E Hënë, 2 Nëntor 2026

“E gjeta gjallë Kosta Trebickën, policia më tha të mos e prekja”

 

Nga i dërguari ynë në Voskopojë, Ferdinand Dervishi

Koço Bardhi nga Voskopoja është një djalë i sinqertë. Si të gjithë ata që janë rritur në fshat, duke u qëndruar pranë prindërve pleq të sëmurë, si ata të paktët, të cilët edhe pse në moshën 36-vjeçare kujdesen deri në fund për lopën, mushkën, drutë e dimrit, por edhe për punën e rëndë të mirëmbajtësit të rrugës rurale.  Pikërisht një njeriu të tillë, që gjithë jeta i ka kaluar e mbledhur si kulaç në qerthullin e punës së vet, i ra rasti të jetë i pari që i’u afrua njeriut që jetonte çastet e fundit të gjalla me identitetet e Kosta Trebickës. Dhe Koçua thotë se ka mbërritur pranë tij kur ishte ende gjallë, se ka dashur ta ngrejë, ta fusë në një makinë të rastit për ta dërguar në spital, por nuk e kanë lejuar. Dhe Koçua është nga ata njerëz që e respekton bindjen.
Koço mund ta na tregosh për punën që bën dhe për veprimet e ditës së djeshme para se të ndodhte aksidenti?
Po. Unë jam mirëmbajtësi i rrugës rurale Voskopojë-Kullat. Dje u nisa pak me vonesë në punë. Mora mushkën dhe pasi u ngjita lart, vazhdova të hapja një kanal që e kisha lënë përgjysmë një ditë më parë. Më lodhi shumë. Është punë e rëndë kjo e jona. Kujtoj se aty nga ora 09:00 apo 10:00 mund të më ketë kapitur gjumi për pak kohë. Më tej, pasi u zgjova, i’u përvesha sërish kanalit. Kujtoj se aty nga ora 11:30 pranë meje kaluan dy makina. Të kuptohemi se në këtë rrugë një makinë në një orë kalon dhe unë pothuaj i njoh shumicën. Pra, në këtë kohë u ngjit lart Mukja, shoferi i Oparit dhe pak minuta më pas edhe një tjetër makinë me targa të Vlorës. Madje, këta më përshëndetën. Rreth gjysmë ore më pas dëgjova të më thërrisnin.
Kush të thërriste?
Ishin dy burra rreth 100 metra sipër meje. Ishin nga ata punëtorët e kromit që vijnë nga Tirana. Pak më tej kishin edhe kamionin. U ngjita në drejtim të tyre. Kur i takova më thanë se rreth 200 metra më lart nga vendi ku unë po punoja, një makinë e kuqe kishte dalë nga rruga, kishte xhamat të thyer dhe se kishte të ngjarë të kishte ndodhur një aksident. U thashë se nuk kisha dëgjuar asnjë zhurmë. Më thanë se donin që të shkonin së bashku me mua. U afruam dhe në këtë çast vumë re të shqetësuar se përtokë, kishte një njeri.
Këta dy burrat, nuk kalonin në të njëjtën rrugë?
Jo. Ata vijnë nga një tjetër rrugë që bashkohet me kryesoren, me këtë që unë e mirëmbaj. Rruga nga ata vijnë bashkohet me kryesoren pranë vendit ku ndodhi aksidenti.
E njihte ndonjë nga ju njeriun që ishte përtokë?
Jo. Por nuk guxuam të afroheshim. Vetëm unë u afrova dhe pashë se njeriu ishte në shpinë me fytyrën lart, por një pjesë të mirë të saj e kishte të mbuluar me gjak, që kishte nisur të mpiksej. Pashë dhe u tremba se atij vazhdonte t’i dilte gjak nga pas kokës dhe se gjaku ishte me shkumë. Në kohën që unë isha fare pranë tij ai morri frymë me dhimbje dhe njëkohësisht mu duk sikur nga pas kokës i doli më tepër gjak. U tremba dhe u tërhoqa pas. Pranë trupit pashë një armë gjahu, një palë shapka plastike, ca qeska, rroba. Nuk prekëm asgjë. Në këtë kohë u thashë atyre dy burrave që ishin shoferi i kamionit të kromit dhe shoqëruesi i tij se do lajmëroja me celular Voskopojën. Mora një kushëri timin, Stavrin, që ka lokal dhe i tregova për ngjarjen duke i thënë të fliste me policinë dhe t’u tregonte se në rrugë është një i plagosur rëndë. Në fakt në fillim menduam se e kishin qëlluar me plumba. Prandaj kishim frikë.
Nuk tentuat ta dërgonit në spital?
Po. Unë po, por nuk më lanë. Në këtë kohë zbriti një makinë nga Opari. Ishte një veturë me ngjyrë limoni. I dola përpara dhe pasi qëndroi i thashë që ta merrnin të plagosurin në makinë e ta dërgonim në spital. Por ai djali që ngiste makinën më tha se nuk e prekte me dorë dhe se do fliste me policinë. Mori policinë me celular dhe ata i thanë të mos e prekte me dorë njeriun e përgjakur. Në këtë kohë njerëzit u shtuan. Erdhën me kamionin e Bujarit, kishin qenë në një vdekje në një fshat lart. Kujtoj se debati vazhdoi. Disa, bashkë me mua, thoshin ta çonim në spital, disa kundërshtonin duke këmbëngulur se ai nuk duhej prekur. Ndërkohë kujtoj se njeriu i plagosur dha shpirt, pasi nuk lëvizi më. Kur erdhi policia vërtetoi se kishte mbaruar.  
Kur dëshmove për policinë?
Kam dëshmuar dy herë. Më morën në pyetje edhe aty lart, ku ndodhi aksidenti, edhe në Korçë, në komisariat. U rrëfeva gjithë ç’kisha parë. Kur isha në komisariat kujtoj se më akuzuan se isha unë autori. Po shpejt e kuptuan se e tepruan. Dikur më pyetën nëse e kisha dëgjuar zhurmën e përplasjes së makinës dhe kur u thashë se nuk kisha dëgjuar asgjë, më panë sërish me dyshim. U mundova të shpjegoja se unë kam qenë rreth 200-300 metra larg vendit të aksidentit, nga pas kodrës dhe se nuk kisha dëgjuar, përndryshe nuk më kushtonte asgjë të thosha të kundërtën. U bindën për sinqeritetin tim dhe nuk më panë më me dyshim. Në vazhdim pyetën se cilat makina kishin kaluar në atë kohë. U tregova se kishin kaluar vetëm dy, Mukja i Oparit dhe ajo me targa Vlore. Kujtoj se shumë shpejt edhe Mukja, edhe shoferi i makinës me targa të Vlorës u gjetën nga policia. Kështu në darkë vonë ishim bashkë të pesë, pra unë, dy punëtorët nga Tirana, Mukja dhe ai shoferi i makinës me targa të Vlorës. Por të gjithë nuk dinin asgjë për makinën e kuqe të Trebickës. Duket ajo ka dalë në atë pikë nga ndonjë pozicion anësor, jo nga sipër, nga vijnë gjithë të tjerat, pasi ai ishte për gjah dhe duket ishte futur nëpër luadhe. Makina e tij futej andej, ishte shumë e mirë. 
Ka ndodhur ndonjë aksident tjetër në atë pikë të rrugës ku Kosta Trebicka humbi jetën?
Jo, por shoferët thonë se është një vend shumë i rrezikshëm. Nuk e thotë vetëm njëri. Aty rruga zbret nga sipër dhe të krijohet përshtypja se mund të shtosh shpejtësinë. Por në kohën që bie në fushë, ka disa gunga që mund të të nxjerrin nga rruga. Por shoferët tanë e njohin rrugën, prandaj nuk u ka ndodhur gjë. 

