E falura nga Topi: E lirë për të qarë te varri i djalit
• Prej të shtunës, Bedrie Vejzati ndodhet mes fëmijëve të saj në qytetin e Delvinës.DELVINE/ SHPRESA DINEAjo është më e moshuara mes 31 grave të burgosura që iu fal dënimi me dekret të Presidentit Topi. Nëna 76-vjeçare rrethohet nga përkujdesjet e dy djemve, Vilsonit dhe Agronit, që e pritën te dera e burgut, por edhe të 4 vajzave emigrante, që erdhën enkas nga Greqia. Edhe pse kanë kaluar katër ditë, shtëpia vazhdon të jetë e mbushur me njerëz, të cilët vijnë për t’i uruar asaj kthimin shëndoshë e mirë. Historia e kësaj familjeje të thjeshtë në qytetin e Delvinës mbahet mend akoma. Ajo, e zonja e shtëpisë, qëlloi për të vrarë burrin që i kishte ekzekutuar djalin vite më parë. Dhe ja çfarë tregon vetë e moshuara, e cila u dënua dhjetë vjet. Nga kërkesa në Apel dënimi iu ul në tetë dhe arriti të vuajë për këtë vetëm katër vite burg. Si e ndjetë veten kur futët këmbët në shtëpi e lirë nga burgu?Më në fund jam mes fëmijëve të mi. Jam e lirë më në fund. Sa vura këmbën në shtëpi shkova te varri i djalit, të atij djali që ia mori jetën babai i tij, e jo Zoti. A mund të na thoni se si ka qenë historia që arritët të shkonit në burg? Në 1994, Xhafer Alushi, ish-burri im, i mori jetën djalit duke e çarë me thikë sikur të ishte kafshë, për shkak se ai grindej me komshinjtë për një copë truall pranë shtëpisë sonë. Më vrau djalin 38 vjeç, dy metra burrë dhe s’iu tremb syri. Për këtë ai u arrestua, por çuditërisht edhe pse kishte kryer një vepër të rëndë penale bëri vetëm 20 ditë burg, pasi ai pagoi atëherë miliona që i hoqi nga goja e fëmijëve dhe doli nga burgu. Që pas vrasjes së djalit jeta ime me atë burrë kishte marrë fund, ishte prishur që nga themelet. Pse planifikuat vrasjen e tij?Me kthimin e tij pas disa ditëve burg në shtëpi, kur kishte bërë gjëmën më të madhe duke vrarë djalin e tij, marrëdhëniet tona u përkeqësuan edhe më tepër. Po më bëhej jeta përditë e më e padurueshme. Çdo ditë më shante, më fyente, deri duke më venë në dyshim edhe atësinë e fëmijëve. 10 vjet e lashë të merrte hak Zoti, por nuk durova më dhe një ditë të vitit 2004, e mbushur tepër me urrejtje i drejtova atij armën që e mbaja mënjanë të fshehur që nga 1997-a. E mbaja të mos ma shihte njeri. Po ajo sikur më fliste pothuaj çdo ditë, duke më thënë se diçka duhej të bëja me atë njeri. Dhe një ditë nga ditët e godita, por fatkeqësisht nuk vdiq, pasi plumbi e kapi shkarazi te bërryli. Për këtë fillimisht më futën në arrest shtëpie e pastaj më çuan në qelitë e Burgut 325 në Tiranë. Si e keni kaluar jetën në burg?Kalova në këtë burg katër vjet. Nuk do t’i harroj ato vite. Me drejtuesit e burgut kam kaluar mirë, por me të burgosurat ama mos m’i kujto ditët me to se më rrëqethet trupi. Qaja çdo ditë e orë dhe nuk gënjej nëse them që me lotët e mia kam vaditur lulet e burgut. E kisha humbur shpresën dhe me lotët e mi rriteshin lulet e burgut. Doja të mos vdisja pa i parë edhe një herë për së gjalli djemtë e vajzat dhe të fërkoja pllakën e varrit të djalit të vrarë nga dora e burrit.E kishe menduar se mund të të faleshin vite burgu?Nuk e kam besuar faljen, nuk e kam besuar këtë ditë, pasi për vite me radhë i jam drejtuar Presidentit Moisiu e Topi me dhjetëra letra dhe më është dukur se ato shkonin kot. Por ja më në fund.