Rosi premton sukses: Në Brno do bëj mrekullinë
Pushimet kanë qenë shumë frytdhënëse për Valentino Rosin pas sforcos së bërë në Saksenring dhe në Laguna Seka. Piloti italian i Yamaha-s ka konfirmuar përmirësimin e gjendjes së tij fizike pas aksidentit që ka pësuar disa muaj më parë: "Kjo periudhë më ka shërbyer që të punoj mbi gjendjen time fizike dhe mund të them se ndihem mirë si me këmbën, edhe me shpatullën. Shpresoj që të jem shumë më i fortë në Brno". Nëntë herë kampioni i botës në Moto GP lë të kuptojë se pushimet kanë qenë një periudhë e dendur pune, në kërkim të formës më të mirë të mundshme fizike në prag të pjesës finale të sezonit, ku do të shtohen edhe më shumë dozat e betejës me Lorencon: "Ka mbetur ende edhe gjysma e sezonit për t'u zhvilluar dhe unë dua që ajo të jetë sa më pozitive". Rosi është rikthyer në pistë pas 7 javësh nga aksidenti që pësoi në Muxhelo me një vend të katërt në Gjermani, duke u rikthyer edhe në podium në Amerikë. Tani, me pushimet drejt përfundimit dhe me shumë ushtrime fizioterapike, "Doktori" mund të synojë diçka më shumë në çmimin e Madh të Brno-s: "është një cirkuit shumë i mirë dhe mua më duket gjithnjë i veçantë, pasi është pista ku kam fituar për herë të parë". Nga Republika çeke do të rifillojë edhe sfida personale me Horge Lorencon, shokun e tij të skuadrës. Objektivi i italianit është që të fitojë më shumë pikë se spanjolli në garat e fundit të sezonit: "Përpara kemi edhe gjysmën e kampionatit dhe unë dëshiroj që të jetë sa më pozitive. E ardhmja? Kur ta vendos përfundimisht, do t'jua komunikoj", - ka përfunduar Valentino Rosi.