Kunata e Trebickës në autopsi

TIRANE – Kunata e biznesmenit Kosta Trebicka, me profesion mjeke ishte një nga të afërmit e viktimës që ka qenë e pranishme në ambientin ku mjekët ligjorë kanë zhvilluar autopsinë e kufomës së 52-vjeçarit. Sipas burimeve nga policia, mësohet se me kërkesë të vetë grupit të hetimit për të pasur të pranishëm gjatë autopsisë një nga të afërmit e viktimës, kunata e Kosta Trebickës ka parë nga afër të gjitha veprimet e mjekëve. Nga burimet e policisë e afërmja e biznesmenit me profesion mjeke ka qëndruar në ambientet e morgut përgjatë verifikimeve që anë bërë mjekët për shkakun e vdekjes së biznesmenit 52-vjeçar. Sipas hetuesve, të afërmit e viktimës nuk kanë pasur pretendime lidhur me autopsinë, e cila është konfirmuar dje edhe nga disa ekspertë amerikanë që verifikuan trupin në spitalin e Korçës.    

“Policët i telefonuan menjëherë të shoqes nga vendngjarja”

Koço Bardhi, njeriu që mbërriti i pari pranë Kosta Trebickës që gjendej në frymën e fundit të jetës, rrëfen edhe një tjetër moment interesant të ngjarjes. Sipas tij, pasi në vendngjarje mbërriti policia, njëri prej tyre realizoi një bisedë telefonike me të shoqen e Trebickës. “Ne nuk prekëm asgjë. Më të mbërritur policia, pasi verifikoi vdekjen, rrëmoi dhe gjeti celularin e Trebickës. Një nga policët u morr pak kohë më aparatin, duket gjeti numrin e gruas së Trebickës dhe unë dëgjova që ai nisi të komunikonte me dikë. Nga fjalët që thoshte kuptohej lehtë se po fliste me të shoqen e Trebickës. Polici e pyeti se ku gjendej i shoqi dhe duket ajo i tha se ai ishte nisur nga Tiranë për gjueti, në Voskopojë. Polici duket e pyeti se kur ishte nisur e të tjera hollësi. Kujtoj se e shoqja e Trebickës i tha atij se i shoqi ishte nisur i vetëm në Voskopojë. Në fund polici nuk i rrëfeu të vërtetën duke thënë se i shoqi kishte pësuar një aksident, por se ishte mirë me shëndet”, rrëfen Koço Bardhi për këtë moment të zhvillimit të ngjarjeve.

Provat, Trebicka bëri aksident

Tashmë pothuaj gjithçka ka një formë. Kosta Trebicka, njëri prej personazheve kyç të përfshirë në trafikun e municioneve në drejtim të Afganistanit dhe jo vetëm kaq, është shuar për shkak të një aksidenti banal.

