Vrau e grabiti policët, 25 vjet burg për manjakun e armëve
Vrasja e një polici në vitin 1992, me qëllimin për t'i grabitur pistoletën e punës, duhet t'i kushtojë 25 vjet qëndrim në qeli 44-vjeçarit nga Shijaku, Selim Sina. Kjo ishte kërkesa e Prokurorisë së kryeqytetit, paraqitur dje në gjykatë në ngarkim të të pandehurit, akuzuar për katër grabitje me armë, në bashkëpunim ndaj ushtarakëve, njëra prej të cilave me pasojë vdekjen. Sina, sipas Prokurorisë, është i pandehuri i katërt në këtë çështje, i cili është zbuluar në vitin 1996, ndërsa tre bashkëpunëtorët e tij e kanë marrë dënimin në vitin 1993. Sipas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Tiranës, Astrit Haruni, është dënuar me 12 vjet burg, Hytbi Lila me 25 vjet burg dhe Fatmir Gegiçi me vdekje me pushkatim, vendim i cili është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërsa katër vjet më vonë, për këtë ngjarje është marrë në përgjegjësi penale Sina, i cili ndodhej në Itali, ndërsa gjykimi për të është zhvilluar në mungesë. Pas dënimit të tij me 25 vjet burg në mungesë, autoritetet italiane mundën ta arrestonin dhe e dërguan me pranga në Tiranë, tre vjet më parë.
Grabitjet
Sipas Prokurorisë, më 1 prill 1992, në vreshtat e fshatit Marikaj është gjetur i vrarë me një plumb në kokë dhe disa dëmtime të tjera polici Shkëlqim Kuçi. Dy ditë më vonë policia ka arrestuar Hydbi Lila dhe Astrit Haruni, nga Sukthi i Durrësit. Gjatë hetimeve këta kanë shpjeguar se Lila punonte si taksist me një Fiat-Ritmo, ndërsa mbrëmjen e 19 marsit 1992, së bashku me Harunin dhe Sinën kanë marrë si pasagjer nga Sukthi në Vorë një person që quhej J.K. Pas pak ata, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë rreth 700 lekë që ai kishte me vete dhe orën e dorës. Një ditë më pas, të njëjtët persona, me të njëjtën makinë, kanë përshkruar të njëjtën rrugë, ndërsa viktima e radhës ka qenë oficeri i ushtrisë G.L., të cilit i kanë marrë pistoletën dhe orën e dorës. Mbrëmjen e 26 marsit 1992, Lila duke ecur me makinë me Sinën dhe Fatmir Gegiçin, kanë marrë si pasagjer policin Y.V.,i cili ato momente ishte veshur civil. Pasi i kanë marrë armën e punës dhe 1700 lekë, ata e kanë zbritur të dëmtuarin nga makina dhe i kanë drejtuar armën në kokë. Gegiçi i ka vendosur në kokë pistoletën që i kishte marrë, duke i thënë se do të realizonte qitje, dhe nëse arma ishte me fishek në fole, do ta vriste. Fatmirësisht arma nuk kishte fishek në fole.
Vrasja e policit
Prokuroria pretendon se duke vazhduar aktivitetin mbrëmjen e 29 marsit 1992, të pandehurit kanë marrë pasagjer policin Shkëlqim Kuçi, i cili ishte i veshur me uniformë. Rrugës, Sina dhe Gegiçi i kanë vënë pistoletën në kokë duke tentuar ta grabisnin, por polici ka reaguar duke kryer qitje me pistoletën e punës. Pas kësaj ata e kanë vrarë dhe pasi e kanë hedhur trupin jashtë makinës janë larguar. Në qershor të vitit 1992 është arrestuar Gegiçi, ndërsa Sina ishte i vetmi që kishte mundur t'iu shpëtonte prangave dhe sipas organit të akuzës ishte larguar në Itali. Ky u dënua në vitin 1997 në mungesë dhe në vitin 2006 Apeli e la në fuqi këtë vendim, por Gjykata e Lartë në prill të vitit të kaluar e riktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës. Gjatë seancës së djeshme, avokati mbrojtës i të pandehurit pohoi se klienti i tij ishte i pafajshëm, ndërsa kjo provohej me faktin se asnjë prej dëshmitarëve të dëmtuar nuk e ka akuzuar Sinën. Po kështu, sipas tij, prokuroria nuk arriti t'i provonte akuzat në gjykim edhe me dokumente shkresore apo paraqitje për njohje. Po kështu, duke iu referuar dosjes së gjykuar 16 vite më parë, rezulton se autori i krimit të ekzekutimit të policit është i dënuari me vdekje, Gegiçi. Pas kësaj Gjykata vendosi t'a shtynte shpalljen e vendimit për dy javë më vonë. fa.ma.