E Diel, 1 Nëntor 2026

E gjithë bota shpall ditë zie

04/04/2005  Sot hapet testamenti i Papa Vojtilës dhe vendoset vendi i varrimit të Atit të Shenjtë

2 milionë besimtarë do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit

Dy milionë persona i janë drejtuar dje Romës, për të qenë pjesë në lutjet për shpirtin e Papa Gjon Palit të dytë. Burime të ndryshme nga Vatikani, kanë bërë të ditur se funerali i varrimit të Papës, do të jetë ditën e premte ose të shtunën. Vendimi për këtë ditë pritet të shpallet sot, prej zyrtarëve të Vatikanit. Mësohet se rreth 200 kryetarë shtetesh, klerikë të të gjitha feve, dhe personalitete të fushave të tjera, kanë deklaruar mbërritjen e tyre në qytetin e shenjtë brenda dy ditëve. Ndërsa do të qëndrojnë atje deri në fillimin e javës së ardhshme. Tashmë e gjithë bota është përfshirë në zi. Shumë vende shpallën me dekret, ditët e zisë kombëtare në nderim të kujtimit të Gjon Palit të II, njeriut që shembi kufijtë. Vendlindja e Papa Vojtilës, Polonia, shpalli gjashtë ditë zie, ndërkohë që Kuba komuniste, shpalli tre ditë zie. Italia, vendi ku ai u lut për 27 vjet, shpalli dhe ajo tre ditë zie. Të njëjtin veprim kanë ndjekur dhe shtete të tjerë. Ndërsa nuk kanë munguar dhe mesazhet e ngushëllimit prej vendeve me traditë myslimane.

Masat

E mbërthyer nga më shumë se 2 milionë pelegrinë, Roma nxitoi menjëherë të ofrojë trena shtesë, ujë të pastër dhe mijëra krevatë. “Ishim në një festë një natë më parë, kur dëgjuam për vdekjen e Papës”, thotë Erminia Palmieri, e cila po vinte në stacionin kryesor të trenit në Romë, nga një qytet pranë. “Të gjithë ndalën menjëherë së kërcyeri. Shkuam në shtëpi dhe më pas vendosëm të vijmë në Romë. Eshtë shumë e rëndësishme që të jemi pranë tij shpirtërisht, por edhe fizikisht, sepse ai ishte i madh”. Autoritetet e Romës, nisën të vendosin ekrane gjigandë në të gjithë qytetin për pelegrinët, që të ndjekin ceremonitë, dhe Circus Maximus Roman-dikur i përdorur për gara-u caktua si pika e grumbullimit për meshat.Bashkia e qytetit planifikoi gjithashtu, hapjen e dy stadiumeve për pelegrinët me çanta fjetjeje, për të ngritur pika furnizimi me ushqime dhe ujë, si dhe rritjen e numrit të policëve. “Duam ta përshëndesim për herë të fundit”, tha Valentina Malafolia, një studente 23-vjeçare, që mbërriti në Romë nga qyteti i Fetrinit, në Italinë qendrore. Për të përballuar fluksin e njerëzve shteti italian ka vendosur 6 mijë forca rendi, që kanë vënë nën kontroll turmat e mëdha. Ndërsa nuk kanë munguar as grupet e misionarëve që iu vijnë në ndihmë njerëzve të shumtë.

Homazhet

Nga ora 17.00 të ditës së sotme, në vendin ku është vendosur trupi i pajetë i Papa Gjon Palit të dytë, do të krijohet një koridor i gjatë, që do ti lejojë të gjithë besimtarëve të bëjnë homazhe pranë trupit të pajetë të Papës. Ndërsa, për të lehtësuar lëvizjen e besimtarëve që shtohen gjithnjë e më shumë drejt Vatikanit, është vendosur shtimi dhe i 29 trenave të tjerë, të cilësuar për raste të jashtëzakonshme. Trenat do të nisen nga Torino, Milano, Venezia, Verona, Livorno, Pisa, Napoli, Bari, Leçe, Reggio Calabria, Palermo e Siracusa.