nga i derguari yne

Kjo sepse të gjitha provat, pa asnjë të vetme, të njohur kundër, apo të dyshimtë, vërtetojnë pikërisht këtë lloj vdekjeje dhe asgjë më tepër. Një panoramë faktesh që gjithsesi në fillesën e tyre i konfigurojnë enigmatike sjelljet e biznesmenit të ambalazheve. Pasi ai është bërë gati dhe është nisur nga Tirana krejt i vetëm për një gjueti, një sport që në pothuaj në asnjë rast nuk konsiderohet jashtë shoqërisë. Kështu sipas familjarëve, të enjten më 11 shtator ai është nisur i vetëm në drejtim të Voskopojës. Por edhe pse i mbërritur në këtë zonë, nga edhe ka prejardhjen, Kosta Trebicka mbetet sërish pa shokë. Duket se ai e kishte menduar që këtë gjueti të fundit ta shijonte, ta ndante vetëm me veten.
“Më pyeti për hotelin, ishte vetëm”
Mbrëmjen e së njëjtës ditë, aty rreth orës 21:00, Kosta Trebicka është parë në të hyrë të Voskopojës, pranë lokalit të kryekomunarit, Nexhip Bacelli, madje mes dëshmitarit dhe tij ka pasur një bisedë. “Ndaloi makinën pranë meje dhe më pyeti se ku është hotel “Akademia”, apo më saktë ish-kampi i pionierëve”, pohon dëshmitari Brahim Hasanllari. I njëjti dëshminë e tij e ka vënë edhe në dispozicion të hetimit. Po sipas Hasanllarit, njeriu që udhëtonte me fuoristradën me ngjyrë të kuqe, ishte i veshur me rroba gjahtari dhe veç tij në makinë nuk ishte askush tjetër. Më tej i njëjti pohon se, Trebicka i ka kërkuar ta ndihmojë për t’i treguar rrugën që të çon për tek ish-kapi i pionierëve dhe në momentet e fundit para se t’i jepte gaz makinës, e ka pyetur a kishte dijeni nëse mund të gjente një dhomë bosh. “Përderisa gjen dhoma edhe në korrik, patjetër që në shtator gjen...”, kishte qenë përgjigjja logjike e Hasanllarit.
Sipas dëshmive tashmë të administruara të hetimit, Trebicka ka mbërritur i vetën në hotel dhe aty është marrë vesh me kujdestarin R. Lalioti për të marrë një dhomë. Pa ndonjë procedurë të veçantë, Trebicka është sistemuar në një dhomë në katin e parë dhe gjithçka ka përfunduar me pagesën. Pas pak orësh, kur ende nuk kishte feksur dita, Kosta Trebicka, sipas rregullave të gjuetarëve profesionistë është nisur për rrugë. Largimin e tij në këtë orë e ka vërtetuar për hetimin lulishtari i kompleksit. Ngjitet përmbi Voskopojë, në rrugën që shkon për në fshatin Lekas. Hetimi ka gjetur një tjetër dëshmitar që pohon se, Kosta Trebicka ka dalë për gjah në këtë orë të mëngjesit. Më tej nuk dihen lëvizjet e tij, porse fakti se teksa kthehej, aty rreth orës 12:00, me vete kishte disa zogj të egër, që ishin gjahu i atij mëngjesi. Por në kthim, rreth 3 kilometra pa zbritur në Voskopojë, gjithçka merr fund.
Skema e ngjarjes
Deri në mëngjesin e djeshëm, 13 shtator, gjurmët e ngjarjes në rrugën që shkonte për në Lekas të Korçës ishin ende të freskëta. Një blanë e madhe gjaku tregonte vendin ku Kosta kishte dhënë frymën e fundit. Pranë, copëra të xhamave të makinës dhe dy tragat e rrotave që kishin dalë nga rruga duke bërë që makina të përmbysej, ishin krejt të qarta. Ngjarja kishte ndodhur në një rrugë të dytë paralele me atë kryesore. Një nga ato rrugë që krijohen spontanisht nga shoferët për të shmangur çakllin apo gurët e rrugës kryesore. Pikërisht këtu ishte përmbysur makina e Trebickës. Në fakt makina kishte humbur kontrollin kur tatëpjeta përfundonte dhe niste një rrafshinë. Duket gjithçka ka qenë një moment moskontrolli. Një moment fatal kur gomat e makinës, mbase sepse kanë hasur një të thelluar në rrugë, kanë bërë djathtas. Nuk dihet veprimi i shoferit në këtë kohë, veçse sipas tragave të makinës duket qartë që timoni është drejtuar djathtas pa kontroll dhe mbase një moment më pas është kthyer me forcë në anën tjetër. Porse në këtë kohë niveli më i lartë i truallit në të djathtë ka bërë që makina të përmbyset. Tragjedia ka ndodhur në një të qindtën e sekondës. Makina ishte e hapur sipër dhe në momentin që është rrokullisur ka zënë nën vete drejtuesin, madje e ka shtypur me hekurat e kafazit të saj duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, pasi në një çast përmbi trupin e Trebickës ka kaluar e gjithë pesha e makinës. Më tej, teksa Trebicka ka rënë nga makina, ajo e ka përfunduar të plotë lëvizjen rrotulluese duke u kthyer krejt rastësisht mbi goma dhe duke ecur mbrapsht, për shkak se marshi ka qenë i paingranuar, apo në afole. Një rrugëtim pa shofer, me motor të ndezur, që e ka zhvendosur rreth 20-25 metra majtas, poshtë.        
Hetimi dhe ekspertiza
I nisur me shpejtësi dhe intensitet për shkak të rëndësisë së faktit dhe për të mos lënë kohë për keqinterpretime, hetimi për vdekjen e Kosta Trebickës ka dhënë rezultate konkrete që konvergojnë në një pikë: Është vdekje e ardhur nga aksidenti. Të paktën të gjithë dëshmitarët okularë kanë vërtetuar se ai kishte qenë i vetëm në Voskopojë dhe në gjueti. Po kështu vendngjarja rrëfente se aty kishte ndodhur një aksident i pastër. Edhe njerëzit apo mjetet që kanë lëvizur në këtë aks rrugor në kohën kur ka ndodhur aksidenti i Trebickës, të marrë një për një në pyetje rezultojnë se të gjithë kanë qenë të rastësishëm dhe në punët e tyre. Por edhe ekspertiza e bërë nga mjekët ligjorë vjen në linjën e aksidentit banal. Sipas ekspertëve: shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike. Kështu që deri në këtë moment, ende nuk ka një kundërprovë që të vërë në dyshim se Kosta Trebicka mund të jetë dërguar drejt vdekjes nga persona të tjerë. Gjithsesi për këdo do të jetë e vështirë të besojë se kjo ngjarje mund të jetë një aksident për shkaqe banale.                                 fe.de

“Kosta s‘dilte vetëm për gjah, ishte i shqetësuar”

Arif Braja, fqinj dhe shok i Kosta Trebickës pohon se shpeshherë kishte dalë për gjah me të.

