E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkaqen 5 m në brigjet e Karaburunit

• VLORE – Një peshkaqen me peshë 500 kilogramë ka rënë në rrjetat e peshkatarëve vetëm 50 metra larg bregut të Karaburunit.Peshkatarët e anijes “Centarium 2”, kanë qenë duke ngritur rrjetën në vendin e quajtur Kepi i Gjuzës, kur kanë vënë re praninë e kafshës së detit, i cili arrinte një gjatësi prej 5 metrash. Për ta ngritur atë në bashin e anijes është nevojitur forca 15 anëtarëve të ekuipazhit. Mësohet se peshkaqeni është kapur tre ditë më parë, por sjellja e tij në breg është bërë vetëm dje në mesditë. Koha e keqe e ditëve të fundit dhe deti shumë i trazuar nuk i ka lejuar peshkatarët të kthehen në Triport për të sjellë egërsirën e kapur. Ata kanë qëndruar me anijen e tyre në zonën e Karaburunit deri në qetësimin e detit. Qëndrimi i gjatë në këtë zonë ka bërë që peshkaqeni të prishet në disa pjesë të kokës, si pasojë e përplasjeve me shkëmbinjtë si edhe nga ngrëniet e peshqve të tjerë. Sipas peshkatarëve, bëhet fjalë për një peshkaqen të llojit pëllumb, shumë i rrezikshëm, pasi goja e tij hapet në një diametër rreth 1 metër dhe dhëmbët janë të gjatë e të mprehtë. Kapiteni  Nazir Habibi, tha se prania e këtyre specieve në afërsi të bregut të Karaburunit, por edhe në gji është një element frike për zhytësit. Për peshkatarët, kapja e një peshkaqeni është fitimprurëse pasi ai shitet me çmim mesatar 200 lekë për kilogram, por në rastin e djeshëm ata kanë dështuar, pasi qëndrimi i gjatë në det pas ngordhjes e ka bërë të pakonsumueshëm.                q.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›