për qëndrimin e tij në qeli, si të
gjithë të paraburgosurit e tjerë, me problematika
të njëjta për të gjithë. Pinari tha se
po shkruan një libër për kohën kur ka drejtuar
kompaninë e eksport-importit të
armëve, si dhe për atë që njihet tashmë si
tragjedia e Gërdecit. Pas rrëzimit të regjimit
komunist, Pinari u ul në karrigen e drejtorit
të MEICO-s, të cilën e mbajti edhe gjatë
trazirave të vitit 1997, ku qeveria e djathtë
‘92-‘96 u akuzua nga opozita e atëhershme
për shitje të municioneve të trashëguara
nga regjimi i Enver Hoxhës. Si për çudi, me
një shkëputje të vogël, Pinari qëndroi edhe
gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, ku edhe
gjatë kësaj kohe, Ministria e Mbrojtjes u
akuzua për shitje të armatimeve të vjetra.
Kjo kohë e madhe në krye të MEICO-s, Pinarit
duhet t‘i mjaftojë për të treguar sekretet
e armatimeve shqiptare, të cilat janë
eksportuar në të gjitha vatrat e luftës në të
gjithë botën. Por dje, me një pamje të qetë,
Pinari ka qëndruar në fillim të ndeshjes,
ka parë lojtarët që luajtën dhe më pas
është larguar në qeli së bashku me të akuzuarin
për Gërdecin, Dritan Minxolli, në
pritje të procesit gjyqësor që tashmë është
zhvendosur nga Gjykata e Lartë në
Gjykatën e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›