Fatos Mahmutaj

 “Kosta nuk dilte kurrë vetëm për gjah”, pohoi ai dje, ndërsa tha se shpeshherë kishte qenë bashkë më të, por shtoi se ajo çka ndodhi së fundi mbetet të sqarohet nga organet shtetërore. Braja ndodhej në banesën e fqinjit të tij në pritje të mbërritjes së kufomës së Trebickës. Ndërsa në një moment ai së bashku me fqinjin e të ndjerit Trebicka, Arif Braja, u prononcuan për gazetarët që ndodheshin përpara derës së vilës së Trebickës. I pyetur nga gazetarët e shumtë pohoi për mediat mesditën e djeshme se prej disa kohësh gjuante bashkë me shokun e tij nëpër mjaft zona, dhe se asnjëherë Trebicka nuk shkonte vetëm. Sipas tij, ata lëviznin së bashku, ose me gjahtarë të tjerë, kjo për faktin se në këtë mënyrë ishte më e lehtë të gjuaje, dhe se gjahtarët flisnin rrugës me njëri-tjetrin, duke shtyrë në njëfarë mënyre të këndshme kohën. Duke treguar për pasionin e gjuetisë ai vijoi se, së bashku me të ndjerin Kosta Trebicka dhe disa shokë të tjerë të tyre prej shumë vitesh shkonin së bashku për gjah. Ata lëviznin me makina ku merrnin me vete armët dhe pajimet e gjuetisë si dhe zagarët e gjahut. Ndërsa këtë herë të fundit, Trebicka mund të kishte dalë për të gjuajtur shpendë, pasi qeni i gjahut që kishte me vete ishte i stërvitur për një specifikë të tillë gjuetie. Burime zyrtare nga hetimi thonë se, Arif Braja është marrë në pyetje dje nga oficerët e Drejtësisë së Përgjithshme të Policisë pasi ishte mik i afërt me Trebickën. Ai u ka pohuar hetuesve të policisë së biznesmeni kohët e fundit tregohej shumë i kujdesshëm, tregonte vetëm në shtëpi ku ndodhej dhe ku do të shkonte, nuk afronte persona të panjohur dhe rrinte vetëm me njerëz të besuar të tij. 
Zoti Braja, ju keni qenë shumë herë për gjah me Kosta Trebickën, mund të na thoni, këtë herë të fundit që ai u largua vetëm, me kë ishte?
Kam kontaktuar me të rreth dy ditë më parë dhe nuk më tha gjë se do shkonte për gjueti. Por them që ai gjithmonë shkonte për gjah me njerëz të tjerë, pasi ishim shumë gjahtarë që dilnim së bashku. Nuk e di se me kë ka qenë këtë herë, por mendoj se ai nuk ka qenë i vetëm.
Si mendoni, cilët janë këta persona që mund të kenë qenë bashkë me të dhe çfarë mund të ketë ndodhur konkretisht me mikun tuaj?
Janë detaje që duhet t’i zbardhin hetimet e organeve shtetërore. Nuk mund të them asgjë për këtë, pasi nuk di hollësi për rastin konkret, ndaj them që duhet që ngjarja të zbardhet nga shteti, por ne kemi dyshimet tona për këtë.
A ndihej i rrezikuar Kosta Trebicka, të paktën që pas denoncimit të trafikut të armatimit?
Më parë ai ankohej për problemet e tjera që kishte në biznes, por kohët e fundit thoshte shpeshherë: “Më janë qepur dhe nuk më ndahen”. Por pa përmendur emra konkretë personash.
Në çfarë dyshoni juve?
Në fakt janë shumë detaje të vendngjarjes për të cilat, siç u publikuan në pamjet televizive, nuk mund të jepet shpjegim. Kjo që nga mënyra e goditjeve që ka marrë mjeti, sendet e përhapura dhe trupi i pajetë i Kostës. Por gjithsesi do të jenë organet shtetërore që do ta zbardhin këtë.

Gruaja e Trebickës, prej dy ditësh në gjendje të fikëti

TIRANE – Bashkëshortja dhe vjehrra e biznesmenit Trebicka prej dy ditësh pjesën më të madhe të kohës e kanë kaluar në gjendje të fikti. Që nga momenti që mësuan vdekjen e njeriut të tyre, të dyja gratë pësuan të fikët, ndërsa u desh ndihma e fqinjëve të tyre për t’i sjellë në vete. Pas kësaj bashkëshortja e Trebickës, Brunilda, udhëtoi drejt qytetit të Korçës, por shëndeti i saj i rënduar dhe fakti se në shtëpi ndodheshin mjaft njerëz bëri që rreth orës 11:00 të paradites së djeshme të kthehej në Tiranë. Në momentin e zbritjes nga makina me të cilën kishte udhëtuar Brunilda, pati sërish turbullim të shëndetit saqë të afërmit u detyruan ta mbanin për krahësh derisa e dërguan në banesë. Pas kësaj ajo kaloi sërish në gjendje të fikti dhe gjithë ditën e djeshme ishte e pamundur të kontaktohej me të për shkak të shëndetit të rënduar. Po kështu, e njëjta situatë edhe me nënën e saj. Djali, 11-vjeçar Xhei u largua nga shtëpia për te disa të afërm menjëherë pas lajmit të kobshëm. Ndërsa dy ditë më parë u njoftuan edhe motrat dhe vajza e Trebickës, që jetojnë në SHBA. Deri mbrëmë, në Tiranë gjendeshin pjesa më e madhe e familjarëve të Trebickës, ndërsa të tjerët pritet të mbërrijnë sot, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të biznesmenit.

