E Shtunë, 31 Tetor 2026

E gjithë Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Presidentit të "Top Media"-s

Familjarë, të afërm, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të kryeqytetit i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Karafila të bardhë kanë mbuluar arkivolin dhe zërin e dhimbjes e kanë mbuluar duartrokitjet e pashkëputura në shenjë mirënjohjeje, teksa trupi i pajetë përshkroi rrugën nga shtëpia e tij, pranë selisë së "Top Channel" dhe një homazh i fundit iu bë gjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Dritan Hoxha do të mbetet jo vetëm në kujtesën e njerëzve më të cilët jetoi dhe punoi, por edhe të gjithë shqiptarëve, pasi ishte njeriu i shpejtësive të mëdha, që realizoi ëndrra të mëdha, për të gjithë. Kjo ditë, ishte një falënderim i madh për Tanin e "Top"-it.

Presidenti i "Top Media"-s, përcillet për herë të fundit nga banesa e tij, në orën 11:00 në Tiranë, ku në rrugën përpara godinës së "Top Channel" ishin mbledhur me mijëra qytetarë, punonjës të kompanisë së "Top Media"-s dhe kolegë të mediave të tjera, politikanë, biznesmenë e artistë. Rreth orës 11:05, me një hap të ngadaltë nga pesha e dhimbjes, trupi i pajetë i Presidentit ka filluar të lërë pas banesën e tij pranë ish-Piramidës. Në supet e shokëve dhe bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë, nën duartrokitjet dhe lulet e njerëzve që do të donin të mos kishin qenë kurrë këtu dhe e gjithë kjo të kishte qenë veç një ëndërr...

Vetëm pak metra e ndanin banesën e Dritan Hoxhës nga zyra e tij në "Top Channel", ku gjithçka nisi dhe mori hov. Diçka që qiellit gri të Shqipërisë do t‘i jepte ngjyrë. Ndaj Dritan Hoxha nuk mund të ndahej pa një vështrim të fundit nga selia e perandorisë së tij mediatike, mishërimi i ëndrrave të veta që ai bëri realitet për t‘u bërë të mundur edhe dhjetëra gazetarëve, artistëve, regjisorëve, kameramanëve dhe operatorëve që të realizonin dhe ata ëndrrat e tyre, ose siç tha një politikan për të krijuar diçka ku ata do të gjenin oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale. Pas kthesës te selia e "Radio Tiranës", kortezhi ka marrë rrugën përkrah selisë së Kryeministrisë për të dalë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Një bulevard, ku trafiku ndaloi për t‘i lënë udhë hidhërimit dhe njëkohësisht përkrah tij respektit të qindra qytetarëve të thjeshtë. Njerëzit hipën në makina përpara ish-hotel "Dajtit" dhe kortezhi u nis drejt Laprakës, lagjes në periferi të Tiranës ku Dritan Hoxha u rrit. Kortezhit të makinave iu shtuan rrugës në shenjë respekti edhe makinat e televizioneve të tjera nën duartrokitjet e pandërprera të qytetarëve buzë trotuareve. Sepse siç tha një tjetër pronar mediash, Dritan Hoxha ishte adrenalina e medias shqiptare, ishte ai që përcaktonte shumë standarde të medias, ishte ai që e futi Shqipërinë në erën e transmetimeve dixhitale, në transmetimet tokësore dhe satelitore dhe të telefonit celular dhe së fundi në HD. Por siç tha një miku i tij, sot do të jepnin të gjitha krijimet e tij teknologjike në shkëmbim të një novacioni të fundit që ta kthente atë mes nesh. Kjo ishte e vetmja gjë që Tani nuk e bëri dot. Ndaj nuk na mbetet veç t‘i themi atij "LAMTUMIRË!" dhe për herë të fundit "FALEMINDERIT!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›