Gatishmëri për turizmin, plugohet dhe dezinfektohet rëra e plazhit të Durrësit
Pas pastrimit të leshterikut dhe mbeturinave të tjera urbane, ka nisur puna për plugimin dhe dezinfektimin e rërës në plazhin e Durrësit. Rreth 3.2 kilometra vijë bregdetare që fillon nga Ura e Dajlanit deri në Plepa po i nënshtrohet plugimit, frezimit dhe dezinfektimit, proces që i paraprin ardhjes së pushuesve. I pranishëm në fillimin e pastrimit tërësor të plazhit ishte dhe kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili deklaroi se po punohet intensivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë.
Dako deklaroi se po punohet për ti paraprirë të gjithë problemeve të mundshme, ku prioritet i është dhënë eliminimit të zhurmave, vendeve të parkimit si dhe disiplinimit të trafikut. Plazhi i Durrësit mbetet një nga më të frekuentuarit në vend nga pushues të shumtë ku edhe për këtë vit pritet të shënojë një numër rekord pushuesish. Këtë vit bashkia ka akorduar në buxhetin e saj dy herë më shumë fonde për turizmin se vitin e kaluar, në mënyrë që ky sektor të ketë një hov cilësor në zhvillimin e tij. Dako ka shtuar se tre janë elementët pozitivë të këtij sezoni, me të cilët mendohet se do të ketë sukses: kushtet e mira të akomodimit dhe pritjes, shërbim më i mirë dhe sigurisht, çmime të lira për pushuesit vendas dhe të huaj. Në lidhje me plazhet publike, për të cilat ka patur mjaft ankesa nga banorët e zonës vitin e kaluar, kryebashkiaku Dako është shprehur se edhe këtë vit do të jenë tre vende që janë përcaktuar për pushuesit. Plazhet publike do të jenë në vendet e vjetshme tek sektori Teuta, Apollonia dhe Iliria. Të tre këto plazhe kanë një gjatësi totale prej 1100 metër linear dhe në gjithë gjerësinë e brezit të rërës në secilin prej tyre. Ndërmarrja komunale e plazhit ka bërë të ditur se për mbarëvajtjen e sezonit turistik do të jenë në gjendje gatishmërie 5 kamionë 7 tonësh, 2 kamionçina me kapacitet 1,5 ton, 1 zetor për frezimin dhe dezinfektimin e rërës, 1 autobot për larjen e rrugëve, 4 agregate për tërheqjen e mbetjeve urbane në zonën e rërës dhe të lagjen e banuar etj. Durrësi këtë vit do të shpalosë kulturën dhe vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përveç turizmit të banjave diellore Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti i Durrësit ofron dhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore me rëndësi për tu vizituar.