“New York Times”: Na tha se ishte i kërcënuar

Shtypi i të gjithë botës ka komentuar mbi vdekjen e biznesmenit shqiptar, Kosta Trebicka, duke lënë hije dyshimi mbi rrethanat e humbjes së tij, si dëshmitari kryesor i skandalit të tregtisë së armëve dhe korrupsionit të zyrtarëve. “New York Times” ka komentuar ndër të tjera se dëshmitari kyç i ngjarjes së Gërdecit dhe aferave të AEY, e cila tashmë është në gjykim për falsifikimin e origjinës së armëve të shitura në Afganistan, ka rrëfyer shumë herë frikën për jetën e tij. Që në orët e para pas ngjarjes, gazeta prestigjioze amerikane pasqyroi lajmin duke e komentuar vdekjen si humbjen e dëshmitarit kyç që shpalli provat e korrupsionit publik. “Një dëshmitar, i cili zbuloi prova të korrupsionit publik dhe praktikave mashtruese nga një kontraktor në një marrëveshje të sponsorizuar nga Pentagoni u gjet i vdekur në një rrugë malore të premten. Akuzat e tij tronditën qeverinë shqiptare dhe Pentagonin. Z. Trebicka u kishte thënë reporterëve të ‘The Times’ disa herë se ai i trembej tashmë sigurisë së tij”, shkruan New York Times. Ky ishte kontakti i parë mediatik i Trebickës, ku ka dorëzuar prova e dokumente, por jo e vetmja agjenci që dha jehonën për vdekjen e dëshmitarit. Agjencia “Reuters” shkroi të premten (në orën 19:00), se qeveria shqiptare po heton mbi vdekjen e njeriut të industrisë, i cili po ndihmonte prokurorinë të siguronte provat e plota në hetimin e tregtisë së armëve. “Reuters” komenton se Trebicka ishte i përfshirë në ripaketimin e armëve të vjetra kineze që u shitën nga Shqipëria për AEY Inc dhe se u kthye në dëshmitar, pasi Ministria shqiptare e Mbrojtjes i hoqi atij kontratën për t’ia dhënë një tjetër kompanie. Agjencitë italiane kanë komentuar se vdekja e biznesmenit shqiptar, dëshmitarit kyç në hetimet për trafikun e armëve, duket në rrethana misterioze. Lajmi është komentuar edhe nga agjencitë spanjolle, të cilat gjithashtu komentojnë se rrethanat sipas të cilave është përshkruar ngjarja, tregojnë se ka vend për dyshime mbi një vdekje aksidentale. Agjencitë franceze kanë bërë gjithashtu jehonë për ngjarjen, si “Courrier des Balkans”, që shkruan se në skandalin e trafikut të armëve në Shqipëri, zhduket dëshmitari kryesor. Për vdekjen e Trebickës shkruan edhe mediat e rajonit, si ato rumune, kosovare etj.

“Dëshmitë e Trebickës të regjistruara”

Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme u përfshinë dje në një replikë në distancë lidhur me vdekjen e biznesmenit 52-vjeçar Kosta Trebicka.

Trazhgim Sokolaj

Shkak është bërë cilësia e Trebickës si dëshmitar i dosjes “Gërdeci”, të cilën e gëzonte shqiptaro-amerikani, i cili megjithatë nuk kishte asnjë mbrojtje fizike nga autoritetet e shtetit. Para mesditës së djeshme, Ministria e Brendshme në rrugë jozyrtare është shprehur se mbrojtja e Kosta Trebickës në cilësinë e dëshmitarit nuk është bërë, pasi Prokuroria nuk e kishte kërkuar një gjë të tillë. Sipas ministrisë, policia është ajo që kryen mbrojtjen e dëshmitarëve, por dhënia e mbrojtjes ka një procedurë, sipas të cilës, kërkesa fillestare bëhet nga Prokuroria që ka marrë në pyetje dëshmitarin në fjalë. Dy orë pas mesditës së djeshme ka ardhur edhe reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme. “Bëjmë me dije se Kosta Trebicka ka qenë dëshmitar në procedimin penal që zhvillohet në lidhje me ngjarjen e datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec të rrethit Tiranë. Deklarimet e tij për këtë proces janë administruar nga grupi i prokurorëve të çështjes së Gërdecit, qysh në fillimet e këtij procesi, së bashku me regjistrimet e bisedave të tij me persona që paraqesin interes për këtë ngjarje”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeprokurores Ina Rama. Sipas saj, “organi i akuzës nuk ka disponuar informacione që vinin në rrezik jetën e Kosta Trebickës dhe as vetë ai nuk ka parashtruar në Prokurori shqetësime për vënien në rrezik të jetës”. Gjatë një bisede telefonike me “Zërin e Amerikës” dje në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha se institucioni i drejtuar prej tij nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Prokuroria për marrjen në mbrojtje të Kosta Trebickës.
Dëshmitari i Gërdecit
Biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, i cili publikisht denoncoi aferën e shitjes së fishekëve kinezë nga Shqipëria për kompaninë AEY të Efraim Diverolit të kontraktuar nga SHBA, nuk ishte mjaftuar me kaq. Ai është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme rreth dy javë pas tragjedisë së Gërdecit dhe përgjatë dy ditëve ka dhënë mbi dhjetë orë dëshmi. Biznesmeni 52-vjeçar u dorëzoi prokurorëve përgjimin e bisedës së tij me Efraim Diverolin dhe regjistrime të tjera bisedash që hidhnin dritë mbi skandalin, depozitoi në Prokurori dokumente që tregonin abuzimet e ndërmarrjes shtetërore MEICO, e më pas dha dëshminë e tij duke bërë lidhjen mes tragjedisë së Gërdecit dhe asaj që kishte ndodhur aty, me aferën e shitjes së fishekëve kinezë palës amerikane, e cila furnizonte me ta forcat afgane të sigurisë. Në mënyrë indirekte, në deklaratën e djeshme të Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet në fakt se provat dhe dëshmitë e Kosta Trebickës të dhëna para prokurorëve janë të dokumentuara. Nga ana tjetër, burime zyrtare nga organi qendror i akuzës thanë se provat dhe deklarimet e Kosta Trebickës kanë vlerë edhe pas vdekjes së tij, pasi janë regjistruar dhe administruar sipas kërkesave të ligjit procedural penal. Në këtë mënyrë ato kanë vlerë juridike edhe pas vdekjes së 52-vjeçarit. “Duke u nisur nga rëndësia e ngjarjes së ndodhur në Korçë, ku humbi jetën Kosta Trebicka, Prokuroria e Përgjithshme përmes ambasadës amerikane në Tiranë, ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të huaj me njohuri të posaçme në këtë fushë me qëllim hetimin e plotë të ngjarjes”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ina Rama me helikopter në vendin e ngjarjes