Testamenti

Ndërkohë, që një ndër problemet që kanë lindur është dhe vendi ku do të vendoset trupi i Papës. Zëra të ndryshëm thonë se Papa kishte kërkuar që të varroset në vendin e lindjes së tij, Poloni. Ndërsa nuk mungojnë deklaratat se Ati i Shenjtë ka kërkuar që të ndiqen ritet e lashta. Papët e parë janë varrosur në Selinë e Shenjtë. Gjithësesi, sot kardinalët do të hapin testamentin e Papa Vojtilës, nga ku do të mësohet nëse Ati i Shenjtë ka dashur të prehej në Basilikën e Shën Pjetrit,apo në katedralen Vavel, në vendin e tij të lindjes në Poloni. Nëse Papa ka vendosur që të prehet në Basilikën e Shën Pjetrit, organizuesit e funeralit mendojnë se për një varrim kaq të rëndësishëm, vendi ideal do të ishte ai përballë varrit të Paolo VI, i cili ndodhet në të djathtë të vendit që është parashikuar të prehet trupi i Gjon Palit të II.

Vdes në sheshin e shenjtë 54-vjeçarja

Një grua 54-vjeçare nga Ukrahina, ka gjetur vdekjen dje, gjatë meshës të së dielës të zhvilluar në kujtim të Papa Vojtilës. Irina Zozuk ishte në sheshin San Pietro të Romës, së bashku me të birin 25-vjeçar, kur pësoi një atak kardiak. Edhe pse ndërhyrja e mjekëve në spitalin "Santo Spirito" të Romës ishte e menjëhershme, nuk mundi ta sjellë në jetë 54-vjeçaren Ukrahinase. Për të specifikuar nacionalitetin e gruas dhe identifikuar emrin e saj, mjekët e rojes në spitalin e Romës, kanë thirrur vullnetarët e kishës që punonin në Sheshin San Pietro, të cilët u japin asisentecë mjekësore besimtarëve në nevojë. Gjatë meshës së djeshme në sheshin San Pietro, mendohej se ishin mbledhur rreth 100 mijë besimtarë. Mesha e djeshme e organizuar nga Selia e Shenjtë u zhvillua në nderim të kujtimit të Papës. Për të përballuar fluksin e njerëzve, janë organizuar grupe pune si dhe janë shpërndarë shtretër. Gjithsesi, Zozuk është besimtarja e parë që vdiq prej hidhërimit nga vdekja e Papa Vojtilës.

Pjesëmarrja e 200 personaliteteve nën masa sigurie

Rreth 200 personalitetet më të larta të botës pritet të marrin pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Papa Karol Vojtilën në Vatikan. Nga Amerika priten të vijë Presidnetin Amrikan Xhorxh Ë Bush me të atin, ish-presidenti Bill Klinton si dhe senatori demokrat Edëard Kenedi. Nga Europa kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministri i Spanjës Jose Luis Zapatero ndërsa, nuk përjashtohet mundëisa që të mbërrijë në Vatikan edhe mbreti Juan Karlos. Mbreti Albert i Belgjikës së bashku me gruan Paola, Presidenti i Francës Zhak Shirak etj., kanë konfirmuar mbërritjen në Selinë e Shenjtë në ditën e ceremonisë. Burime nga Vatikani shprehen se i nivelit të lartë është dhe prezenca e klerikëve në ceremoni. Deri më tani kanë konfirmuar arfdhjen e tyre një numër i konsiderueshëm drejtuesish myslimanë. Pjesëmarrja e një niveli të tillë liderësh ka bërë që qeveria Italiane të marrë masa ekstreme sigurie për të shmangur ndonjë akt terrorist të mundshëme

“Të gjithë jetimë”

Nënsekretari

“Të gjithë ndihemi jetimë në këtë mbrëmje”, deklaroi Nënsekretari i Shtetit, Kryepeshkopi Leonandro Sandri, përpara turmës prej 70 mijë vetësh, që u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit, poshtë dritareve të apartamentit ende të ndriçuar të Papës. Në sheshin gjigand që zgjatet që nga Bazilika e Shën Pjetrit, turma e mbledhur ra në një heshtje të thellë, përpara se disa njerëz të shpërthenin në duartrokitje-një traditë italiane, sipas të cilës, ata që mbajnë zi, duartrokasin për figurat e rëndësishme.

