E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rritja e pagave, rrit inflacionin”

Qeveria nuk duhet të rrisë me ritme të larta pagat e buxhetorëve, pasi mund të bëhen shkak për rritjen e mëtejshme të çmimeve. 

Fabiola Çela

Për rrjedhojë, niveli i inflacionit rrezikon të rritet sërish. Një paralajmërim i tillë është dhënë nga vetë kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi rajonal të zhvilluar në Kukës. Sipas tij, rritja e lartë e pagave nuk është rruga e duhur për të kompensuar efektet e inflacionit.
Inflacioni
“Disa ditë më parë, INSTAT-i publikoi shifrën e inflacionit për muajin gusht 2008, sipas të cilës inflacioni vjetor u ndal në nivelin 2.5 për qind. Pavarësisht kësaj duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende prezent. Për momentin, rreziku më i madh vjen nga efektet e vonuara që shkaktojnë disa zhvillime të caktuara si, për shembull, rritja e pagave përtej një niveli logjik të pranuar”, ka deklaruar Guvernatori Fullani. Madje, sipas tij, një rritje e lartë e pagave nuk do të bënte gjë tjetër veçse se do të gjeneronte inflacion të ri, duke imponuar një rritje tjetër pagash, e cila nga ana saj do të prodhonte përsëri dhe përsëri inflacion. Por përveç pagave, Guvernatori Fullani ka vënë në dukje edhe një sërë faktorësh të tjerë që mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të inflacionit. “Në planin e brendshëm, siç e kam përmendur edhe më parë, rreziqet kryesore janë të lidhura me ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës energjetike”, u shpreh Fullani. Për muajin gusht niveli i inflacionit ishte 2.5 për qind, ndërsa një vit më parë ishte 4.2 për qind. E thënë ndryshe, këtë vit çmimet e mallrave ushqimorë kanë kushtuar më pak se një vit më parë. Ky është një lajm i mirë për të gjitha familjet shqiptare dhe, sidomos për ato buxhetore dhe pensionistët, të cilët janë shtresa e parë që preken më shumë me rritjen e çmimeve të mallrave ushqimorë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar niveli i inflacionit pati një rritje të ndjeshme. Kjo si pasojë e krizës botërore të çmimeve, të rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore dhe mbi të gjitha si pasojë e krizës energjetike që përjetoi vendi verën e vitit të kaluar. Por, edhe pse këtë vit niveli i inflacionit është dukshëm më i ulët se një vit më parë, përsëri ekzistojnë rreziqet që të rritet sërish.
Deficiti
Ekonomia e vendit vazhdon të jetë e orientuar drejt importeve, çka do të thotë se ne konsumojmë më shumë mallra se prodhohet. Kjo ka sjellë edhe thellimin e deficitit në vend. Të nxitura nga rritja e çmimeve të pasurisë, vlerësimi i qëndrueshëm i lekut, dërgesat nga emigrantët, rritja e shpejtë e kredisë dhe e shpenzimeve buxhetore gjatë këtij viti; deficitet e larta korente janë bërë një fenomen dominues i sektorit të jashtëm. Por, sipas Guvernatorit Fullani, një rregullim automatik dhe i menjëhershëm i tyre do të shkaktonte një korrigjim të kurseve të këmbimit drejt zhvlerësimit të shpejtë dhe të fortë të monedhës kombëtare, rënie të konsumit privat dhe publik. Për rrjedhojë, një situatë e tillë do të sillte edhe një tkurrje të aktivitetit ekonomik në atë shkallë, sa të gjenerojë krizë të sektorit të jashtëm me potencialin për t’u përhapur në ekonomi, duke kërcënuar stabilitetin financiar të vendit. “Në nivel të përgjithshëm ekonomie, ne konsumojmë më shumë nga sa prodhojmë. Ky konsum ekstra i financuar kryesisht nëpërmjet kredisë, gjen mbështetje në pritshmëritë tona për të ardhura më të larta në të ardhmen. Pra, në nivel shtëpiak apo individi, krijohet një deficit përderisa të ardhurat e siguruara janë të pamjaftueshme për të mbuluar konsumin shtëpiak apo atë individual”, ka sqaruar Fullani. Në fakt, edhe krizat financiare ndërkombëtare dhe pasojat negative mbi aktivitetin ekonomik dhe financiar në të gjithë botën, e kanë origjinën e tyre nga konsumi i sektorit shtëpiak përtej mundësive financiare që ata kanë, duke siguruar financime shtesë nga kredia bankare dhe rritja e çmimit të pasurive të paluajtshme. Por nga ana tjetër e medaljes ishte që ky model konsumi u shoqërua me rritjen e deficitit korent dhe rritjen e detyrimeve afatgjata të sektorit shtëpiak. Sipas kreut të Bankës së Shqipërisë, një situatë e tillë e ndodhur në tregjet ndërkombëtare nxjerr në pah domosdoshmërinë që krahas analizave në nivel makro, një kujdes në rritje duhet bërë edhe për ato në nivel mikro.

Dërgesat e emigrantëve
26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët.
 
59 për qind e këtyre familjeve që përfitojnë para nga emigrantët jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët.

40 për qind e familjeve që jetojnë në zonat rurale jetojnë vetëm me të ardhurat e emigrantëve.

70 për qind e të ardhurave të emigrantëve janë përdorur për qëllime joproduktive.
48 për qind e dërgesave janë përdorur për shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe lloje të tjera të shpenzimeve për konsum, si orendi shtëpie etj.

16 për qind e dërgesave të emigrantëve përdoren për ndërtimin, rregullimin e ambienteve të banimit.

10 për qind e dërgesave të emigrantëve janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor.

19 për qind e dërgesave të emigrantëve përdoren për investime
apo kursehen nga familjet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›