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, udhëtoi dje në drejtim të qytetit të Korçës, ku fillimisht zhvilloi një takim me drejtuesit e grupit hetimor të ngritur për vdekjen e Kosta Trebickës. Drejtuesja e organit të akuzës, ka udhëtuar me helikopter për në qytetin e Korçës bashkë me anëtarë të stafit të ngushtë të saj, ndërsa pas mbërritjes atje, ajo ka zhvilluar një takim me drejtues të Prokurorisë dhe policisë lokale. Në një takim të veçantë me ekspertët e ambasadës amerikane, të cilët dje kishin mbërritur në Korçë, kryeprokurorja Ina Rama ka diskutuar mbi ecurinë e hetimit dhe veprimet e nevojshme që duhet të kryhen me qëllim zbardhje e ngjarjes. Ambasada amerikane në Tiranë konfirmoi dje kërkesën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për sjelljen e ekspertëve të specializuar nga SHBA, me qëllim hetimin e vdekjes së Kosta Trebickës. Gjatë takimeve të djeshme në Korçë dhe në vendin ku vdiq 52-vjeçari, Ina Rama ka kërkuar nga varësit hetimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen sa më të shpejtë të saj.

Familja shpall varrimin, përcillet sot në 15:00

TIRANE - Në zonën e Saukut në kryeqytet, aty ku prej 11 viteve banonte biznesmeni Kosta Trebicka, është vendosur dje lajmërimi për vdekjen e tij si dhe njoftimi për orarin e ceremonisë së përcjelljes për në banesën e fundit. Biznesmeni i vdekur në rrethana ende të paqarta në afërsi të Voskopojës në Korçë, mësohet se do të përcillet në banesën e fundit ditën e sotme në orën 15:00 në Tiranë. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:00, trupi pajetë i biznesmenit Trebicka ka mbërritur në banesën e tij në zonën e Saukut në Tiranë. Ai ishte nisur me automjete të veçanta pasditen e djeshme nga qyteti i Korçës, pasi kufoma e tij u verifikua nga ekspertët amerikanë, të cilët kërkuan të bëjnë një këqyrje nga ana e tyre, pavarësisht autopsisë së bërë nga specialistët shqiptarë të mjekësisë ligjore.

Ruçi: Berisha të sqarojë shqiptarët

Partia Socialiste i adresoi qeverisë përgjegjësitë për vdekjen e Kosta Trebickës.

adi shkembi

Kryetari Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i kërkoi kryeministrit Berisha t’i japë shpjegime shqiptarëve rreth ngjarjes. Duke e cilësuar Trebickën si dëshmitarin kyç të tragjedisë së Gërdecit me implikim shtetëror, Ruçi adresoi një sërë pyetjesh në adresë të kryeministrit që kërkojnë përgjigje. “Përse nuk po flet Kryeministri? Përse po hesht njeriu direkt i akuzuar për përfshirje në skandal? Çfarë po i mbyll gojën njeriut që flet për gjithçka e për çdo gjë? Kush ishte i interesuar të mbyllej kjo gojë? Kush ishin kërcënuesit e tij?
Si ka mundësi që qeveria nuk mbron jetën e dëshmitarëve kyç të çështjes së Gërdecit? Përse nuk mbështet Prokurorinë e Republikës në hetimin e ngjarjeve të Gërdecit, trafikun e armëve dhe tashmë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së qytetarit të mirë Kosta Trebicka? Me ç’moral Sali Berisha u kërkon qytetarëve të këtij vendi që të denoncojnë korrupsionin, kur denoncuesit vdiskan kaq kollaj?”, pyeti funksionari i lartë i selisë rozë. Sipas tij, “edhe pse është i atakuar për ndërhyrje apo përfshirje në këto çështje, Sali Berisha ia ka borxh shqiptarëve sqarimin e veprimeve dhe mosveprimeve të tij dhe të qeverisë së tij në gjithë këto çështje”. Ndërkaq reagoi dje dhe kryeministri Sali Berisha duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme të angazhojë ekspertët më të mirë, madje edhe ekspertë të huaj nëse është e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, zëdhënësi i selisë blu, Gert Bogdani, bëri të ditur se kreu i qeverisë, njëherësh kryetar i PD-së, i ka shprehur ngushëllimet familjes dhe të afërmve të biznesmenit. “I vetëdijshëm për cilësinë e tij si dëshmitar në një proces të rëndësishëm hetimor, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, dhe në rast nevoje të kontribuojë edhe me ekspertë të huaj, për të hetuar në mënyrën më të plotë, profesionale e transparente, rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’i bërë ato publike”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë ka akuzuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, pas reagimit të këtij të fundit për aksidentin. “Dje qytetarët u përballën me histerinë primitive të njeriut që i dridhej zëri dhe trupi para kamerave, tek lëshonte akuzat monstruoze për vdekjen e Kosta Trebickës, pa pritur as edhe një rezultat të hetimit, madje pa pritur as edhe identifikimin e kufomës nga familjarët e tij”, theksoi Bogdani. Sipas tij, “ata panë në ekranet e mediave shëmtinë morale të drejtuesit të opozitës, të zhveshur nga gjethet e specat e politikës së re, tek brohoriste njëlloj si në mars të këtij viti ‘rroftë vdekja, poshtë qeveria’, për arsye që në të ardhmen do të bëhen publike”.