Situata

Klerikët e lartë u kërkuan atyre që ishin të pranishëm në Shesh, që të qëndronin në heshtje, me qëllim që “të shoqëronin Papën në hapat e tij të parë drejt Parajsës”. Por, ndërkohë që këmbanat e Vatikanit nisën të kumbojnë vajtueshëm, një grup të rinjsh këndonin “Alelujah, ai do të ngrihet sërish”. Njëri nisi t’i bjerë një kitare akustike, ndërsa të tjerë shpejtuan ta shoqërojnë me “Ave Maria”.

Vatikani

“Engjëjt ju mirëpresin!”, u tha në TV e Vatikanit, pasi zëdhënësi i Papës, Joaquin Navarro-Valls, shpalli vdekjen e Papës, i cili kishte vuajtur prej kohësh nga sëmundja e parkinsonit dhe kish rënë shumë fizikisht kohët e fundit, për shkak të infeksioneve dhe etheve.Ndryshe nga traditat antike të Kishës, Navarro-Valls e shpalli vdekjen për gazetarët në mënyrën më moderne të mundshme, një e-mail ku thuhej: “Ati i Shenjtë vdiq këtë mbrëmje, në orën 9:37, në apartamentin e tij privat”.

Vdekja

Vdekja erdhi, teksa Papa i kish ngulur sytë dritares prej nga dukeshin mijërat e njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, u tha gazetarëve italianë një prift polak. Sipas gazetës, prifti pati thënë se Papa ngriti dorën e djathtë, si për të bekuar ata që recitonin lutjen në shesh. “Sapo lutja përfundoi, ai bëri një përpjekje të madhe për të thënë “Amen”. Një çast më vonë, ndërroi jetë”.

Papa

Karol Joseph Vojtila, ishte 58-vjeç, kur konklava e fundit papnore, befasoi të gjithë botën duke zgjedhur kardinalin nga Krakova, si të parin Papë joitalian në 455 vjet. Në vitet e fundit, Papa ka qenë vazhdimisht me një fizik të brishtë. Veç parkinsonit, ai i mbijetoi një atentati në vitin 1981.

Porositë

Vatikani nuk ka pranuar të thotë nëse Papa ka lënë porosi në lidhje me funeralin apo varrimin e tij. Pjesa më e madhe e Papëve, në shekujt e fundit kanë kërkuar të varrosen në dhomat e nëndheshme, poshtë Bazilikës së Shën Pjetrit, por disa kanë lënë të kuptohet se papa i lindur në Poloni, mund të ketë zgjedhur të prehet në vendlindjen e tij. Me afrimin e vdekjes së Gjon Palit, anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve, ishin drejtuar tashmë drejt Vatikanit, duke u përgatitur për detyrën e fshehtë të kyçjes në Faltoren Sistinë, për të zgjedhur Papën e ardhshëm.

Mes pasardhësve të mundshëm për zëvendësimin e Papës, janë kardinali gjerman Joseph Ratzinger, kardinali brazilian Klaudio Hummes, kardinali Oskar Andres Rodriguez Maradiaga i Hondurasit, kardinali Francis Arinze, një nigerian i vendosur në Vatikan, etj. Megjithatë, do të jetë rezultati i votës së 117 kardinalëve, që do të vendosë përfundimisht se cili do të jetë udhëheqësi i ri i katolikëve. Tradita e kërkon që ky proces të nisë brenda 20 ditëve nga vdekja e Papës. Kardinalët do të mbyllen në kupolën e shenjtë, ku dhe do të nisin procesin e votimit. Tradita kërkon që votat e kardinalëve të digjen në një furrë të posaçme. Votat që janë kundër, nxjerrin një tym të zi, ndërsa votat që janë pro, nxjerrin tym të bardhë. Kardinali që do të marrë më shumë vota të bardha, do të ketë dhe drejtimin e kishës katolike. Ndërsa, tradita e kërkon që kardinalët të mos dalin nga kupola e shenjtë, deri në zgjedhjen e Papës së ri. Të drejtën e votës e kanë të gjithë kardinalët që janë nën moshën 80-vjeç. Kisha katolike numëron 117 të tillë, 3 kardinalë më pak nga maksimumi i parashikuar prej Selisë së Shenjtë.

Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i dërgoi një telegram ngushëllimi Selisë së Shenjtë. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në emrin tim, Shpreh hidhërimin e thellë për vdekjen e Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II. Papa Gjon Pali II, ishte një mishërim i dinjitetit njerëzor, i kurajos së jashtëzakonshme, e mbi të gjitha, i besimit. Ai ishte një kampion i drejtësisë shoqërore, i lirisë e i paqes. E quaj veten me fat të kem patur rastin të takohem me të dhe të ndjej humanizmin, shenjtërinë e tij dhe përkujdesjen e veçantë për Shqipërinë. Me këtë rast, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Shpirti i tij pushoftë në paqe”, thuhet në letrën që Meta dërgoi dje, mbi vdekjen e Papa Gjon Palit II.

Vendimi Qeverisë

Me propozim te Kryeministrit Fatos Nano, Këshilli i Ministrave, në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit, vendosi "Të shpallë ditë zije kombëtare në Shqipëri, ditën e Hënë, datë 04.04.2005, në nderim të figurës së Atit te Shenjtë, Papa Gjon Pali i II.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ngrihet në gjysmështizë", thuhet në vendimin e qeverisë. Gjithashtu, është kërkuar që të gjitha kanalet radiotelevizive publike dhe private, të transmetojnë muzikë funebre. Ceremonitë do të ndiqen nga radiotelevizioni publik shqiptar, ndërsa një veprim të tillë pritet që ta ndjekin dhe televizionet e tjerë, si ata kombëtarë ashtu dhe ata lokalë. Në shenjë respekti, në Shqipëri janë duke u zhvilluar ceremoni në përkujtim të Atit të Shenjtë.

Në të gjithë Shqipërinë mbahen mesha të posaçme

Tre presidentët shqiptarë nisen në Vatikan

Ditën e mërkurë, pritet që të tre presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Sali Berisha, të nisen për në Vatikan, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar në nder të Papës Gjon Pali II. Gjithashtu, mësohet se në Vatikan do të nisen dhe një sërë figurash të larta të shtetit shqiptar si dhe misionarë të kishës katolike. Ndërkohë, dje, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, janë zhvilluar ceremoni të veçanta në përkujtim të Papa Gjon Palit të Dytë. Në Tiranë, në Kishën Katolike, është zhvilluar një meshë e posaçme ku kanë marrë pjesë besimtarë të ndryshëm se dhe krerët e shtetit shqiptar. Ndërsa në qytetin e Elbasanit, gjatë orëve të para të mëngjesit dhe rreth orës 10.00, është organizuar një meshë për shpirtin e Atit të Shenjtë, Gjon Pali i Dytë. At Don Franko Galizia, famulltari i kishës së Elbasanit së bashku me motrat Domenikane, janë lutur për shpirtin e Papës gjatë gjithë natës, duke hapur dyert e kishës edhe për të gjithë qytetarët që kanë shprehur dëshirën për të ndezur një qiri për Atin Gjon Pali i Dytë. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar dhe qytetarët e Beratit, të cilët veç meshës së shenjtë, kanë ndezur dhe qirinj për shpirtin e Papa Gjon Palit të Dytë. Ceremoni janë zhvilluar dhe në qytete të tjera të vendit si në Lezhë, Durrës, etj. Ndërsa, dhe në edicionet e lajmeve, vdekja e Papa Gjon Palit të Dytë, ka qenë çështja më kryesore.

Sali Berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi kardinalit Jozef Racinker në Vatikan, ku i shpreh ngushëllimet për humbjen e Papa Gjon Palit të II. "Në emër të PD, i shprehim Lartësisë Tuaj por dhe gjithë besimtarëve të krishterë, ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i II. Unë jam i bindur se të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve bashkohen sot në zi dhe ndajnë pikëllmin e madh për humbjen e tij. Me ndarjen nga jeta të Papa Gjon Palit të II, ne shqiptarët humbëm mikun tonë më të shquar, që lutej çdo ditë për ne dhe te ardhmen tonë. Ati i shenjtë ishte mbështetës dhe aleati ynë kryesor në përmbysjen e diktaturës së egër, që kemi përjetuar në histornë tonë", thuhet në mesazh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›