E Shtunë, 31 Tetor 2026

E heqin nga puna, vetëvaret

 

RRESHEN/ HASAN PASHA

Një 48-vjeçar, banor i rrethit të Mirditës është vetëvarur mëngjesin e dje-shëm, duke i dhënë fund jetës. Anton Prenga, babai i tre fëmijëve, banor i fshatit Rrëja e Zezë është gjetur nga bashkëshortja i varur në degën e një peme në oborrin e shtëpisë.  Sipas policisë lokale, Prenga punoi për disa kohë në rrugën Rrëshen-Kalimash, por kjo kontratë ishte ndërprerë disa ditë më parë. Po sipas policisë, familja Prenga jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ngjarja, sipas grupit hetimor të ngritur enkas për të, ka ndodhur rreth orës 02:00 të ditës së djeshme. Bashkëshortja e viktimës ka treguar se ai është zgjuar ndryshe nga herët e tjera, pak pas mesnate dhe nuk ka dhënë sqarime se për ku ishte nisur. Gruaja e tij ka pohuar në polici se ajo mendonte se Antoni do të rikthehej shpejt, duke aluduar se kishte vajtur tek ndonjë i afërm në fshat. Pasi gruaja ka konstatuar se bashkëshorti po vonohej, ka dalë në oborrin e shtëpisë. Pasi ka ndezur dritën e oborrit, përballë saj është shfaqur i shoqi, i varur në kumbullën fare pranë shtëpisë. Fillimisht bashkëshortja është përpjekur t'i vijë në ndihmë burrit të saj, por çdo përpjekje për ta rikthyer në jetë ka qenë e pamundur. Pasi ka vërejtur se ai kishte ndërruar jetë, ajo ka lajmëruar njerëzit më të afërm. Këta të fundit kanë vënë në dijeni Policinë e Rrëshenit, e cila shumë shpejt është ndodhur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Fillimisht kufoma e 48-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit lokal, për të kryer këqyrjen e saj dhe për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje të pastër. Mendohet se shkak i kësaj ngjarjeje janë bërë kushtet e rënda ekonomike të viktimës, pasi një javë më parë ai kishte ndërprerë kontratën e punës me firmën e huaj që punonte në autostradën Durrës-Kukës. Papunësia në kushtet e mungesës së të ardhurave për familjen me 5 persona, duket se e kanë shtyrë Prengën në vetëflijimin e radhës. Vetëm brenda kësaj jave, që ende nuk është mbyllur, në të gjithë vendin janë shënuar 8 vetëvrasje, të moshave nga 14 deri në 50 vjeç, ndërsa që nga fillimi i vitit, numri e ka kaluar 10-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›