Konkluzionet pas daljes së ekspertizës

Partia Demokrate e Re është shprehur dje se, konkluzionet për aksidentin që i mori jetën Kosta Trebickës duhet të bëhen pas daljes së ekspertizës dhe të mos jenë të parakohshme. Duke folur në një konferencë për shtyp, nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu tha se, “lidhur me aksidentin e djeshëm unë nuk jam ekspert i krimeve, por duhet të presim konkluzionet e ekspertizës dhe të mos bëjmë deklarime duke dhënë mendime të parakohshme. Realisht po punohet dhe janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për zbardhjen e së vërtetës së kësaj ngjarjeje tragjike”.

Veliaj: Shteti nuk mbrojti dëshmitarin

Lëvizja "G99" e cilëson dështim total të shtetit faktin që nuk arriti të mbronte dëshmitarin kryesor të tij për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Erion Veliaj deklaroi dje se, pret zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Trebickës. "Shqipëria nuk është Rusia dhe nuk do lejojmë nëpërkëmbjen nga pushteti i frikës", tha Veliaj. Vdekja e Kosta Trebickës është cilësuar nga Veliaj si një ngjarje tepër e rëndë, e cila i shton frikën të gjithë shqiptarëve, të cilët duan të thonë të vërtetën dhe të denoncojnë korrupsionin.

Milo: Qeveria të dorëhiqet

Kreu i PDS, Paskal Milo, reagoi dje për vdekjen në mënyrë misterioze të dëshmitarit të aferave të Gërdecit. Sipas tij, vdekja e Kosta Trebickës është një vrasje e denjë për stilin e Kamorras. “Është momenti që qeveria të japë dorëheqjen. Është vrarë njeriu që dinte gjithçka për Gërdecin, ai që dinte lidhjet e Berishës me Gërdecin, prandaj Prokuroria nuk duhet të tërhiqet për të zbuluar të vërtetën”, tha Milo. PDS kërkon nga grupi i ekspertëve të hetimit të zbardhin të vërtetën e vdekjes së Trebickës, duke dyshuar në rrethanat e aksidentit.

Trebicka, eksperimentohet rrëzimi i makinës

KORÇE – Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e rrethanave në të cilat vdiq Kosta Trebicka është rikthyer sërish dje në vendin e ngjarjes në komunën Lekas, 6 kilometër larg Voskopojës. Së bashku me oficerët, ekspertët dhe hetuesit shqiptarë në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe një ekspert amerikan, i cili është përfshirë në hetime. Specialistët kanë bërë vëzhgimin e terrenit ku ka lëvizur makina e Kosta Trebickës, përcaktuar itinerarin e ndjekur prej saj dhe janë përpjekur të gjejnë shpjegim për largësinë në të cilën u gjet kufoma e të ndjerit nga automjeti. Me një automjet të ngjashëm si ai që doli nga rruga bashkë me Kosta Trebickën, në afolio siç edhe u gjet tri ditë më parë makina e biznesmenit, specialistët kanë provuar dje se pasi ka rënë nga shpati dhe më pas është rrotulluar, makina ka vazhduar lëvizjen deri në pjesën tjetër të malores. Gjatë kësaj lëvizjeje, në fund të zonës së shpatit, në rrotullimin e parë të mjetit ka ndodhur edhe goditja në pjesën e kokës, e cila i mori jetën Kosta Trebickës. Në momentin që makina ishte përmbys koka e tij ka mbetur mes trarit të hekurit dhe tokës duke i shkaktuar biznesmenit shembje në pjesën e pasme të veshit në tru, si dhe goditje në anën e djathtë të gjoksit. Në fund të malores makina ka pësuar rrotullimin e parë ndërsa në ciklin e daljes prej kësaj lëvizjeje, automjeti me targa TR 8843 J ka hedhur kufomën e Kosta Trebickës, i cili ka mbetur në vendin ku u gjet bashkë me disa sende personale. Makina ndërkohë, për inerci ka vazhduar lëvizjen e pakontrolluar deri tek shpati përballë ku për shkak se ishte në afolio dhe i mungonte gazi, automjeti është kthyer pas duke u larguar kështu nga pika ku kishte mbetur kufoma e biznesmenit 52-vjeçar. Kështu e sqaruan ngjarjen hetuesit që ishin të pranishëm në vendin ku është bërë eksperimenti. Sipas tyre, automjeti ka ecur mbrapsht derisa ka prekur sërish pjesën e fundme të shpatit, nga i cili kishte zbritur por për shkak se ishte në afolio dhe inercia e lëvizjes nuk ushtronte më forcën e saj, makina ka ndaluar ekzaktësisht 43 metra larg vendit ku më pas kishte përfunduar kufoma e Kosta Trebickës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, njëri prej ekspertëve amerikanë që ka qenë i pranishëm gjatë eksperimentit ka pohuar në anglisht, pasi ka parë matjet dhe objektet e vendosura ashtu si vendi i ngjarjes u gjet tri ditë më parë kur vdiq Kosta Trebicka se, gjithçka ngjante me një aksident të pastër. Për një pistë të tillë ka folur dje edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili tha se pas autopsisë është vënë re se biznesmeni kishte dëmtime karakteristike për traumat automobilistike. Po kështu edhe Policia e Shtetit përmes zëdhënësit të saj e konsideroi ngjarjen si një aksident automobilistik.                                                  t.s        

Trebicka i tha gruas: Jam vetëm

Kosta Trebicka ka pasur disa telefonata me bashkëshorten në ditën e fundit te jetës së tij.

Trazhgim Sokolaj

Sikur të kishin parandjerë ngjarjen që fati apo rrethanat i kishin rezervuar biznesmenit shqiptaro-amerikan, pikërisht telefonatat me bashkëshorten, kanë shërbyer për zbardhjen e fragmenteve misterioze të ngjarjes enigmë. Zyrtarë të lartë që po drejtojnë hetimin e ngjarjes, konfirmuan dje për gazetën “Panorama” se që pas nisjes së Kosta Trebickës nga Tirana në drejtim të Korçës dhe gjatë gjithë kohës që qëndrimit të tij atje, ai ka pasur telefonata të vazhdueshme me bashkëshorten e tij Brunilda Trebicka. Këto telefonata dhe bisedat e zhvilluara në to, janë treguar në detaje gjatë dëshmisë që bashkëshortja e biznesmenit ka dhënë para hetuesve të policisë dhe Prokurorisë së Korçës, pas ngjarjes së ndodhur të premten rreth orës 15:30. Bisedat mes dy bashkëshortëve janë konfirmuar edhe nga këqyrja e telefonit të Kosta Trebickës ku kishin mbetur të regjistruara telefonatat që ai ka bërë me bashkëshorten në ditën e fundit të jetës së tij. “Jam për gjueti, gjithçka po shkon mirë”, mësohet t’i ketë thënë bashkëshortes Kosta Trebicka gjatë kohës që ajo interesohej për vendndodhjen e të shoqit. Gjatë rrëfimit para hetuesve të çështjes, gruaja e Trebickës ka zbardhur edhe një tjetër detaj me interes për hetimin. “Kosta më tha se ishte vetëm për gjueti dhe se nuk kishte asnjë problem”, është shprehur në deklarimet e saj para hetuesve, e shoqja e biznesmenit që humbi jetën tri ditë më parë 6 kilometër larg Voskopojës, në komunën Lekas të Korçës. Dëshmia e bashkëshortes së Trebickës, por edhe përmbajtja e bisedave që ajo ka zhvilluar me bashkëshortin e saj, kanë zbardhur një nga pikat e errëta të ngjarjes, misterin që ekzistonte prej dy ditësh nëse shqiptaro-amerikani ka qenë i vetëm gjatë ushtrimit të gjahut apo ka pasur persona të tjerë që e shoqëronin, të cilët e braktisën në momentet kur humbi jetën ose para se të ndodhte kjo. Rrëfimet e bashkëshortes së viktimës janë konfirmuar edhe nga një punonjës policie, i cili pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, ka gjetur telefonin e Kosta Trebickës dhe duke thirrur mbrapsht numrin e fundit të mbetur në memorien e telefonatave, ka folur me bashkëshorten e 52-vjeçarit, duke i treguar ngjarjen. Nga ana tjetër, me urdhër të Prokurorisë së Korçës është sekuestruar regjistri i hotelit ku Kosta Trebicka kaloi natën mes të enjtes dhe të premtes dhe në mëngjes rreth orës 05:00 doli për gjueti. Në këtë regjistër konfirmohet se biznesmeni ka qenë i vetëm gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga hoteli. Drejtuesit e hetimit thanë se gjatë dëshmisë së saj, bashkëshortja e biznesmenit nuk ka shfaqur asnjë ide, shqetësim për kërcënime, apo rreziqe ndaj të shoqit. Ajo mësohet të jetë shprehur se shkakun e ngjarjes pret ta mësojë nga hetimi. Ndërkaq, zyrtarët e hetimit thanë se nga këqyrja e telefonit të Kosta Trebickës, nuk është vënë re asnjë e dhënë shqetësuese për kërcënime apo rreziqe që i kanoseshin atij.

Ekspertiza: Vdekja, pasojë e aksidentit

KORÇE – Shenjat e shumta në trupin e viktimës Kosta Trebicka janë shkaktuar si pasojë e rrotullimeve që ka bërë mjeti ku ndodhej viktima. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka dhënë dje përgjigjen zyrtare mbi ekspertizën e kryer mbi trupin e 52-vjeçarit. “Nga analiza paraprake mjeko-ligjore e veçorive të dëmtimeve të jashtme dhe atyre të brendshme të konstatuara, shkaku i vdekjes se viktimës ka qenë politrauma, e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit me dëmtime të organeve përkatëse, me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristike e traumave automobilistike”, citohet në raportin e nxjerrë nga Instituti. Megjithatë, ky përfundim nuk është cilësuar si përfundimtar, pasi të tjera analiza po kryhen në laboratorë, për të nxjerrë shkaqet e sakta të ngjarjes tragjike. Nga burime të morgut të Korçës mësohet se trupi i pajetë i Trebickës është çuar në morg rreth orës 19:30 të së premtes, derisa me urdhër të prokurorit të rrethit, Përparim Vukaj, u vendos të kryhej autopsia. Përfaqësuesit e grupit hetimor kanë hyrë në morgun e spitalit rreth orës 22:00 dhe kanë dalë prej andej në orën 04:00 të mëngjesit të së shtunës. Të afërm të familjes Trebicka janë lejuar të futen brenda morgut vetëm në momentet e para si për të bërë edhe një herë konfirmimin e identitetit të tij. Mëngjesin e djeshëm pritej që viktima të nisej për në Tiranë, por rreth orës 08:00 u deklarua se do të kryhej një riekspertim i dytë. Burime të mirinformuara pranë grupit hetimor kanë bërë të ditur paraprakisht se, në trupin e Trebickës janë gjetur shenja të dukshme dëmtimesh, më të mëdha në kokë, në pjesën e pasme pas veshit dhe në pjesën e nofullës. Dyshimet e para se mos bëhej fjalë për ushtrim dhune mbi të u saktësuan më vonë, kur u konkludua se shenjat e lehta në trup nuk ishin shkaktuar nga dyshimet e mësipërme, por nga rrotullimet që ka pësuar mjeti së bashku me drejtuesin brenda. Njëherësh është deklaruar se në trupin e viktimës nuk janë gjetur substanca të dyshimta. Punonjësit e morgut deri në orën 17:00 nuk kishin mundur të përcillnin në familje trupin e pajetë të biznesmenit. Sipas tyre, ai po bënte afro 22 orë që qëndronte brenda mjediseve të morgut, një rast shumë i rrallë sipas tyre për këtë repart. Vetëm rreth orës 18:00, një i afërm i familjes tërhoqi trupin për ta përcjellë për në Tiranë, ku sot pritet të kryhet ceremonia mortore.                                           j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›